AQ MË BËN nga Edmond Shallvari

Edmond Shallvari

AQ MË BËN

Erdhi koha për të thënë: -Aq më bën!
Aq më bën ç’thonë për mua poshtë e lart
Fundi i fundit ky jam unë, s’jam pa zë
Ku ka zë do ketë dhe zëra dalë nga djaj.

Fundi i fundit edhe unë s’jam një engjëll
As nuk dua kursesi engjëll të jem
Kësaj bote rroj dhe unë përzjerë me njerëz
Nga përzerja dihet mirë çfarë qenie del.

Kjo s’do t’thotë që patjetër jam një djall
Le t’i lëmë djaj e engjëj fantazisë
Dhe realë në jetofshin aty lart
Këtu poshtë zor t’i qasen njerëzisë.

Njerëzia është engjëll, shkuar engjëllit
Eshtë djall, shkuar djallit ajo është
Dhe në qofsha më i miri unë i shembullit
Pa më veshur hije djalli s’do më lënë.

Prandaj prapë e përsëris: -Aq më bën!
Aq më bën se çfarë thotë ai, ajo
Njëmijë herë kësaj bote të rilind
Unë jam unë e nuk mundem tjetërlloj.

HISJA

Nuk kërkova që e mira të më binte shi nga qielli
Por kërkova që kur u linda, hisen time prej vërteti
Sepse çdo qenie e lindur, ka një hise kësaj bote
Nuk e prita duke pritur, as ama të më mohohet
Nga ca qenie antiqenie, që për hise s’kanë ngopje
Duan timen, duan tënden, gjithë hiset e kësaj bote
Kurse mua, kurse ty, të na mbajnë me thërrime
Me huara der’ në fyt, marrë nga jotja, hisja ime
Në një kohë kur natyra, kaq bujare, kaq e dhënë
Ka për ty e ka për mua, ka për gjithë botën e tërë
Lëre ç’thonë maskarenjtë, për pak vdekje, shumë lindje
Duan botën ta kenë vetë, si të jetë e tyre hise
Nuk kërkoj që e mira të më bjerë shi nga qielli
Por kërkoj që kur u linda, hisen time prej vërteti.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.