KËSAJ BOTE
Dikush më donte mua
Se ndryshe
Si mund të isha pjesë e botës
Në mos nga dashuria?
Dikush më donte mua
Se ndryshe
Si mund të bëhesha kaq sa jam
Në mos nga dashuria?
Dikush më donte mua
Se ndryshe
Si mund të më pushtonte një burrë
Në mos nga dashuria?
Dikush më donte mua
Se ndryshe
Si mund ti falja botës tre vogëlushët e mi
Në mos nga dashuria?
Dikush më donte mua
Se ndryshe
Si mund të shkruaja unë këto vargje
Në mos nga dashuria?
Dikush më donte mua
Se ndryshe
Si mund të vija kësaj bote e të vdisja
Në mos nga dashuria?
ËSHTË KAQ E VËSHTIRË TA KUPTOSH?
Është kaq e thjeshtë të të duash
Sa më duket se e tillë kam qenë
Qysh kur kam lindur.
Apo linda kur të njoha ty?
Si ta shpjegoj ndryshe, s’di…
Por na mjafton një zile telefoni si shkak
Që të vemë e të shtyjmë gardhe
Si fqinj të inatosur…
Një emër përmendur shkarazi
Na mjafton për t’i turbulluar fjalët
Si furka leshi tjehrrim biseda
Thurrim triko që s’na duhet ti veshim
Për dimra që s’mbërrijnë tek ne
Që s’i presim…
Shndërrohen në pellgje edhe sytë me vështrime të acartë
Mjafton t’i puthim vështrimet
Çelin kudo zambakë …
Është kaq e thjeshtë me ty gjithçka
Edhe pse unë drithëroj ende dhe trembem nga flladet
Që ty të harlisin kurorën
Se mos më rrëzojnë shakull.
Sepse unë s’jam hardhi rrushi
Të lidhem pas teje për tu ngjitur
Jam pemë e brishtë në rritje, një pemë
Hija jote s’më bën punë, lermë…
Lermë t’ia thith Tokës jetën deri në palcë
Diellit çdo rreze, në sy e lëkurë t’ia marr
Erërat ti pres, e me forcën time ti zmbraps
Pranë teje
Lermë ti jetoj stinët e të harlisem
Kështu jam e mbetem aty
Vetja ime tek ty…
TJETËRSIM
Kur hesht duke më parë e ma zë frymën
Ç’përmasë e jotja e tejkaloi qiellin?
Në majë të gishtave kur mbi shpirt cek
Rërë plazhi a llavë vullkani je?
Sidoqofsh
Deti shton dallgë e kripet nga dhimbja
Se ti ngjan i paimitueshëm
Kur vjen e ikën
Koha asnjëherë nuk mjafton…
Mes heshtjes e cekjes
Brenda meje ti
Si mund të mbetem ende unë?