KARENINA E EGJEUT nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

KARENINA E EGJEUT

-fragment-

Nëpër dyqanet e pakët kishte lëvizje. Ora po shkonte rreth dymbëdhjetës dhe turistët nxitonin kush nëpër restorante e kush të bënte ndonjë blerje për drekën. Isha i ri dhe sytë më binin mbi fundet e hollë me parfum ere, ku shkëlqenin këmbët ngjyrë çokollate. Më vinte ndërmend një mik nga qyteti im që kishte bërë një hajku të bukur për pranverën dhe llëret e e çliruara të këmbëve të grave, por nuk më kujtoheshin vargjet siç i kishte stisur ai. Disa mbanin tuta të shkurtra dhe të ngjante sikur qenë bërë të gjitha njëzetë vjeçare. Me të reja dhe me të vjetra kishin një purpur të trëndafiltë në faqe. Nën kamishat e holla pa sitjena seç u lëviznin ca muskuj të gufuar, që të cingëlonin vështrimin e syve. Me sytë e lëshuar sa mbi to dhe mbi rrugë pa i dhënë shumë rëndësi, hyra në një dyqan veshmbathjesh,

Shitësja disi e moshuar erdhi dhe më pyeti se mund të më ndihmonte.

– Ohqi!- i thashë, – nuk është nevoja, – dhe ju drejtova kanotierave, bluzave dhe të mbathurave. Të parat që i duhen një “emigranti”.

Mora nga pesë a gjashtë palë pa u dhënë rëndësi ngjyrave, duke përjashtuar të bardhën dhe të kuqen në të mbathurat dhe i vura në banak. Kujdesi pikant i treguar për ngjyrën e të mbathurave i ra në sy shitëses që ishte një çapkëne në miqësinë me klientët.

-Deshe gjë tjetër? – më tha papritur në shqip.

– Ohqi, – i thashë prapë, për së dyti, duke tundur kokën.

-Nuk jam e martuar, – më tha.

-Jeni shqiptare?

-Jo.

-Po ju po më flisni shqip. Shqiptaret martohen te reja, ja bëra unë çorbën që më bëri ajo, kur më tha nuk jam e martuar.

-Këtu ka shumë që po të duan, mund të flasin shqip.

-Puna e tyre.

-Ty nuk të pëlqen?

-Për mua është gjë e mirë, po ti nga e kuptove që unë jam shqiptar?

-Po ti nga e kuptove qe jam e vjetër?

-Nuk e thash atë gjë.

-Pagova dhe bëra të dilja ndërsa në hyrje u ndesha me një mesoburrë me mustaqe.

Shitësja po qeshte. Unë po rrija në këmbë duke pritur që burri të linte portën të lirë, por ai nuk lëvizte.

-Italian? – pyeti shitësen për mua.

-Jo i thashë, jam shqiptar.

Ai rrudhi buzët.

-Më tha “ore”, vetëm “ore” dinte, – i tha shitësja.
-Po ti?
-Ti e di, “oqi”, “ohqi”! Këto janë fjalët e mia.

-Po ndaxsi? Ku po shkon? Ke ardhur nëpër male? – mu drejtua mua.

-Nuk jam ujk të bredh maleve, – thashë. Nuk e kam mësuar, ende atë rrugë, derisa ju nuk do të zini burimet dhe rrugët e fushave me tela.

-Ke?

-Rrugën nëpër male.

-Prandaj ke hyrë në këtë dyqan? – mu drejtua ai mua. Pastaj shitëses : -Po ti çfarë i the tjetër?

-I thashë se nuk jam e martuar.

-Po ky?

-Më tha se shqiptarët martohen të reja.

-Po tjetër?

-Tha që nuk e tha fjalën se unë jam e vjetër. Gjë që duket.

-E the? – më tha mua burri me mustaqe në derë.

-Nuk ju kuptoj, – thash. -Kur është një gjë që duket dhe nuk do kallauz.

-Nuk e kuptova, – tha.

-Edhe për këtë ka një arsye, – thash.

-Edhe ne jemi me origjinë shqiptare, – tha ai. Kjo është gruaja ime dhe i bën dy – tre shaka me klientët që blejnë rrobat tona.

-Ashtu? Gjë e mirë, – i thashë. – Mund të bëj edhe tre, sepse ajo edhe di të bëj shaka. Por ju, nuk dini të bëni shaka dhe është mirë të mos i bëni. Shakatë në anët e mia bëhen me njerëz që njihen, – thash dhe kujtova shakatë e forta me vlonjatin në shtëpinë e tij buzë detit, për trapin që ai kishte ndërtuar me drurë të thatë.

-Po, por njerëzit nuk ngatërrojnë rrugët e njerëzve me rrugët e ujqërve. Më vjen keq që thua se je me origjinë shqiptare, kur origjina juaj është vetëm tregtare.

-Njerëzit duan të blejnë dhe të qeshin.

-Mua jo, – i thashë, – sepse në blerje dhe në shitje jam i kujdesshëm. Po të llapnin të tërë si ti, njerëzit vërtetë do ti ngjiteshin malit dhe nuk do të zbrisnin si arinj, por si ujqër. Unë përfaqësojë atë të njerëzve.

Ai ngriti kokën dhe më pa vëngër.

-Mirë, – i thashë, – për të paguar, pagova edhe në para edhe në shaka, tani po ju përshëndes!

-Jassus! Thanë të dy ata, tregtarë burrë e grua, duke mbetur si mbi spec.

-Po prit, – tha burri, – çfarë pune di të bësh?

-Nuk kam ardhur për punë, – i thashë, – ndërsa mu kujtua që më priste për drekë.

-Kur të kesh nevojë, duku këtej, – më tha ai prapë. -Ne të ndihmojmë.

Unë mora trotuarit që ndante me rrjeta të ulëta metalike rrugën nga kopshtet e mbjellë dhe u drejtova për nga shtëpia ku më prisnin për drekë. Me vete analizoja gjysmë ditën që kishte filluar që në katër të mëngjesit. Nuk kisha bërë asgjë. Por intensiteti me të cilën kishte kaluar koha ngjante se gjysmë dita kishte më tepër se një javë në barkun e saj, ishte e gjerë. Të gjithë thonë dhe ankohen se jeta është e shkurtër. Unë sot do të thosha krejt ndryshe. Mërzia, fërkimi në dialog rrotull e rrotullës të krijojnë stres. Hapat behën të rëndë, frymëmarrja behët e rëndë, veprimet pa lëvizje kuptimi. Krijohet një bosh në kokë dhe në stomak. Të duket sikur nuk pulson zemra por stomaku. Dhe stomak të gjerë kanë kafshët dhe jo njerëzit. Shakaja e shitëses me burrin e saj në dyqanin e veshjeve të holla më dha një tjetër humor në frymëmarrje. Më vinte të fishkëlleja një melodi të hershme që fishkëlleja në viset e mia për një vajzë. Më dukej sikur isha atje, si për nga bukuria e vendit dhe si për nga ngrohtësia që ndjeja në kontaktet me njerëzit. Edhe kur isha buzë detit më vinte të fishkëlleja një melodi të lehtë, sikur të thërrisja një vajzë. Atje ishte një çadër e largët, ose një mijë varg me të tjerat që syri im i bënte simetri. Këtu deri tash nuk ka asnjë vajzë pranë meje dhe unë bëj një simetri nëpër kohë nga vajza e rinisë sime. Kur nuk ke gjëra reale jeton me kujtime. Ajo quhej …
-fragment nga romani “Karenina e Egjeut”

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.