KANË VDEKUR nga Martin Cukalla

Martin Cukalla

KANË VDEKUR

kanë vdekur poetët modernë
ata, të vërtetët poetë, kanë vdekur vërtet.

shkonin për ditë tek njeri tjetri të shkretët,
të vdisnin e quanin punë të vështirë
të rronin?! e pamundur të rronin pa pirë!
jeta ishe një vrasëse,
kishte trup, kishte sy, kishte gojë e fliste papushim
le të themi që qe peshkaqen me taka të larta
tërbim.

dhe ndaheshin në mesnatë, përherë në mesnatë
në mesnatë poetët
të pirë tashmë
të zhveshur
duke kërkuar shtratin e vjetër
duke kërkuar vargun e artë
dhe vajzën e artë patjetër
shurronin të dehur nëpër terre taksishë
flinin poshtë dritës së Hënës në stolat e parqeve
kurvat i mbulonin me pelerinë
policët nëpër qelira i rrasnin…i rrasnin…

kështu pyesnin pluhurin, kështu pyesnin dherat,
kështu pyesnin të vdekurit shtrirë nëpër udhëra
e tek shkarravisnin mandej poemat
u dridheshin duart…

nëpër amballzhet e lyrosura të hamburgerëve të mykur
i shkruanin poemat e tyre dhe për dreq, dhe për zjarr,
dhe ua lexonin mbrëmjeve nëpër taverna miqve të dehur.
habiteshin tek shinin lotë nëpër sytë e mekur…

nëpër qytete me bume tërbimi fitimesh e drita verbimi
ata recitonin në rrugë e në sheshe harbimi
vargje të vështirë dhe poema të cmendura
për lagjet e bamirësisë që u derdhej gjaku nga goja,
për spitalet e vdekjes,
e për makthet që thirreshin ëndërra.
kurvat i qerasnin me birra të thartuara
dhe i përgëzonin për atë pak ngrohtësi të dhuruar…

nuk kishin dert ata t’u ulurisnin me vargje të pakrasitur
edhe miliarderëve, edhe presidentëve të tredhur e goditur.
nuk kishin marre t’u këndonin homosekualëve,
a të përqafoheshin shesheve të endjeve të biseksualëve.

i binin jetës kryq e tërthor atje ku ishte dhimbja,
e kënduan jo për castet e fundit të heronjve e trimave.
mbartën nëpër vargje klithmat e fundit të të vrarëve
nëpër luftrat e pseudozhvillimit modern të të gjallëve
bota, thanë ata, bie erë tërbim e urrejtje
atje ku ka më shumë drita e lluks
ka më shumë kufoma, fitime, llumra dhe etje…

eh, vdiqën poetët modernë, të vërtetët vdiqën vërtet,
dhe lanë botën tejembanë më të varfër
dhe lanë jetën qytetare të shkretë,
më të shkretë…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.