KANTILËN E LID* nga Durim Çaça

Durim Çaça

kantilenë, 1

të mbledhësh në grusht kulmet
ku fjala ësht’ e thjeshtë
dhe e thjeshta,- muzikë
ku muzika ësht’ aromë
e aroma ësht’ ngjyrë
ku ngjyra ësht’ tingull
e tingulli ësht’ i thjeshtë
ku e thjeshta ësht’ e gjallë
dhe e gjalla ësht’ kulm

e nga e para frym’ të marrësh…

kantilenë, 2


hym’ në shtëpi e deshëm t’mbyllnim dyert
por u puthëm
e harruam t’i mbyllnim

u afruam në terr të ndiznim dritën
seç u puthëm
e harruam ta ndiznim

mbushëm gotat me verë reisling
por u puthëm
e harruam të pinim

kërkuam të mbështeteshim diku
ah, u puthëm
e s’u mbështetëm askund

zjarrit ton’ i rridhnin djers’ të ndritshme
me hënën hapur plagë
në ajth të bukurisë

dolëm nga shtëpia e deshëm t’mbyllnim dyert
seç u puthëm
e harruam t’i mbyllnim…

LID*, 3

lulëzimi nëpër ajrin e ngrohtë i bajameve e narcisëve
ritmi që ësht’ një formë e gdhendur në kohë
hyjnia që e besojn’ veç ata që jan’ dhe vet’ të hyjnishëm

e jeta në egzil që ësht’ larg përngaherë
se s’ka atdhe në hapësirë, por në kohë, mite
legjenda, këngë

magjepsja prej vdekjes, kërkimi i yjeve alpinë
mplakja e kujtimeve e ideve njëlloj si vyshkja e njerëzve
fytyra e zëmbakt’ e gjysmëmuzgut, floriri vjeshtak i vidheve

e alfabeti që u krijua prej një gruaje fenikase
që donte të burgoste kohën
që ikte

qetësia e një flladi mbrëmjesor në një ishull të vogël
një tusht aventure n’afsh rreziku e lirie
rënkimi që ësht’ një nga emrat e Zotit

e dilemat e anashkaluara në mendjen e brishtë
n’agatin e zi të natës, me shkëlqimin verbues
të një puthjeje të pamëshirshme

kokat e ajkëta të përkulura të bozhurëve në furtunë
arti i memories në haren’ e ethshme të pranverës
fjordet e fjalëve nëpër shqopishtet e kuqe

e të gjith’ gjallë, të klasifikuar thjesht
sipas thellësis’, depërtimit, aromës, parfumit, shijes
e rrahjeve të zemrës

lulëzimi nëpër ajrin e ngrohtë i bajameve e narcisëve
ritmi që ësht’ veç një formë e gdhendur në kohë
hyjnia që e besojn’ veç ata që dhe vet’ jan’ të hyjnishëm…


**Lid, ( nga gjermanishtja, lied, në shumës, lieds), është një zhanër i këngës popullore lirike romantike gjermane të shekujve të 18- 19-të; (përmendim në muzikë, stilizimet në Lid-et e Shubertit, por dhe në letërsi, stilizimet në Lid-et e Hajnes). Natyrisht, titullimi i këtij teksti tonë poetik dhe, në vijim, dhe i të tjerëve, deri tek Lid-i, 13, të këtij cikli të ri, nuk ka asgjë të përbashkët me teknikën e metrikën artistike të këtij zhanri, por paraqitet thjesht, si një emërtim formal i një ndiesie tonë estetike.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.