POEZIA E MERIT JON nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

MERI SHQIP SI FLUTUR

Në këtë det zgjohen sytë e mi,
Në këtë det emër Jon të bukur,
Më flet në shqip, në shqip i flas,
Me Merin shqip si flutur.

Në  Egje dhe ti sytë i hap,
Atje ku the se fitove luftën.
Dhe deshe një fitore më këtej,
Për Merin shqip të bukur.

Luftë deti, e ashpër ajo luftë,
Njëri do  binte dhe unë rashë.
I mundur mora plagët e luftës,
Egje-un e ishuj ty ti lashë.

Egje e ishuj, s’më dhanë të keq,
Por ti deshe një luftë tjetër.
Më erdhi keq që deshe Merin,
Merin tim shqip të ëmbël.

Kjo për mua bënte vdekjen.
E kotë një luftë e re në Trojë,
Po ti ke shkjar për të keqën,
Nga Kali Drurit nuk heq dorë.

Jam i sigurt se Merin nuk e do,
Siç jam i sigurt që do një tjetër,
Ndaj të lash Egje-un  me ishuj,
Me mërinë e një luftë të tepërt.

Ç ‘deshe në luftën e parë,
Thamë që e bërë për detin.
Po në luftën e dytë që do,
Ti nuk e bën për  Merin.

Na ndau nga një luftë tjetër,
Na ndau e mençura jonë Meri,
Tani ti kujton luftën për detin,
Unë puthem shqip me Merin.

Bota do ketë luftëra dhe dete,
Dhe prapë “Kuaj” si ti,
Po nuk do këtë si Meri shqip,
E lashtë dhe poezi.

 DETI DHE MERI JON

E bukur, e vetmuar,
Një barkë në breg i rri.
I rri dhe ti me mua,
E bëjmë një magji.

Nuk është kaq i ngeshëm,
Ky det i thellë pa fund,
Si ne që vetëm duhemi,
Por pa shtëpi e punë.

Merre, barkën, Meri,
Ta bëjmë për ne shtëpi,
Ta bëjmë një kalë reje,
Ta bëjmë lot dhe shi.

Merre barkën, merre,
Ta bëjmë atdhe, A tjetër,
Te ikim nga ky breg,
Ku barkat tunden ethshëm.

Do mund kështu as dreqi,
Këtu të puth një grua,
Siç duhemi ne të dy,
Dhe lodra i bëjmë yjet.

Dy rrema, dy dhe ne,
Do rrëmojmë për ishull,
Me një barkë druri,
Shpirt e sy mërzitur.

Të ikim nga ky breg,
Qe shkon me të ikurit.
Të flinim e të zgjoheshim,
Si këta zogj të ishim.

Do bëhet tragjedi,
Në bëhet Jon i huaj.
Kur detet – luftë o zot,
Dhe ti do më duash.

refreni 1

Merre barkën, Meri,
Merre barkën ti,
Ta bëjmë shqip si flutur,
Ta bëjmë shqip si ti.

Ndofta do na duhet,
Nëse bëjmë fëmijë.
Në gjejmë një yll tjetër,
Ta bëjmë Shqipëri.

Merre, barkën Meri,
Ta bëjmë Ylliri,
Meri shqip e gji,
Ta bëjmë Shqipëri.

Te kam dashtë, të dua
Frymë e far i lashtë,
Merre barkën Meri,
Dhe eja të puth prapë.


refren 2

Merre barkën Meri,
Por qysh do të ikim?
Në na marrin detn,
Me se do të nisemi?

Ne jemi si mbrëmja,
Që pushon në gushë,
Bëhemi engjëj ëndrrash,
Për një diell në buzë.

Në na marrin detn,
Ne na marrin shpirtin,
Me se do të grindemi,
Përse do të ikim?

Ne jemi dy ngjyra
Natë e grusht i kuq.
Merre barkën Meri,
Dhe u-nju të puth!

KËNGA E PESHKATARIT

Ja dhe era, ja dhe deti,
Ja dhe varka ime mbret.
Ja dhe Meri im e bukur,
Aurorë atje në breg.

Ja dhe valët frymë e tyre,
Ja dhe blu e ujit këngë.
Ja dhe yjet që perënditin.
Merin tim që ndrit në breg.

Ja dhe drurët, ja ujëvara,
Ja shtëpiza ime e shenjtë,
Ja dhe Meri im i qeshur,
Mbi gjithçka atje në breg.

Ja dhe nata, ja dhe deti,
Ja dhe dallga më bën luftë.
Ja dhe qielli, ja dhe peshku,
Emingue… e J a dhe unë.

S’do kem gjumë e do drobitëm,
Nëpër natë e gjuajtur peshk,
Meri ëndrra se po mbytëm,
Far mbi far veç ndez në breg.

Gjer agimi kur të bjerë,
E nata pus të bëhet prush,
Si as unë, as Meri s’fjeti,
Meri im, Jon i pagjumë.

ZGJIMI IM

Nga dita ime po të shkruaj,
Me një hare e tjetër zgjim,
Ky zgjimi im, qe shpirti juaj
Mbrëtëroi natën, kthimit tim.

Amshoi valët në varkë e yje,
Stuhinë, në Jugë e fërfërime.
Çdo donit më veçse tu flisja
Në mes të natës me detin tim?

Kur natë e dallgë ra e mundur,
Shuar yjesh zbardhëllim,
Krejt e dita, ma thosh zemra,
Je Ti Meri erëJon e Mirë.

LIBËRISHTE

Kur vinte pranvera, kundërmonte pylli
O pylli yt, që ti e doje shumë!
Po ti kish frikë në pyll të hyje,
Dhe pse dem i shfrenuar bëje ku mund.

Se pylli ishte i thellë dhe i bukur,
Atëherë më kujtohet që ti s’kishe vajzë,
Po ç ‘them dhe unë, ty atëherë,
Sapo të patën mbirë dy brirë në ballë.

Rrokulliseshe në jonxhën e fushës,
Digjeshe për erë manushaqesh dhe çaj.
Aq frikacak dhe i padjallëzuar ti ishe,
Ndërsa pylli kundërmonte era mjaltë!

Pylli dhe ti kishit mëngjese të çuditshëm,
Ai me këngë bilbilash dhe ti pa vajzë.
Po si mund ti kuptoje ti, kur asgjë nuk dije,
Ty sapo të panë dalë dy brirë në ballë.

Pa erdhi një ditë dhe Zoti të njohu,
Në fushë me një sylarushe sy pishë,
Dhe pamë se tu zgjua zjarri që kishe,
Dhe dy brirët e vegjël filluan të rijnë.

Tu shua frika dhe i hyre pyllit me brirë,
Me sylarushe të tjera lije atje takime.
Pije erë çaje, erë tjetër, erëra të magjishme,
Derisa u bërë kafshë e butë zoologjike.

Harrove fushën e gjelbër me jonxhë,
Fusha ku brirët e vegjël të linden.
More pyllin e bukurisë së thellë me brirë,
Ti më frikacaku i pyllit që ishe.

Por, ah një ditë, thanë se brirët i theve,
Duke dash të ikje nga pylli se u bë vonë,
Thanë se dy brirët e tu u bënë libërishte,
Pyll me bilbila dhe fushë me jonxhë.

Kur në pranverë kundërmon prapë pylli
Dhe fusha hap gjinjtë e saj me jonxhë,
Njerëzit heshtin një çast kësaj libërishte
Dhe “pse”-në e brirëve të tu kujtojnë.

MIRUPAFSHIM

Mirupafshim, mirupafshim,
Me ç’ celular t’i  dërgoj të falurat?
Sipër dallgëve të këtij deti
Kaq i bukur, blu i largët?

Mirupafshim, mirupafshim,
Në bregun tjetër s’të gjej ty më,
Në bregun tonë s’do më shohësh më,
Tani erë atje dhe tjetër asgjë.

Tani krehës i erës bën finte,
Që flokët t’i kreh ty me ngeh.
Në bregun tënd dhe në timin,
Erë dhe det, dhe tjetër asgjë.

I vetmuar, i shkretë bregu,
Rërë e guaska, tjetër gjë asgjë,
Mbrëmjet kur zbresin me veshje,
Me guaska kujtimesh vishen atje.

PO PSE KAQ VONË?

Po pse kaq vonë kur e dije që të prisja,
Në pyll dhe e fundit gjethe u shkund!
Këtu në qytet trafiku shkoi në tiltë
Dhe thonë se zmogu do bëhet më i butë.

Kështu thonë gjithmonë ata që vënë semaforë
Dhe ne që i thyejmë përditë, ne të gjorët.
Po ti duhej të kishe ardhur më shpejtë
Të më shpjegoje karnavalet dhe orët.

Prapë, dhe pse shkoi vonë, bëre mirë që erdhe
Siç e pe më gjete prapë duke të pritur
Dhe nëse shkon se prapë të bëhet vonë,
Unë vonë do të të shoh se më ke ikur.

Kështu ndodh gjithmonë kur ka semaforë
Dhe në që i thyejmë përditë, ne të gjorët.
Po ti bënë mirë që në mua vjen e shkon,
Në tiltë trafiku për karnavalet dhe orët.

SIÇ MË THE TI

Të kërkova në raftet e librave ku më fshiheshe,
Brodha gjithë vjeshtën nëpër rrugica
Titujt e tyre plot pluhur ngrinin supet.
Ngrinin supet qiparisat e vjetër,
Ndërsa në treg shiteshin këpucë për fëmijën
Nëntë vjeçare me sy bojë arre të thyer.

Pi cigare si ty dhe fjollat e tymit bëjnë gjeratore
Në episkaje gishtash të zverdhur.
S’është më mërkatë e vjetër dhe lustraxhiu
Në skaj të saj ka vdekur. Njerëzit prapë
Me këpucë të lustruara dhe syze të zezë.

Prapë komshiu i dehur i bërtiti gruas dhe ditës së verës
Dhe del prapë tek 1 Maji për punë, i shkreti
Dhe po rritën fëmijët e tij që ti i le të vegjël
Dhe ata po kërkojnë si babai i tyre punë.
Po rriten, ja ashtu, po rriten herë me sy e herë me punë.

Kur të vijë pranvera blirët do të çelin,
Po unë do të të pyesja, nëse të ka marrë malli për kumritë?
Do që të të puthemi prapë para universitetit duke qeshur?
Mos e lag më fustanin në ujin e Shkumbinit
Dhe mos pi cigare
Të djegësh Krastën time dhe Kashtën e Kumtrit.

Ku je ti, ndërsa muzgu dhe Bukaniku
Shkundin çibukun e dimrit në ulluqe.
Nesër është e diel dhe pranverë me ditë të gjatë
Për mimozat dhe festen e gruas.
Unë kam mimoza në duar.

Ti do të dalësh në krye të rrugicës?
Nuk do të të leh më si qen si dikur dhe, sigurisht,
Nuk do të bëhem lepur që ty s’të pëlqen,
As gjel deti që ti të ma presësh kokën për dimër.
Unë kam mimoza në duar.

Unë e ndërtova shtëpinë, që ti më flisje dikur,
Me dritare të gjëra dhe ballkone të mëdhenj.
Vura tavolinë, dy karrige, filxhanët e kafesë dhe kafenë,
Ose portokaj të shtrydhur…
Njësoj sikur dhe ti të ishe me praninë tënde të arsyeshme.

Ja, ashtu e bëra siç më the ti, çdo ditë e nga një gur,
Dhe mbolla lule ashtu siç më the ti, çdo ditë një lule
Dhe i ujisë ashtu siç më the ti, çdo ditë në mbrëmje.
Bëra vresht me rrush për verë, sikurse ti e di, për ne
Dhe vura pëllumba të bardhë, siç më the, për paqe.

Dhe në portën e jashtme vura butonin e ziles,
Ashtu siç më the ti, në lartësinë që duhet,
Shkrova emrin tënd dhe, siç më the ti, edhe timin
Pastaj stampova numrin, po derën prapë e lë hapur
Nga padurimi se ti vërtetë mund të vish, siç më the,
A ndoshta nga frika se ti do humbësh duke ardhur.



No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.