Delo Isufi Seraj

Delo Isufi Seraj

JEMI KREJT NDRYSHE

Kur më thonë që e dashura jote,
Me një tjetër ka rënë në dashuri,
Mendoj që bukuria e kësaj bote,
Është ndryshimi që ka çdo njeri.

Të dy jemi ndryshe, krejt ndryshe,
Në mendje, fytyrë dhe në shtat,
Si mik ta them, pa mëdyshje,
Nuk të urrej, atë s’e kam inat.

Paçka se kravatën s’di ta lidhë,
Pantallonat hekur s’i kanë parë,
Sapuni harron t’i shkoj në fytyrë,
Këmishën e hekuros pa e larë.

Kur e shoh që të pret në rrugë,
Gjithë femrat i përpinë me sy,
Të them të drejtën më vjen turp,
Ngurroj që të takohem me Ty.

Jemi miq, të flas pa ndrojtje,
Kafe të shtunave, me Ty do pi,
Të njoh mire, nuk është shija jote,
Por Ti, si e pranove shijen e atij ?

Vërtet që paret ai i derdh lumë,
Dhe libra kurrë nuk ka lexuar,
Unë dhe ai ndryshojmë shumë,
Ndoshta dhe Ti ke ndryshuar !?

Nuk jam xheloz dhe as cinik,
Por marrëzia jote më habiti,
Një vajzë si Ti me kaq sqimë,
Të bëhet shtrat i një fëlliqi.

Ti mbetesh e mirë, prap e mirë,
Dashurinë time unë nuk e shes,
Por ai më duket tepër i pështirë,
Tek femra dhe dreqi paska pjesë.

PSE MA PRISHE MENDJEN

Pse ma prish mendjen,
Ca e kam të prishur,
Mos për kokën tënde,
Se jam në të ngrysur.

Nuk dua që zemrën,
Ta lesh peng tek mua,
Dhe as zemrën time,
Peng ta lë nuk dua.

Mos ma prish mendjen,
Mos thuaj: “ të dua “,
Ca e kam të prishur,
Nuk dua të vuaj.

Mos për kokën Tënde,
Mos thuaj: “ të dua “,
Mos ma prish mendjen,
Do më vdesësh mua.

NETËT PA HËNË

The një fjalë edhe heshte,
Nuk e di ç’le pa thënë,
Atë natë të bukur vjeshte,
Atë natë vjeshte pa hënë.

Atë fjalë unë s’e besova,
Bëre bè për kokë të nënës,
Unë flokët të ledhatova,
Të verdha në bojë të hënës.

Për çdo mot kur vjen vjeshta
Dhe kur nata është pa hënë,
Dua të kthehem te vreshta,
Të të kthej puthjen e dhënë.

Sa fjalë mbetën pa u thënë,
Unë do vdes dhe nuk i di,
Sa herë vijnë netët pa hënë,
Hënë në qiell shfaqesh Ti.

…UNË JAM E GJALLË

Të rinj ishim ne at’ mot,
Kur u grindëm për hiçgjë,
Ajo e sertë, unë kokëforte,
Dhe u ndamë përgjithnjë.

Dashurinë e varrosëm,
Pa i shkruar asnjë llaf,
Dhe një kryq i vendosëm,
S’kish nevojë për epitaf.

Një ditë kalova nga varri,
Ta shikoja ç’bënte vallë,
Ajo tha-“Ju keni vdekur,
Ndërsa unë jam e gjallë”

LE TË VDES

Pres të grindem me Ty prap,
Të më thuash, jo, nuk dua,
Dhe pastaj të ikësh me vrap,
Të të kap, të të marr në duar.

Dhe të lozim e të qeshim,
Sikur të ishim dy fëmijë,
Yjet mysafir t’ i presin,
Edhe hënën kur të vij.

Me shaka Ti të më thuash,
Si s’ u bëre njëherë serioz,
Unë sërish të marr në duar,
Dhe të puth gushë e gjoks.

Dhe të puth e të përqafoj,
Të hedh lart dhe të pres,
Dhe pastaj e dashur moj,
E kam hak, le të vdes.

BUKURIA

Sa sinonime ka për fjalën “Bukuri”
Por mua më duken të gjitha të kota,
Se Ti qëndron mbi ‘to me madhështi,
Mbi të gjitha bukuritë që ka bota.

Ashtu krenare dhe herë e shkujdesur,
Nga sytë e Tu shkrep dritë bukurie,
Si rrezja e diellit mbi lulen e vesuar,
Që e puth në ag, në muzg i bën hije.

Pra, e tillë je o e shenjta bukuri,
Ndjenjat trazon në shpirt të kulluar,
Dhe ëndrrat Ti i fsheh në gji,
Dhe zjarre Ti i mban mbuluar.

KU HUMBE TI

Kohë u bënë pa dëgjuar,
Zërin Tënd melodi,
Nuk e di pse ke harruar,
Ku je fshehur nuk e di ?

Mbrëmjeve kur cicëroje,
Gjithë zogjtë vinin aty,
Bashkë me ‘ta Ti fluturoje
Ku ke humbur, ku je Ti ?

Vite kam pa e dëgjuar,
Të kanarinës melodi,
Vallë ku ke fluturuar,
Ku e ke folenë Ti ?

Unë e di që TI një ditë
Për mua do ndiesh mall,
Eja, zbrazi meloditë,
Do i dëgjoj atje në varr.

SORKADHJA

Në fshat njoha një sorkadhe,
Nga shoqet dallonte shumë,
Ish e bukurë, ish krenare,
Mbrëmjeve lahej në lumë.

Çdo mëngjes kur kalonte,
Mua s’më shikonte fare,
Dukej sikur fluturonte,
Bukuroshja nazemadhe,

Nëpër fusha e në male,
Unë e prisja në çdo shteg,
Po ta kapja atë sorkadhe,
Për nuse do e merrja vet.

Bëra pritë te shtegu i dhive,
E zura, zbuta pak e nga pak,
Atje tek burimi në korije,
Erdhi sorkadhja një natë.

B A R E S H A

Ecja malit kot më kot,
Nga mërzitja, nga nxitimi,
U bë vapë e u bë ngrohtë,
Humba udhën nga hutimi.

U shfaqën gardhet e stanit,
Qentë lehën në zinxhirë,
Doli bija e çobanit,
Ujë kërkova për të pirë.

Më mori, më futi brenda,
Nxori një kusi me dhallë,
Mbuluar me fier tenda,
Gush’ e saj bor’ e bardhë.

Vështrimet u gërshetuan,
Nga dora i ra sapllaku,(1)
Mos, të lutem, tha hutuar,
Por vështrimin nuk e flaku.

Mos e mos, vetëm mos,
Unë heshta, vetëm heshta,
Të të bëj përshesh me kos,
A me qumësht, tha baresha.

Apo do kulaç me gjalpë,
A byrek me lakra mali,
Të të mbush një kupë mjaltë,
A një çetur me urlë stani ?(2)(3)

Mos e mos, tha përsëri,
Se vjen nëna nga mulliri,
Dhe babai mund të vijë,
Ik se po ikën dielli.

I hodha dorën në qafë,
Ajo heshti, vetëm heshti,
Buk’ e dhallë më vu në trastë,
Dhe një palë çorape leshi.

Ika, më ndoqi nga pas,
Këmbët e saj aq të lehta,
Një puthje unë i dhashë,
Faqeprush u bë baresha.

I premtova do vij prapë,
Kur të jem me pushime,
Por një vit ishte larg,
Ish një vit plot studime.

Kërkova faqes së malit,
Nëpër gurë e nëpër shkrepa
Gjeta gjurmët e stanit,
Çobaneshën nuk e gjeta.

Nuk lashë vend pa e kërkuar,
Stan më stan e fshat më fshat,
Ndoshta ajo ish martuar,
Ndoshta kish mërguar larg.

Vitet ikën dhe ajo mbeti,
Nëpër vargje, nëpër rreshta,
Dhe një palë çorape leshi,
Kam kujtim nga baresha.

Delo Isufi, botuar në librin e gjashtë me poezi “Tavolina e Rezervuar”
(1)Sapllak – Enë prej teneqeje, alumini, zinku etj., me vegjë, që përdoret për të pirë a për të marrë ujë a lëngje të tjera , dhallë, qumësht. (fjalë shqipe)
(2)Çetur -Enë e drunjtë në trajtën e një kupe me bisht, në të cilën mbajnë bulmet ose ndonjë ushqim tjetër; kupë e drunjtë. (fjalë shqipe)(3)Urlë- Qumësht i zier me kripë që mbahet gjatë në napë ose në kacek, të cilit i hedhim herë pas here qumësht. (fjalë shqipe)

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.