GJUHA SHQIPE NË ÇAMËRI nga Namik Selmani

Namik Selmani

GJUHA SHQIPE NË ÇAMËRI
-mbijetesë shqiptare-

Pasuria gjuhësore e kahinës së Çamërisë edhe sot e kësaj dite ka mahnitur e vazhdon të mahnisë jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe specialistët linguistë brenda e jasht trojeve shqiptare. Nuk është rastësi që rilindasi i shquar shqiptar Naim Frashëri, ta quante atë “gjuhë perëndie”. E vendosur pranë folklorit të pazëvendësueshëm çam, sa lirik aq dhe epik, kjo gjuhë ishte e mbetet dëshmia më e madhe e kujtesës sonë kombëtare të lashtë e të re.
Natyrisht në përpjekjet e mëdha e të mundimshme ,shpesh edhe tragjike ,të popullsisë çame në gjysmën e parë të shekullit XX një vend të rëndësishëm do ta zinte edhe drama që lidhej me gjuhën shqipe. Me mësimin e përhapjen e saj në tërë territoret e kësaj krahine shqiptare që padrejtësisht u shkëput nga trungu i vendit amë më 1912 e iu aneksua Greqisë.Në këto kushte gjuha në këto troje u gjakos po aq sa u gjakosën edhe bijtë e Çamërisë që kërkonin të drejtat e tyre të mohuara. Identiteti kombëtar i popullsisë çame u bë një nga faqet më të ndritshme të mbijetesës shqiptare në kushtet e bashkëjetesës së detyruar më një shtet që asnjëherë e në asnjë rast nuk ishte e nuk është dashamirës i zgjidhjes së aq e aq problemeve që kishte kjo popullsi .
Në se do ta quanim një betejë mësimin e gjuhës shqipe, ajo kishte në këtë periudhë tre fronte njëherësh. Në njërën anë ishin përpjekjet e kërkesat e vazhdueshme të popullsisë autoktone çame për t’iu kërkuar qeverisë greke hapjen e shkollave të mirëfillta shqipe në qytetet e fshatrat e Çamërisë.Në anën tjetër ishin përpjekjet e qeverisë shqiptare që brenda mundësive të saj diplomatike,politike të ndihmonte për zgjidhjen e këtij problemi.
Që pas viteve 1912 –1914 qeveria greke nisi përpjekjet për shkombëtarizimin e këtyre trojeve Në arkivat e kohës të bie në sy një nga deklaratat që përmendej shpesh kur çamët bënin kërkesat e tyre për t’iu mësuar fëmijëve gjuhën shqipe ‘Në qoftë se doni të mësoni shqip shkoni gjetkë se këtu s’keni vend! Kjo deklaratë kaq anikombëtare thuhej më zë të lartë nga qeveritarët grekë të të gjithë shkallëve në të gjitha fshatrat e qytetet e krahinës së Çamërisë.
Në datën 27 shkurt 1936 rreth 80 burra të popullsisë myslimane të qytetit të Filatit i dërgojnë një letër kërkesë Kryetarit të qeverisë greke në Athinë.Një kërkesë normale për statusin e shtetasit grek, por e pajustifikueshme për qeveritarët grekë që e shihnin me syrin e njerkës çdo kërkesë të popullsisë shqiptare.Ndërmjet të tjerash ata shkruanin në letër “……paraqesim lutjen e nxehtë që e Ndërshmja Qeveri të na lejojë çeljen e shkollave shqiptare private,shpenzimet të mbajtjes së të cilave do të rëndojnë (mbi neve) dhe të cilat shkolla do të jenë në kontrollin e shtetit….”Një kërkesë sa njerëzore aq edhe e thjeshtë për t’u realizuar.
Jo thjesht për rastësi por disa ditë më vonë Konsulli i Legatës Mbretërore Shqiptare në Athinë z.Xhaferr Vila ,i drejtohet Ministrit të punëve të Jashtme në Tiranë se po përpiqej pranë qeverisë greke për çeljen e shkollave shqipe në mbarë Çamërinë.
Kërkesa e fshatarëve dhe e Konsullit qarkullonte nga njëra zyrë e qeverisë greke në tjetrën duke u bashkuar me dhjetra e dhjetra kërkesa të çamëve të Paramithisë, të Margëllëçit,të Arpicës që kishin të njëjtin qëllim.Heshtja e zvarritja ndiqnin njëra tjetrën.Mesazhi ishte i qartë.Në kushtet e kësaj heshtjeje të plotë e të një sabotimi të qartë të mësimdhënies së gjuhës shqipe qeveria greke nuk merrte përsipër që të hapte jo vetëm shkolla shtetërore në krahina etnikisht të pastra shqipfolëse,por ajo nuk jepte miratimin edhe aherë kur këto shkolla do të mbaheshin krejtësisht me të ardhurat e popullsisë vendase.
Si për ironi të kësaj gjendjeje aspak të favorshme për shqiptarët çamë, nga burimet diplomatike të kohës merret vesh se Despoti i Janinës Spiridoni nga vajtjeardhjet e tij të shpeshta në Athinë kishte siguruar një fond të konsiderueshëm për të hapur në Manastirin Velev në kodrat e Kalbaqit, shumë afër kufirit shqiptar dy shkolla normale me të gjitha mjetet e duhura si orendi,kushte për fjetje,bursa të plota për nxënësit, etj Nxënësit e tyre vinin nga shkollat greqishtfolëse të Shqipërisë së Jugut.
Ishin vitet kur vazhdonin me shpejtësi përpjekjet politike e diplomatike për të larguar me të gjitha mënyrat këtë popullsi autoktone nga trojet e saj.Ishte koha kur vazhdonin me shpejtësi shpronësimet për një shuma qesharake vetëm e vetëm për ta varfëruar krahinën e Çamërisë e pastaj ata të mos e kishin si një problem të parë hapjen e përhapjen e shkollave shqipe.
Në vitet 30 në Paramithi,Filat ,Margëllëç e Gumenicë nxitej e përsëritej një ritual tepër poshtërues në lokalet ku ishin pronarë grekët .Kur hynte ndonjë klient i ri çam para se të merrte porosinë, kamarjeri grek në mënyrë tepër cinike, e pyeste në se kishte para që të paguante kafenë që do të pinte.Përballë këtyre kërkesave sa normale aq dhe të domosdoshme urrejtja dhe dinakëria greke nxirrte nga arkivi i saj forma të drejtpërdrejta apo dhe të stërholluara për të mbytur me çdo kusht zërin çam në mbrojtje të gjuhës shqipe.
Në muajin maj 1936 rrihet rëndë Sulejman Taka nga Galbaqi e Shuko Tare me dy djemtë e tij, sepse kërkuan të hapej shkolla shqipe në Picar.Në Kalbaq rrihen masivisht mjaft fshatarë, sepse kanë shprehur ndjenja kombëtare shqiptare.Ndërkohë propoganda e qeverisë greke nxitonte që të shprehej se “ata që duan shkolla shqipe janë njerëz intrigantë që duan të prishin vendin…” Kjo u vazhdua me një shpifje se gjoja “shqiptarët e Çamërisë armatosen për të bërë kryengritje”
Fletoret shqiptare të kohës “Besa”,Vatra” e ‘Arbëria” në vitin 1936 e më tej iu desh të bënin mjaft shkrime për të hedhur dritë në këto përpjekje dashakeqe të qeverisë e qarqeve antikombëtare greke si dhe të të një pjese të konsiderushme të shtypit grek.Për fat të keq këto mendime përforcoheshin drejpërdrejt edhe nga Kryeministri grek i kohës.
` Një vendim i tillë i jepte dorë kontrolleve e bastisjeve të shumta që bëheshin në familjet e patriotëve të shquar ku dyshohej se kishin libra,gazeta në gjuhën shqipe.Kjo gjë ndodhi në muajin shtator 1936 në Paramithi ku pas kontrollit u gjetën mjaft libra shqip që u dogjën
Një mënyrë tjetër që përdorej për të mos lejuar në asnjë mënyrë hapjen e shkollave shqipe ishte argumenti i reciprocitetit të këtij problemi me qeverinë shqiptare .Kështu nga një dokument arkival i kohës mësojmë se shkollat shqipe në Çamëri do të hapeshin po qe se do të hapeshin shkolla greke në Himarë e gjetkë. Kjo ishte vërtet absurde se shkolla greke funksiononte prej vitesh në këtë qytet .
Kur zyrtarët shqiptarë ia kërkonin këtë gjë kryeministrit grek Metaksa ai thoshte se “….kemi vështirësi financiare për hapjen e shkollave..” Ishte e qartë,fare e qartë.Popullsia autoktone çame krahas shpronësimit ,krahas përjashtimit masiv nga administrata publike i ndalohej të mësonte shqip.Në se presioni i madh i popullsisë vendase dhe ai i qeverisë shqiptare e bënte në ndonjë rast punën e tij, qeveria greke e gjente shtigje të tjerë dinakërie . Caktonte në mënyrë arbitrare mësues të paaftë që nuk kishin mbaruar studimet për gjuhën amtare dhe që shtyheshin që të thonin se gjoja ‘çamët hiqnin dorë vullnetarisht nga mësimi i gjuhës shqipe e donin vetëm gjuhën greke”
Një gjë e tillë u bë edhe objekt i një Promemorieje të këshillit të Ministrave të Shqipërisë më 2 prill 1936.Duke marrë shkas nga emërimi i 5 mësuesve shtetas shqiptarë grekofonë në 5 fshatra të Çamërisë ky këshill “vendosi që Përfaqësitë tona në Greqi të bëjnë demarshe me qëllim që të emërohen si mësues të gjuhës shqipe ndër shkollat e Çamërisë shqiptarët prej race ,gjuhe e origjine…”
Me gjithë punën e makinës propogandistike e shtetërore greke familjet e përhapnin gjuhën fshehurazi me abetare të ardhura nga Shqipëria.Kudo në dasma ,familje ,kuvende flitej shqip e vetëm shqip.
Edhe sot pas 70 e ca vjetëve të shpërnguljes me forcë të popullsisë myslimane shqiptare qeveria greke, në kushtet e demokracisë e të drejtës ndërkombëtare nuk është aspak dashamirëse për të hapur kudo shkolla shqipe për fëmijët e qindra e mijëra emigrantësh nga Shqipëria.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.