DITA E PARË DHE E FUNDIT nga Adem Gashi

Adem Gashi

DITA E PARË DHE E FUNDIT

Ngarendin ditët dhe vjen Dita e parë e jetës
Kur ti s’ishe, po tani je,
Pastaj Dita e parë e hapit të parë
Dita e parë e shqiptimit të fjalës Nanë
Dita e parë e shkollës
Dita e parë e diplomës
Dita e parë e dashurisë së parë
Dita e parë e punës
Dita e parë (mos qoftë e thënë) e marrëzisë së parë
E dështimit të parë, cigares së parë, birrës së parë.

Ka edhe “Ditë pa gjë” si titulli i një librit tim,
Ditë të dashurisë janë të gjitha të tjerat.

Dita e parë e martesës
Dita e parë e fëmijës së parë
Dita e parë e mbesës a nipit të parë
(Domethënë Dita e parë e gjyshërimit),
Dita e parë e lënies së punës
(Domethënë Dita e parë e pensionimit)
Dita e të shuemve… (e lëmë këtë mënjanë)
Dhe Dita e parë, që domethënë, E fundit
Kur në fund të fjalisë dëftore vihet një Pikë (.)
Dhe ti s’flet më, po flasin të tjerët për ty.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.