KONFLIKTI IM ME MUZËN TIME nga Bajrush Zeka

Bajrush Zeka

QESH E NGJESH E VESH

Nganjëherë mërzitem me miq,
nëpër lokale, kafene, tek hamë,
flasim për tema, e nuk themi gjë hiç,
e pas ca gotave bëhemi armiq!

Shqyhemi së qeshuri, kur botën përqeshim,
miqtë tutje nesh një nga një në gjyq i qesim,
dollia na e trash gjuhën, thonjtë nuk i presim,
kapërdijmë shumë fjalë, shumë në fyt na mbesin.

Më mërzitin shpesh bisedat me miqtë,
kur mbi tavolina fjalomaninë e matim,
nga rreziku i parë të tërë barkun e lidhim,
për ditë përqeshjesh e zgjatim.

KONFLIKTI IM ME MUZËN TIME

Përçudshëm më duket vetja,
I parruar, i pakrehur,
Me zhele të mia luan era,
Në një shtrigë nate mund të ngjaj,
E keqja më e madhe është,
Çuditërisht, o Zot!
Edhe muza ime shumë e trishtë,
Më duket.

I mërrolur unë,
E mërrolur muza ime,
Jemi dy fytyra të prishura,
Bash si dy tigra
Para një përleshjeje,
Më shumë se në pasqyrë,
Edhe në hije!

Zgjate dorën të lidhim një pakt, o muzë!
Si dy ushtri në konflikt,
Ti i di mirë teoritë e luftërave,
Prej kohësh vetë më ke mësuar:
Më e zezë sesa mosmarrëveshjet,
Janë marrëveshjet e zeza.

Nuk është se me pelerinën e Nolit,
Dukëm sot kaq i zi,
Si ai deti që e mësonim në shkollë,
Por paqja e shpirtit sot,
E ka perin shumë të hollë,
Muzë, o murtajë!
Muzë, o litari im në fyt!

A KA DALLËNDYSHE PËR MUA?

A thua, ka ende diku një dallëndyshe,
si ajo me të cilën Shiroka kuvendonte
e të gjitha hallet me të i qante?

A thua, ka mbetur një dallëndyshe për mua,
të më dëgjojë,
të çmallem,
të flas?
Ah, nuk mundem më kështu,
ndjej se si kripa në prush
do të pëlcas!

NË SHKALLË TË TRENIT

Jo, nuk ta zgjat dorën
Të të them rruga e mbarë,
Por, ta jep dorën që të të mbaj,
Ndërsa ti shkel me këmbë
Shkallët e trenit prej drurit,
Nja më dhemb zemra
Sikur të ma kishin shpuar
Me majë të hurit.

Unë ta mbaj dorën,
Që të lutem rri, mos shko!
Mos ik binarëve të hekurt,
Si ato rrota të ftohta çeliku,
Rrotullohen mbi trupin tim
E më bluajnë mishin e ashtin.

Të lutem, rri me mua,
Ecim rrëzë malit,
Buzë liqenin këmbëzbathur,
Barit të fildishtë,
Sepse ti dhe unë
Ngado që shkojmë,
Takohemi në një zemër.

TRONDITJE

Mendova se ishim të lidhur si mishi me thonin,
Gjithnjë thosha: Jem një gjak, mish e asht jemi,
Medet sa larg njëri-tjetrit paskemi qenë tretur,
O dreqi e marrt! Të huaj ndër shekuj mbetur!

O sa keq u ndamë! Sa keq! Medet për ne!
A kaq shumë gjenet qenkan përzier e trazuar,
Neve që nuk na ndanin as ditët e netët kurrë,
E sot kalojmë pranë, pa folur, si nuk flasin ujë e urë.

Ku mbeta unë, ku mbeti ti?
Turpi mbi ne si dheu po rri!

NËN THJERRËZ

“Zemrat e mëdha,-
thoshte Balzaku,-
janë gjithmonë viktima
të poshtërsive të vogla”
Ah, sa zemra të mëdha
numëron sot bota,
shumë nga ato
i përpiu toka,
ato që mbetën
u bënë të vogla…
Të voglat u rritën,
u bënë tërkuzë,
ka përmbytur tokën,
i turbullti lumë.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.