GJUHA SHQIPE nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

GJUHA SHQIPE

Përditë merrnin gurët nga fjalët,
Njerëzit flisnin dhe talleshin për gurët që mbartnin.
Gurët talleshin me njerëzit që i ndanin  gurët nga vetja
Nga toka, hallet, FJALËT, rrezet, të vërtetat
Dhe të habitur shihnin si lindnin  në vend të tyre gjerdhet. 

Fjalët zinin vend në fjalën e fundit të vatrave
Dhe digjeshin me drutë në zjarre.
Digjeshin me pyjet,
me mëritë,
me ujërat
Bashkë me to fushat dhe malet.

Kur panë që njerëzit lëshoni gurët dhe fjalët,
Ata që ndanin vetën nga fjalët,
Vinin britmat në krye të rradhës.
Filluan të merrnin me britma lulet,
Binin me gurë mbi diellin dhe  rrezet,
Mbi të vërtetat për njerëzit dhe pemët.

Njerëzit mbushnin tregun me lule dhe fjalë,
Çmendeshin dhe pinin mbi pjatat me meze.
Deheshin vetë për ta,
Pastaj qeshnin si të marrë,
Kur shihnin se ata mbillnin në trevat e tyre
Jo mollë, por gurë dhe britma për fjalë… 

Pastaj ata filluan të merrnin fjalët dhe emrat,
Njerëzit u  kujtonin emrat njeri-tjetrit.
Ata u vunë përballë rrethimit me gurë të vjedhur,
Dhe pyeten se mos po talleshin
Po tallëshin dhe për çfarë?
Pastaj për tu ruajtur ndërtuan ndarjet,
Ndërtuan fetat, kalatë dhe gjerdhët. 

Njerëzit  pyetën:
-Mos doni të merrni edhe malet?
-Po, u thanë ata të zbehtë, të heshtur.
-Atëherë mendoni me se do ti mbani
Ne malet i kemi si gishta,
Ne malet i mbajmë në këmbë,
në duar,
në valle.
Doni këtë malin, më të madhin?
Doni këtë të mesit…?
Doni këtë të voglin?

Malet mbeten tek janë,
Me njerëzit që në valle i mbajnë.
Ata që deshën të mesit
Të mesit e lanë menjanë,
Sepse asgje kuptuan nga mirakulli
“në fal’ dhé dham’ fjal’…”

nga libri, DEA E LULEVE

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.