KJO HESHTJE nga Qazim Muska

Qazim Muska

KJO HESHTJE

E thellë, e thellë qenka kjo heshtje
Dhe mbrëmja më rëndon një mal
Ngaqë e humba syrin që qeshte,
Ngaqë më mbeti syri që qan.

Ngaqë trishtimi m’i shkundi gjethet,
Ngaqë gëzimi rrënjëve m’u tha,
Ngaqë gjithë këngët more me vete,
Dhe vaji i erërave të ndalur s’ka.

Ngaqë më ike drejt pafundësive
Ku gjithë kuptimet zhduken papra.
Ngaqë ky murg mbetur pas krahëve
S’ka manastir, as Zot nuk ka.

Ngaqë kavak në mes të fushës
Mbeta papritur e s’di sesi
Kjo natë në heshtje e përhumbur
Ma ujit dhëmbjen që më lë ti.

SHTRIGËS SË BUKUR

Erdhe shtegtimit si flakëz
Dhe prishe qetësinë e qiejve,
U shndërrove në nusepashkëz,
Profete gëzimesh të rreme.

Erdhe udhëtimit të largët
Bijë e denjë e rrufeve,
Dhe hape si trëndafil plagët,
Plagët në zemrat e djemve.

Erdhe si dritë e diejve,
Vezullim e verbim i pamatë
Në sytë që të deshën u derdhe
E ditën ua ktheve në natë.

Kështu erdhe ti; një zjarr,
Që djeg dhe zhurit savanat,
Le hi e pluhur mbi bar,
E mjegull-tym mbi muranat.

Mes dhembjesh plagët e djemve
Feksnin si perla të gjakta,
Në ikjen me gjurmët pas reve,
Të ndiqnin vështrime të ankthta.

DEHJE

E pimë me fund
Dritën e mëngjesit
E mbetëm dehur gjithë ditën.
Shilarësit të arsyes
Ju këputën litarët e vjetër
Dhe mbeti pa busull mendimi,
Duke na lënë të endemi
Nëpër pyllin e gjelbër
Që nuk ia mësuam dot daljet.
Në sytë e kaprojve të hutuar
Pamë një copëz qiell të kaltër
Dhe s’ditëm në duhej të fluturonim
A të humbisnim nëpër ëndërra,
Por vendosem,
Gjithsesi,
T’i mbyllimnim të gjitha shtigjet
Që na nxirrnin përtej këtij gjelbërimi.

NATA
Nata pa një yll të ndriçojë në qiell,
Vjen e shkon mëngjesi – brengë e përkryer,
Dita pa një shpresë që të më mbeshtjellë;
Mëkatar pa gjetur vend për t’u rrëfyer.

Duart e kujtimit nuk mbrrijnë më tek ty.
Gotat e harrimit pi mbrëmje për mbrëmje.
Imazhe të largëta shkërmoqen në sy,
Duke zhbërë në heshtje gjithë statujën tënde.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.