JO VETËM PËR FESTË
Sonte lërja erës flokët në dorë,
të vallëzoj me to e t’i bëj lule fushe!
Parfumin zgjidhe nga çaji mbi Tomorr,
trendelinat zgjidhi për medalion gushe.
Vishu sa më thjeshtë ti sonte për mua,
lër ca hire jashtë, t’më shtosh pakëz jetë!
Unë do pi pa merak te krojet e tua,
pastaj do derdhem në ty, si Drini në det…
Si pyjet e Amazonës do çelësh pas shiut,
nuri yt do lëviz edhe të vdekurit në varr,
do shkrijë edhe Oqeani i Ngrirë i Veriut
pastaj do kemi lule, degë edhe lastarë…!