GRAFITE MURI nga Sefedin Xhafolli

Sefedin Xhafolli

GRAFITE MURI

Rroftë mbreti francez Luigji XIV
Rroftë Qeveria
Poshtë kryeministri
Poshtë komun(al)izmi
Vdekje tatarëve
Rroftë qeveria Berisha VII
Poshtë Qeveria Berisha II
Ikë Edi Rama
Rroftë Kryeministri Shqiptar
Duam zgjedhje të reja-çdo 6 muaj
Ik Ramush Haradinaj-rroftë Daut Haradinaj
Rroftë Haradinaj Ramush
Qeveria poshtë-darka solemne në katin e I
Rroftë kryeqyteti i ardhshëm në Kurvelesh
Vdekje Qeverisë së Madagaskarit
Pushoni se iku vera
A është dreka gati?

TAK-TIKË

…dikush
fshihet
pas
murit
dikush
pas
drurit
dikush
pas
flamurit
dikush
pas
heroit
dikush
pas
kroit
dikush
pas
murgut
dikush
pas
burgut
dikush
pas
lekut
dikush
pas
ortekut
dikush
pas
grekut
dikush
pas
mallit
dikush
pas
hallit
dikush
pas
djallit.

KËTO MURE TORTURE

…këta
kufij
këto mure
torture
që therrin
si thikë
si kobure
mure
ndarje
përqarje
mure
sharje
…për
këto mure
torture
dhe të tjera
të zeza
do t’na gjykojnë breza e breza.

MINISTRA LËPISTRA

…një ish
Miku im
Tash ha
Nga një
Grusht miza
Ha murriza
Driza
Që mbretit
Tonë
T’mos
I mbarojë viza
Anipse
U balcamos
Si Monaliza
dhe këmbët
Iu bënë shtiza
Mbretit tonë
S’po i rrëzohet
Kulla Piza.

DITË TREGU

…hajde dardha
hajde dardha
hajde
pasaporta
hajde
kallasha
hajde
kanabis
hajde
atdhe
hajde
gra
hajde
bija
hajde dardha,
hajde dardha
lirë e mirë u krye pazari.

NA FAL,MBRETI YNË!

…mbret
zemërdet
zemërmal
na fal
e bëmë
baltë
dhe moçal
na beso
mendjen
po e vrasim
por s’po mund
të të
duartrokasim
u lodhëm
duke
duartrokitur
duke
u jargitur
duart
na janë
plasaritur
për Stalinin Titon Enverin Tomin dhe Xherin
pesë dekada
kanonada
duartrokitje
me kilometra
secila
më e gjatë
se tjetra
duartrokitje
me tonelata
buçitje
të gjata
…nderuam
mbiemrin
dhe fisin
kemi thyer
Ginisin
…duartrokitje
frenetike
biblike
idilike
rini
punëtorë
u bëmë
boksierë
gladiator
nga
trajnimet
goditjet
duartrokitjet
brohoritjet
derisa
ra tavani
vdiq Magelani
u lodh
Napoleoni
u zhvarros
faraoni
për Enverin Titon Stalinin Nastradinin
…kemi
duartrokitur
derisa
i kemi
mërzitur
i kemi
gërditur
ama
s’jemi
koritur
në shi borë shqotë si askush në botë
…na fal
ti meriton
shumë
duartrokitje
plasaritje
për këto
arritje
jashtëqitje
por ç’e do
u lodhëm
pesë dekada
duartrokitje
nëpër parada pa brekë pa grada
dhe tash
jemi
të mekur
të thekur
as
për mish
t’pjekur
as për të gjallë as për të vdekur. 

ARTI I RRENËS

…na rrejti
Roma
na rrejti
Stambolli
na rrejti
dhia
dy dekada
s’polli
na rrejti
Bizanti
na mashtroi
greku
ne punuam
arën
ai shatin s’preku
na rrejti
Euro
na rrejti
leku
po rren
prfesori
gjithmonë
rrejti mjeku
na rrejtën
paria
rrenë fort
dhe sot
por s’na mbushet
mendja
as na bindet
dot
thanë po vdiq
Enveri
po vdiq
dhe Tita
pa ta
misër s’ka
le më dhe simita
e rrejtëm vetën
tash
ngapak
Shqipërinë
e rrejtëm
Luginën
dhe Çamërinë
rrejmë
me motoskafe
dhe vetë
Kolumbinë
mashtrojmë
dhe me art
dhe me metafora
poetë
u bëmë shumë
letërsi e gjora
po rrejmë
Europën
rrejmë
madje edhe
lopën
e rrejmë
politikën
na rrenë
politika
për rrenat serike
tash
ndërtojmë
fabrika
na mashtruan
fqinjët
mashtrojnë
dhe partnerët
edhe demokratët
bashkë
me proleterët
e rrejmë
diasporën
i zhvatim
paratë
bejmë flori
dashnorësh
mashtrojmë
fëmijët dhe gratë
mashtruam
Bajram Currin
dhe Adem Jasharin
mashtrojmë
myshterinjtë
dhe prekim kandarin
rrejmë
sa të mundemi
dhe s’ju japim
dorën
mashtruam
Ana Oksën
tash rrejmë
Rita Orën
tash
po rrejmë vetën
sa t’jetë dita-nata
lëpihemi
ëndrrojmë
dhe për dekorata.

LIRI M’KËRKON RIMA!

…Liri
kërkon
bima
Liri
kërkon
rima
që s’varet
nga klima
as nga
mjaullima
Liri
m’kërkon
syri
nuk më
duhet dryri
më duhen
pak rima
që i ha
lima
që s’i bren
bryma
liri
do dhe
vargu
mjegull
do
qoftëlargu.

FABRIKË PËR POLITIKË

…nuk flitet
as për
sport
as për
gjimnastikë
as për
epikë
as për
lirikë
as për
qiell as
Galaktikë
as për
shkencë as
Kibernetikë
as për
bujqësi
as industri
as për
film as
për etikë
as për
muzikë
…mëngjesi
na zuri
me politikë
e kemi
fabrikë
e kemi
klinikë.

FORCA!

…më
i
fortë
burri
se
guri
se
druri
se
muri
se
huri
burri mbështetur për muri.

RACË TRAGJIKOMIKE!

…në
luftë
heroik
punëtor
dhe
mik
i gjallë
dhe
fisnik
i mirë
dhe
besnik

paqe
si
zhapik.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.