KOMEDIA E NJË DRAME nga Agim Shehu

Agim Shehu

KOMEDIA E NJË DRAME

Po ndiqja me kureshtje ngritjen e Bustit të Pjetër Arbnorit dhe njerzit e mbledhur, në tërësi zyrtarë për t’ia bërë ceremoninë festë. Vështrimi më kalonte, herë te njeriu në bust, herë te ata që qenë mbledhur përballë tij. Gjëndja shpirtërore e të dy palëve më dukej se qenë të kundërta. Ai në bust, me fytyrë të shqetsuar shtrënguar keq e pakuptim logjik nga një bronz me fletë libri, shprehte një dhimbje se kjo shpikje qe jashtë natyrës dhe filozofisë së tij. Aq më tepër kur pa se po e lavdëronin në vdekje me parullën dyfytyrëshe: “Pjetër Arbnori kthehet në Kuvënd”! E kishin vënë ata që e dëbuan nga Kuvëndi sa qe gjallë, dhe e brohorasin tek po vinte i vdekur. Nga busti kërkonte me sy ata që e donin vërtet e që qenë gjaku e geni i tij, por ata mungonin në tërësi. Pse mungonin?…Ndoshta këtë ai e kuptoi vonë se qe shumë i ndershëm e në frymë të shenjtë Krishti, Dhe tani po meditonte brënda masës së bronzit zyrtar bërë dhe si fletë shkrimi: “vazhdo shkruaji këtu dhe i vdekur kujtimet që të kanë mbetur…!” Zyrtarët e të dy anëve qeshnin e bënin humor të përzemërt me njeri tjetrin, pa asnjë lidhje apo dinjitet njerzor me atë që i kish mbledhur. Në ndërgjegjen e tyre të errët secili ndjente gëzimin e vet që në vënd të lidhjes së duarve me hekura dje, sot, bijtë e vazhduesit e të parëve i kishin lidhur tërë trupin me shtresa bronzi (duke ia bërë dhe fletë shkrimi për kujtime, po të donte)…
…Kish ardhur në Gjenevë, dhe më merr në telefon që të takoheshim. Ndjeva gëzim të madh, dhe u nisa menjëherë me gruan dhe vajzën. Mora dhe mikun krahinar që kish ardhur për tregëti e rrinte në shtëpinë tonë. Pjetri rrinte në lokalin e mrekullueshëm të një pronari nga Kosova, Kelmendi, në hyrje të Gjenevës. Ishte bashkë me bashkëshorten e nderuar e të përzemërt, dhe vajzën e vogël. U takuam në lulishten e gjelbëruar e të stolisur jashtë. Përqafime me të e me të afërmit. Vëndi i huaj i bën më të përmallëshme takimet, aq më tepër kur ke ikur i vrarë nga ata, që më pas të bëjnë dhe lavdërime apo buste…
U shtrua tavolina dhe nisi biseda. Në fillim mbi vija të holla, për të hyrë tek të mëdhatë (siç i kam pasqyruar pak dhe një herë tjetër). Në natyrën e tij ai i ruhej hapjes së plotë të “letrave” si thuhet. Nuk ia kish frikën njeriu, por ndërgjegjes së tij të patrazuar për të mos ushqyer sherre apo mburrje. Të jepte qartë përshtypjen, se ia lë në dorë Zotit.
Erdhi biseda, dhe unë e pyeta me butësi Perëndie për ngjarjen e ditës ato kohë në Shqipëri:
– Pse nuk u zgjodhët ju President, zoti Pjetër, kur shumica e popullit ju përkrahte`? – Ai bëri një buzëqeshje të ulët me vete si e zënë në faj, dhe po mendohej. Unë e kujtova prapë. Ai më pa në sy me vështrim të përzemërt…Pastaj hodhi sytë te miku im…Ky e kuptoi se duhej të mënjanohej. “Do shoh pak makinën” tha, dhe u çua me mirësjellje. Mbetëm vetëm. Vajza ime lozte me vajzën e tij. Pjetri foli me zë të ulët. -Këto se ç’mendoj nuk ia them njeriut, në natyrën time. I bisedoj vetëm me time shoqe…por dhe me të, përgjysëm. Ty po ta them. Në burg kam qënë bashkë me vëllain e gruas sate, Burimin. Po kjo është temë tjetër… Nuk u bëra President se nuk deshën të dy anët bashkë, as Nano, e për çudi as Berisha. Psenë, e dinë ata. Por mua…s’më prishet punë, përkundrazi.
E pyes më tej, se pse iku nga deputeti, Ai, përsëri qeshi i kursyer e me dy mëndje, si të përgjigjej, e shtoi:
-Domethënë, pse nuk jam më as deputet në Kuvëndin Popullor?…-Plotsova, po me humor se duhet thënë “Kuvëndi i partive, pasi deputetët i zgjedhin partitë, jo populli Këtu nisin dramat e Shqipërisë, te pushteti privat -…Pjetri qeshi me zemër. Unë shtova, se këtë lojë hipokrite po e thonë shumë vetë. Por pyeta për ju -…Ai ma tha lojën kundër tij:
-Më hoqën nga qyteti i Shkodrës si kandidat për deputet, e më çuan majë bjeshkëve…Doemos isha i humbur. Për çudi, unë nuk u kisha bërë asnjë të keqe veç të mirë…Nuk di, pse nuk u duhem ma!..Cila dorë e firmosi?-
– Mbase, Gravitacioni, thashë për humor, dhe shtova: -Nuk e kanë thjeshtë me ty, nuk di sa ju, por ma thotë mëndja, e kanë me shtresën tënde, si pjesa e vërtetë antikomuniste… E shfrytëzuan sa deshën e në fund, e larguan një nga një. Mund t’i numuroj aq sa di -thashë në fund. -Të kuptoj, e kam të qartë – foli ngadalë si me vete . U bë një heshtje. Tokëm lehtë gotat. Më pyeti se si shkoja këtu në Gjenevë…a u mbyllën plagët…-Mbaj mënd, shtoi, sa mora vesh që të goditën për vdekje mafja e organizuar,të erdha në shtëpi. Ishe si i vdekur. Pastaj njoftova në mbledhjen e Kuvëndit se a e dinin që është vrarë dje kolegu ynë, shkrimtari e publicisti…- U bë një pëshpëritje në sallë, dhe askush nuk e zgjati. Kjo më dha të kuptoja më tej…
Pa i thirrur, kujtimet po më trokasin njëri pas tjetrit për të ndarë mendimet me to, tani që jam krejt i liruar. U largua nga biseda ime një çast, e po merrej me ngjarjet e kaluara të tij. Kë ke më të dhimbëshme nga kujtimet e tua, e pyes. Janë pa fund, u përgjegj me mëndje larg. Por nga afër, më ka mbetur thirrja e Dhora Lekës si kolege e vuajtjeve, e paharrueshme. Më sheh e më flet që nga larg me një zë të dhimbshëm, revoltues: “O Pjetër Arbnori, a ka ardhur demokracia!? Ma thuaj drejt, a ka ardhur” E kish fjalën për shkrimin e saj mbi jetën e vuajtjeve e tronditjeve që kish kaluar dhe ende po kalonte. E kish çuar në gazetën DRITA, e përgjegjësi i saj, i kish hequr pikërisht pjesën ku kjo fliste për atë që e kish spiunuar dhe e internuan. Si qe gjykuar publikisht në fushën e sportit nën thirrjet ulëritëse të popullit kundër saj: “Kush e prek kështjellën tonë/ do çfaroset shpejt a vonë…” Komedi mbi tragjedinë! Dhora Leka, spjegonte me dhimbje bashkëvuajtësi Pjetër Arbnori, i lëshonte fjalët si të pikuara me lot…Nuk di ç’të shtoj-tha në fund, e tokëm përsëri gotat lehtë lehtë, në natyrën e tij.
U bë vonë. U takuam përzemërsisht e u ndamë. Po udhëtoja drejt banesës sonë me mëndje tek ai. Më tepër se vuajtjet, atë e mundonte çgënjimi. Njeriu ka fuqi trupi apo shpirti ta përballojë disi vuajtjen, por ndaj çgënjimit është i çarmatosur. Vuajtja të vjen nga jashtë, prej të tjerëve, kurse çgënjimi në pjesën më të madhe të vjen nga brënda, prej gabimeve të tua, apo gjykimeve të pamatura. Dhe vjen puna sa, i ndjeri Pjetër Arbnori me shëndet të mirë siç e pashë me sy, papritur e kuptuar, gjëndet i vdekur, në radhën e viktimave me vdekje të befasishme!…Për ta mbuluar një shuarje të tillë, ia mbulojnë atë me një imazh të shfytyruar bronzi si të mbështjellë apo të lidhur shëmtueshëm në të, saqë njerzit më shumë ua largon se t’ua afrojë. Lojë zyrtare me dy vdekje për një figurë të shquar shqiptare që vinte me kulmin e Demokracisë…Por komedia më e mirë lind në të çarat më të mëdha të dramave. Mesa duket është koha që dramave krijuar nga lart, po u përgjigjen më hapur humori e komeditë nga poshtë, për ta pjekur bashkë përgjigjen ndaj tërë atyre që guxojnë ende sa të vrasin jetën e njollosin vdekjet.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.