KU JE ARMIKU IM nga Petraq Risto

Petraq Risto

1.
HESHTIM

Në heshtje mendojmë fjalët që s’do themi
Gjuha tallazitet: det pa anije.

Heshtim.

Sytë si magje të verbëra:
tharë brumi i lotëve
Nënë e hutuar Heshtja
mbështetur te Frika – kotet.

Në heshtje mendojmë fjalët që s’do themi
Vetvritemi ngadalë si të gjitha qeniet njerëzore
Gjuha tallazitet: ca flatra zgalemi
Krijojnë stuhinë e revoltave.

Nga fjalët e ndrydhura në ditnetët e heshtjes
Lindi raca e filozofëve…

2.

KU JE ARMIKU IM

…Ku je armiku im, të përshëndes, armiku im!
Fshije pluhurin nga rrobet e udhëtarit
Dhe gjej një konak te fjala Gabim.
Asnjëherë nuk je vonë, armiku im.
Gjithë shiu që bie me duf lëngate, bie për ty, armiku im
Dhe oqeani që flet me gjuhët e dallgëve
Natyrisht e ka një mendim, apo jo, armiku im?…
Vishu serioz, me kostum të errët
Na duhet dhe njëherë ta varrosim Lirinë
Ti e vrave, unë ia mora zemrën
Të ndrijë te Poezia si në vitirinë…
Të dy jemi fajtorë, armiku im!…

 

3.
ELEGJI

Jelekun e larë me ar
zemrën larë me zi
Nuk di në ç’ëndërr jemi parë,
në ç’zgjim jemi zgjuar, s’e di.
Të putha në buzë prej mishi
më puthe me buzët qershi
mes buzëve: një qyqe që klithi
një qyqe që prapë ndolli zi.
Hajt ikim, të thashë, të ikim
larg ku s’na njeh më njeri
ku Zoti me baltën e shpirtit
do bëjë Adamin e ri.
Po ti vetëm qaje e heshtur
me lotët – shkronja në sy
ku unë lexoja i dehur
mjerimin tim si njeri.

4.
E HËNA BLU…

Sot e hëna depresive është blu,
Zhgënjimi, gjithashtu…
Ti më gënjeve dje
Sot e provova monedhën fallco
Në sportelet e syve të tu.

E hëna depresive sot është blu.

Blu është mali përballë detit pa ngjyrë
Sado i pjerrët mali: drejt e rrit çdo dru
Këtu çdo njeri ka çerdhe, jo fytyrë
E hëna depresive qenka blu.

Kryqëzimet janë thjesht: lidhëse këpucësh
Në hapat që vrapojnë drej Asgjësë
Unë iki prej teje sado të më lusësh
Në Avenjunë “Ku?”, me rrugët e “Pse?”-së…

Nxitoj këtë të hënë s’di se ku
Jam pemë e hutuar, për xhepa kam foletë
Kureshtarët më vijnë rrotull: Mister Blu
Na nxirrni nga xhepat zogjtë dhe rrufetë?

Luaj si askush, çdo gjë më duket flu
Botën në çast e kthejë në skenë
Nga xhepat nxjerrë një anije blu
Ca piratë blu anijen ma rrëmbejnë.

Sallën e mbaj pezull me dy sytë e tu
Duartrokitjet lozin si pulëbardha
Papritmas shpërthej zjarrin flakëblu
Ca zjarrfikëse blu janë duke ardhur…

Më zgjat dorën nën dëborën blu
Vrapojmë në rrugët “Pse?”, në “Ku?” Avenju
E hëna depresive ka kurthe sytë e tu
Mister blu, Mister Blu, Mister Blu…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.