KRISTALE POETIKE nga Ismail Kadare

Ismail Kadare

***
Dashuroja?
Ndoshta dashuroja vërtet!

… Pra, ishte kështu.
Dhe s’mund të ndodhte ndryshe.
Dashuri e njëjtë,
Kombe të ndryshme.

***

Kujtime të pabindura, rebele të një kohe tjetër.
Dorëzohuni siç i jam dorëzuar unë pranisë suaj,
Ndonëse me vete them se u kam harruar.

Ikni, shkoni nga të doni,
Veç këtu mos qëndroni e mos u ktheni as.
O ju rebele, kujtime të pabindura,
Ikni, sepse të ikura ju jeni…

***

Tek dera e avionit era të priste.
Zemra me dëborë m’u mbush.
Si një vetmi e madhe
Zbrisja,
Por n’aeroport.
Askush.

Askush.
Hamej, merrini këto valixhe.
Të rënda?
Janë mbushur me pritje.

Gjithë natën fluturuam mbi qytetet e Evropës.
Ti, s’dija ç’kishe, s’më prite.

***

Më rrëzëllinte si smerald mërzija,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re…
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja,
Sepse secila m’ e bukur se tjetra qe.

Duke të puthur, pa të dashur.
Në shpirt ai ty të plagoi.
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
Si vrasës tinëz shkoi.

Krenar që ty “të shtiu në dorë”
Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën në park, të dielave ata.

Dhe ti e vetme mbete, bosh
Mbenë sytë e tu në net bilbilash.
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.