JE SHI DHE DIELL PËR MUA nga Vullnet Mato

Vullnet Mato

JE SHI DHE DIELL PËR MUA

Grua, je më e liga dhe më e mira nga të gjitha,
se kur gabimin e kam pasur unë e të drejtën ti,
fajin e kemi ndarë përgjysmë, nga dëshira,
të puthemi, sikur s’ka ndodhur gjë me ne të dy.

Britmat i kemi shuar mes dhëmbëve të njëri-tjetrit,
të dukemi në lagje, sikur bëjmë pëshpëritje lutjesh.
Shtratin kemi pasur varkë të vetme në mes të detit,
ku dallgët e jetës i kemi përzier me furtuna puthjesh.

Me ke vështruar shtrembër, pa folur një javë bashkë,
kur ke pikasur ndonjë buzagaz bukuroshesh të ëmbla.
Të kam përgjuar dy javë, kur dikush të vinte përqark
dhe prapë, si gjethe vjeshte i kemi fshirë nga mendja.

Kur s’ke dashur kurrsesi, të shtosh fëmijë të tjerë,
kam përdorur padrejtësisht, përdhunën në dashuri.
Por ka ndodhur, pas lindjes së ngjizur me sherr,
beben e kemi rritur bashkë, me shumë përkëdheli.

Me ke mallkuar si burrë, pa kujdes në të shpenzuar
dhe më ke lavdëruar më shumë nga sa vlej si njeri.
Të kam sharë farefisin, për huqet që ke trashëguar,
dhe të kam ngritur lart, për kujdesin tënd në fëmi.

Kemi nxituar dikur të shkojmë për të bërë divorcin,
dhe kemi grisur kërkesën, si të ishte letër ambalazh.
Natën më ke kërkuar buzët, të kam kërkuar gjoksin,
sikur pas kurorëzimit, jemi martuar rishtas bashkë.

Grua, je më liga dhe më e mira, nga gjithë gratë,
je për mua shiu me breshër dhe dielli rrezeartë!…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.