HINGËLLON NJË KALË KU BASHKOHEN DY DRINAT nga Hamit Aliaj

Hamit Aliaj

HINGËLLON NJË KALË KU BASHKOHEN DY DRINAT

Hingëllin një kalë ku bashkohen dy Drinat,
Herë gjog i bardhë,herë vrâç i zi,
Bardhon si Drini i bardhë,zezon si Drini i Zi

Ah, hingëllimë, e mnershme hingëllimë
Rrënqeth malin me emrin e dridhshëm Pikëllimë !

Është kalë a fantazmë?!

Fantazma janë parë te dalin nga ujrat,
Fantazma janë parë të zbresin nga mali,
Po kurrë s’është degjuar për një fantazmë kali !

Fantazmë kali,nga ç’dimër vjen ti?
Patkoin e hënës hedh përmbi Dri !

Dimëron në shi qysh nga Mesjeta
Ku lufta s’prani në pllaja të shkreta,
Me statuja mbretërish -fantazma mbi shpinë
Tërmete bien sa herë hingëllin

Sa nuse hënore mbajte mbi shpindë
Si e ndjen veten rrethuar me çengi
Që shpikin përditë Skenderbe të ri ?

Ah gjog i bardhë,ah vraç i zi
Ditën -Dri i Bardhë,
Natën- Dri i Zi !

Fantazmë kali,pse i trembesh kësaj toke?
Patkoin e hënës gjuan në qiej Europe!…

Fantazmë kali,nga ç’dimër vjen ti ?
Patkoin e hënës lëshon përmbi Dri…

Çartanët e çartur me Çarter çajnë retë,
Me jahte çartanët,mbi dete e pushtete,
Po,hypur mbi kalë i ëndërrojnë statujat e veta

Ç’tërmete ndjen atje mbi Pikëllimë?
Çfarë shenjash Mesjete të zbardhin,të nxijnë ?!…

SHITËSIT E LIRISË

Formula e moçme e lirisë u vjetërua,
Liria mund të blihet në shitore e zyra
Ose nga shitësit endacakë ,pa orare

Liri ditore,javore,mujore,vjetore,
Liri me qera,si shtëpitë pa banorë,
Në çdo blerje keni një hije falas
Që të mos ndjeheni të vetmuar

Ju që e patët të ndaluar të qani
Tani mund të shkoni e të bleni lot,
Lot sa për gjithë kohën e mosqarjes
Lot nënash,lot të uriturish,lot kurvash,lot krokodili,lot kaprojsh,lot zogjsh

E buzërreshkurit që s’u lejuan të flasin kurrë,
Tash mund t’i blejnë gjithë zërat e gjallesave
Sa për gjithë kohën e memecërisë
Në shitoret ku shiten lehjet,
Lehje minakësh,zagarësh,qensh,
Pëllitje,blegërima,hungërima,ulërima

Madje mund të blini pordhë të koduara,
Të minukëve,fendukëve,kopukëve,
bishtukëve,eunukëve,
Që janë në krye të shtetit të Lirisë

Se në vendin tim ka shitore gjithnaje:
Ku blihet loti,lehja,hija,liria !…

Lirinë mund ta blini me çmime të ndryshme:
Liri që e përdorën të tjerët dhe të mërzitur prej saj,
E shitën në dyqanin e vjetërimeve,
Ajo ka çmim më të lirë
Si rrobat e përdorura që vijnë prej Europe

Ka edhe liri falas:
Të vdekurit që shkojnë përtej,
Nuk marrin me vete lirinë,
Ua lënë të gjallëve ta japin për bamirësi,
Atë dhe teshat që i veshën dikur.

Pra,falas i keni:
Lirinë e të vdekurve,teshat e të vdekurve !

Në u grindshi me lirinē
E në u tutshi se ajo mund të ju ikë në arrati
Mund ta mbyllni në dry në shtepinë tuaj,
Madje mund ta lidhni e vet të shkoni
Në qejfe nate,striptiza a ballo me maska…

Fjalë e vjetëruar Atdheu !

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.