PËLLUMBESHA IME nga Martin Cukalla

Martin Cukalla

PËLLUMBESHA IME

isha ngatërruar pëllumbesha ime
kisha gabuar
ndoqa yjet nëpër pyll
ndoqa hënën nëpër gethet e lisave…

në mëngjes duhet të isha tek ty pëllumbësha ime
në mëngjes duhet të isha tek ty…
isha ngatërruar pëllumbesha ime
kisha gabuar

shpresova se deti ishte qielli i kësaj nate
dhe hyra në det nga nxehtësia e botës
duke kërkuar mëngjesin
yjet e vesës ishin sytë e tu
nxehtësia e botës ishte afshi yt
fustani i gjelbër deti ishte bluza jote
zemra ku qe
ku qe zemra
kërkoja shtëpinë e saj nëpër natë

ajo flinte në breg
unë kërkoja në det

KJO DITË E SHËNUAR

më thanë: sot është ditë e shënuar!
ika lartë
e kërkova Zotin,
kurkund nuk e gjeta!
ka ikur ndoshta të mos dëgjojë çka thuhet
nën këmbët e tij, këtu tek ne:
histeri…batërdi…

më thanë: sot është një ditë e shënuar!
nga sipër dioksidi i karbonit hedh hijet e veta mbi glob,
mullinj të erës poshtë nuk ka më,
as burime të çiltra ujrash që vijnë nga zemra e shkëmbit!
ka tymra dhe flakë:
digjen ende trupa fëmijësh e shtate Afërditash…

më thanë: sot është një ditë e shënuar!
bishti i trishtuar i diellit nënqesh diku,
një top mielli i bardhë bie diku,
përpjekje e kotë ndoshta prej frikës së prangave
për tu çliruar nga koha,-më thanë.

më thanë: sot është një ditë e shënuar!
varrezat e vogla zbardhin nëpër gjelbërim.
Hëna nuk rrotullohet, s’më le t’ia shoh shpinën.
dhe sa pak, sa shumë pak
lëvizi dita e sotme nga dje!
përkundër:
ajri për dreq më ze frymën!

më thanë: sot është një ditë e shënuar!
mendova: nuk ka asnjë ofendim të planifikuar: u çgënjeva!
mendova: mund të flasë sejcili pa frikë e pagesë: u çgënjeva!
ndoshta truri kurreshtar e ndjenjë e humorit
kanë zënë vend në koka politikanësh, -mendova!
udha dhe tivutë m’i përzunë ëndërrimet
si të mos i kisha kurrë!

 

 

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.