“GROTESKËT” E VERLENIT nga Martin Cukalla

Martin Cukalla

“GROTESKËT” E VERLENIT

plak jam
por jo i mençur natyrisht
dhe as nuk i qortoj
groteskët…

mbështetje nuk kanë vetëm këmbët ata
në sy e kanë pasuri të vetën vdekjen
nuk lozin aventura
e nuk janë leckamanë në ëndërrime…
groteskë
e nuk ngjajnë me çka shkruan Verleni!

djemtë s’ua nxjerrin gjuhën
e shumë vajza marrosen të rrinë në gjunjët e tyre
nuk mëshirojnë të varfërit
e as nuk i trishtojnë budallenjtë…
groteskë
e nuk ngjajnë me çka shkruan Verleni!

duart e të vërtetës
i janë arratisur violinës vajtuese të gazetave
e nuk këndojnë këngë të çuditëshme
grupet rrebele të rrokut…
groteskë
e nuk ngjajnë me çka shkruan Verleni!

bezdia jo llogjike e përditshmërisë
është rreshtuar çdo mbrëmje nëpër tivutë e tepërt
e qan e qesh dashurisht me gjërat e përjetëshme
të vdekurit e rinj janë perënditë e djeshme…
groteskë
e nuk ngjajnë me çka shkruan Verleni!

rrufe mallkimi hidhen nxijnë baltrat mbi shpresat e mëdha
shqyhen zërat e molepsur primitivë nëpër tribuna e sheshe
derdhen vrer pa përtim e klithma: “ngrehuni e bjeruni!
Lana për ata! për ne mbretërimi!”…
groteskë
e nuk ngjajnë me çka shkruan Verleni!

gjithçka ju është dhënë, gjithçka shkatërruan
thatimë të ftohtë kufoma stuhi marrëzish
në përgjim të vdekjes vdesin buzëqeshjet e foshnjave
pa u lodhur krijojnë përditë rrëpira e humnera për dritën…
edhe pse groteskë
nuk ngjajnë me çka shkruan Verleni!

nuk i kemi shpënë të zhgrryhen kallamishtash…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.