KALI IM PREJ BORE nga Adem Zaplluzha

Adem Zaplluzha

KALI IM PREJ BORE

Sërish desha ta kalëroj
Kalin tim prej bore
Por si t’i kapërcej këto male
Kur secila hije
Më vret e më poshtëron në pritë

Çfarë të bëjë me ty
Kali im prej shakulline
Si mund të mbërrimë deri te majat
Pa i hipur njëri-tjetrit
Kali im prej bore

Edhe kjo stuhi e rreptë
Një ditë do kaloj
Si të gjitha tufanet e tjera
Por ti kali im prej bore
Mos ia jep askujt mëgojëzat e tua

Një ditë do të na duhen
Shumë do të kemi nevojë
Që me forcën tënde prej kali
T’i rinovojnë njëherë e përgjithmonë
Këto shembje të rënda shpirtërore.

AS RRUGA PËR NË GOLGOTË

Më duket se nga një sëmundje e keqe
Paskan marrë ilet viset
Pranë çezmave të shterura
Shoh qen të sëmurë
Dhe mace që ngordhin në çdo kohë

Kërma derrash e lopë duke pallur
Nga etja e madhe
Po qahen drurët e po thyen gurtë
S’pushojnë as hingëllimat e kuajve
Nga lia e shpirtit po kalben pragjet

Si i lënë nga mendja bredhi rrugëve
Këmisha më është grisur
E më janë çarë shollat e këpucëve
Nga thonjtë e paprera
Me vrushkuj të nxehtë pëlcet gjaku

Edhe pak hapa kanë mbetur
Ndoshta do mbërri në fund të rrugës
Ose mos jam vallë në ëndërr
As rruga për në golgotë
Nuk ka qenë më e vështirë se kjo udhë.

DËGJOHET NDONJË KRAKËLLIMË KORBI

Nëpër lagjet e boshatisura
Drynat e lodhura i hapin sytë
I hapin dhe shikojnë kah zbrazëtira
E vdekur para pak kohe

Asnjë njeri nëpër rrugë
S’ka as mace që mund të na prenë udhën
Vetëm disa vargje hudhrash të fishkura
Nëpër dyer përkunden me elegancë

Aty këtu nëpër çatitë e rrënuara
Dëgjohet ndonjë krakëllimë korbi
Edhe të lehurat kanë pushuar
Askush nuk kalon këndej pari

Më herët kalonin ushtarë dezertorë
Postier sharlatan e prostituta
Tani si pluhuri nëpër rafte
Çdo gjë është mbështjellë nga heshtja

Këtë fat e paska qyteti im
Rri mbështjellë me një pëlhurë të zezë
Dhe pret kthimin e zogjve të plagosur
Derisa nuk i thinjet qimja e fundit e flokut.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.