Ka ditë nga Agim Bajrami

Agim Bajrami

Ka ditë

Ka ditë, që s’ndihem si më parë
Dhe kjo mendoj, e ka një shkak
Lëngjet që rrjedhin në lastarë
Edhe tek unë ndikojnë nga pak.

Fanari i portit më shkel syrin,
Nuk më shikon më me dyshim
Ndofta i ngjaj si një anije
Që bëhet gati për lundrim.

Dhe mua ashtu më duket vetja,
Ndaj as një presje nuk i heq
Ky dimër bëri shumë i sertë
Dhe rrugët shpesh m’i zuri keq.

Tani erdh koha për të dalë
Ta prek pranverën vetë me duar
Të ndërroj me trungjet ndonjë fjalë
Se mjaft kam ndenjur i ngujuar.

Mos më kërkoni më të ndalem
Se askërkujt nuk i ndaloj
Mua më deh parfumi marsit
Dhe nuk kam turp, që ta pohoj.

Më çmendin sythet e parritur 
Të mollës në oborrin tim 
Unë kam kaq kohë, që i kam pritur
Por vetëm sot më lanë takim.

Ka ditë, që s’ndihem si më parë
Ndonëse në pamje ngjaj i qetë
Lëvizin lëngjet në lastarë..
Dhe bota fjalë pranvere flet.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.