KJO VETE E DYZUAR nga Edmond Shallvari

Edmond Shallvari

KJO VETE E DYZUAR

Përplas veten vetes, si deti detit dallgët
Si gjethja rënë gjethes, si fjalët përmbi fjalët
Të dyja vetet dhembin, të dyja mbushen plagë
Pas njera-tjetrës rendin, sa brenda edhe jashtë
Tërhequr edhe shtyrë, përplasur edhe ndarë.

Vazhdoj kështu përplasur, vazhdoj kështu i ndarë
Herë engjëll veten patur, herë djallin tim përballë
Kjo vete e dyzuar, më josh der’ në ekstazë
Pastaj e egërsuar, ma kthen njeriun kafshë
Nuk di në jam i sotmi apo krijesa e parë.

Jetoj kështu të sotmin, jetoj kështu të parin
Kur di ku kam Edmondin, nuk di ku kam Shallvarin.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.