GRIMË nga Erina Çoku

Erina Çoku

GRIMË

Du’ me qenë e imtë
sa pori në lëkurë
në trup me t’u fut 
aq thellë me të ngallitë
aq fort me të trandë
sa shpirti me t’u mekë
e në duar të mia me të ra.

M’PËRQAFOHESH

m’përqafohesh
si brinja mangët tash mijëra vjet
kraharorit t’nji burri.

m’përqafohesh
si hija e muzgut ngjitur pas objekteve,
si objektet që kurrë pa të nuk mbeten.

m’përqafohesh
si hëna sytë e nginjur me vetmi të poetit
si poeti vetminë e vet me relieve në hënë.

m’përqafohesh
si era kur rreth pemës shtillet
si pema kur e ethshme pas saj epet.

m’përqafohesh
si ahti i zjarrit që bie në ujë
si historia e ujit me vdekje të vogla avulli.

m’përqafohesh
si mesnata mes burrit e gruas
si agu mes trupit e shpirtit.

m’përqafohesh
si e ardhmja që nuk i bindet së shkuarës
si koha pezull para puthjes së parë.

m’përqafohesh
me përqafimin që ngjan vetëm me ty
me ndijimin që ngjan vetëm me mua.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.