KËNGA E ÇOBANKËS nga Ymer Nurka

Ymer Nurka

SUBLIME

Në det thellë mike të zhytem
Për dy perla kuturu
S’ia vlen aspak, aspak të mbytem
Veç në qofshin syt e tu.

Në mal të lartë, mike të ngjitem,
Për një yll, që do të ndez
S’ia vlen aspak, aspak të vritem
Veç në qofshin syt’ e zes

Të ec në mjegull e në shi
Për të parë një ylber
S’ia vlen moj mike, kurrsesi
Veç për belin, si qemer

As të shkel në shkretëtirë
Për të gjetur një oaz
Jo, s’ia vlen të ngel i shkrirë
Veç për tëndin buzagaz

Të hyj në xhungël, ku s’do mënd
Më pret një tmerr e një llahtar
Veç në gjetsha, flokun tënd
Valë-valë e fije ar

As të mardh mbi akullnaja
Nuk ia vlen asnjë shpërblim
Veç në gjetsha n’ato maja
Buzën tënde, si rubin

Gjithë thesaret në i gjetsha
N’ato maja, n’ato vende
Ardhtë gjumi e mos fjetsha
Jo, pa gjetur zemrën tënde

KËNGA E ÇOBANKËS

O kjo tuf’ e dhënve, mbushur me shqerrakë,
Nisur, për ku nisur, për në mal të lartë,
Çobani ngarkuar, o me dy vandakë,
Një, e mban për bijën, një, për nënën plakë.

Ah kjo mëndja jote, mbushur me sekrete,
S’mendoje për botën, mendoje për vete,
Ndërsa nën sqetull, mbaje dy sepete,
Njërin, plot me këngë, tjetrin, plot me derte.

Çobankë të thonin dhe pse kishe emër,
Gërshetat e gjata, gati përmbi thembër,
Me mamanë u grindje, si të ishe shemër,
Babai të deshte, si gjaku në zemër.

E vogël më ishe, të madh kishe namin,
Mbi kupkë të gjurit, më mbaje filxhanin,
Kur kaloje lumin e zgjidhje kollanin,
Mbi pulpën bardhoshe, më ngrije fustanin.

Mandilen me lule, ç’e lidhje në grykë.
Mos e shtërngo xhane, se pastaj të mbyt!
Dy kyçet e dorës, plot me byrzylykë,
Kush të pa çobankë dhe s’i mbetën sytë?


STANARE

Burimi që rrjedh ndër ledhe
Që kur dole, që kur leve
Mjaft or mjaft tokën e krreve
U bëre qejfin rrëkeve!

Burimi që rrjedh me shkumë
Boll or boll, se s’bënesh lumë
Mjaft or mjaft më bëre zhurmë
Se më zgjon qënin e murrmë!

Pllajë moj me lule shumë!
A s’mi vë shqerrat në gjumë
Se vjen syzeza në shtrungë
E më hap të madhe punë!

Me belin që s’di ta tundë
Me gjinjtë si arra gungë
Me fillin që s’di ta humbë,
Do shtrojmë sevda mbi gunë.

Do rrimë hundë më hundë,
Sherrit do t’i nxjerrim fundë
“Kush je ti?” e “Kush jam unë?”
Njëri-jatrin kush do mundë.

DUEL DASHURIE

Poshtë zbret lugina, lart çohen dy çuka
Fllad të çon Veriu, zefir dërgon Juga
Sytë hedh tek xhami, dritares nga rruga
Merak ke nishanin, bela ke dy quka..

Mbahesh kësaj jete, si e vetmja muzë
Me frymë magjie, sa kurme ndez shpuzë
Një të kuq të lehtë, vrik e shkon në buzë
Flokët fije-fije, mbledh e bën topuzë.

Bo bo ç’e vërtite, kë po gjuhan vallë
Ç’bandill do, të vdekur, ç’trim do, të gjallë
Ah kjo mendja jote, një çudi e rrallë
Flakën i vë botës, veç të shuash mallë

Se dhe dashuria, ngjan me një betejë
Dikush hedh dorashkën e hiç s’të merr lejë
Të kërkon duelin, zemrën ta rrëmbejë
Trofenë e fituar, nuk ka çmim ta blejë…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.