ISHA UNË DHE TI nga Merita Panariti

Merita Paparisto

ISHA UNË DHE TI

Isha unë ajo pika e gjakut
rënë mbi jakë të këmishes tënde.

isha unë që të levrija ndër deje…
valvolat e zemrës.
Unë t’i mbaja hapur me të dyja duart
dhe ty të mungonte ajri në mushkeri.

Isha unë që të tërhiqja
miliardat e pikave të tjera
që rendnim të tërbuara në trupin tënd.
Unë të bëja të ndizeshe
rrudhave të trurit tënd,
unë t’i sillja endrrat,
unë ti zgjoja agimet…
Unë,
Unë ta sillja dhimbjen e ëmbël
dhe ti ishe.

Isha unë në kapilaret që të skuqnin sytë,
unë në kordat e zërit tënd,
unë, në damarët e gishtave që të dridhëshin 
kur cigarën shtrëngonin në ethe.

Isha unë, 
unë të shëtisja nga maja e gishtit
në fijet e flokëve.
isha unë që doja përjetësisht të qëndroja
brenda teje
dhe ti ishe.

Isha unë ajo pika e gjakut
që ra mbi jaken e kemishes tënde
dhe ti e mblodhe me rrobat e palara
në fundjavë…
e dergove në lavanderi
dhe…
e lave!

PËRRALLË NGA E KALUARA

Në muret antike të kujtesës,
myshqet e harresës harlisur rriten.
Në zgavrat vënde vënde nuhas netët…
të ngrohtat netë të plazhit
me frymëmarrje hëne.
Më shfaqesh ti pastaj,
që si ujk pas saj ulërije
trupin shpërtheje…
lëkurën pranë meje lije në shtrat
dhe pas erës së hënes bridhje…
Ndërsa unë…
une bareshë pa krrabë,
me fërshëllima
përpiqesha të të ndillja në prag.
…………………………………….
Kulprat varen mureve të kujtesës
Tejzgjatur deri në ditën
kur të gjithë ujqërit
i mbylla në lëkurën tënde.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.