JANI RICOS nga SULEJMAN MATO

Sulejman Mato

Kur u ndezën fanarët

Kur u ndezën fanarët ne nëpër rrugë vrapuam
duke i bërë çdo kalimtari të njëjtën pyetje:
-Ku është ajo?
-Mos e patë atë?

-Cilën “atë”?
– Ja, ishte një vajzë me fustan të kaltër
qëndisur me lule prilli…

Joo! Atë askush nuk e ka parë
dhe askush nuk e ka takuar.

Veç një plakë te kryqëzimi i rrugëve na tha:
-Kërkojeni ku mbyten drurët mbi lumë
dhe ndizen e shuhen
dy yje pëllumbash.

Harrim

Shtëpia me shkallën e drunjtë dhe portokajtë
përballë malit të kaltër.
Nëpër dhoma sillen butë rrethinat.
në dy pasqyra pasqyrohet cijatja e zogjve.
Vetëm në mes të dhomës së gjumit janë braktisur
dy pantofla pleqsh.
Kështu, me të ngrysur, të verbrit kthehen shtëpive tona,
për të marrë ndonjë plaçkë që e patën harruar.

Një shami dore, një jelek, një këmishë, dy pale çorape,
dhe, ndoshta nga humbja e kujtesës apo nga pakujdesia,
marrin me vete dhe diçka tonën. Të nesërmen
postieri kalon para portës sonë pa u ndalur.

E thënë qartë

Në çastin që po ikte, u ndal te porta :”E dini, tha,
kam harruar t’ju them më të rëndësishmen.
por, edhe tani që e kujtova, më doli sërish nga mendja.
Ju kërkoj ndjesë.”

Ne pamë njeri tjetrin. Nuk thamë asgjë. Ndërsa ai
tërhoqi portën pas vetes dhe doli në kopsht.
E shihnim nga xhamat e dritareve, tek largohej
ngadalë, mendueshëm, me duart në xhepa.
Befas hoqi pallton (ishte i sigurt që e shihnim)
dhe ia hodhi statujës mbi supe. U kthye,
trokiti mbi xham, buzëqeshi dhe tha:
“Ja, këtë kisha për t’u thënë.
”Na buzëqeshi sërish
dhe iku me hapa të lumtur fëmije.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.