ENËRGJI E ERRËT nga Suzana Malaj

Suzana Malaj

ENËRGJI E ERRËT

I madh është terri, i madh
si erë mes grimcash
e materia e zezë
po përhapet si mjegull
për të thyer valën e dritës.

I rëndë është terri, i rëndë
ngjizur brenda lëndës së errët
si ngjizja e djallit
fshehur për syrin si lëndë
me prekje të ftohtë e të akullt

Me puthjen e vdekjes
aq sa të ngrijnë kapilarët
në kapërthime hijesh tromboze
nga stepja e gjakut

Po mund, terri po mund
ta zhbëjë kuantin e dritës
pushton sinoret e shpirtit
me energjinë e errët të grimcës

Sa i pamatë është terri,
i pamatë… … … …
e drita rrezore si ushtri e mundur
po kthehet nga rruga e gjatë

Po kthehet, e mundur po kthehet
përplaset, përthyhet e meket
arrin mëngjesit me puthjen e dritës
që puth vetëm në bebëz.
… … … … …
Ndoshta është graviteti
ai që duhet parë
ku shtyhen e tërhiqen trupat
e materia e zezë
le të jetë sajesë
e marrëzisë që më erdhi me puthjet.

KUFIRI I ZGJIMIT

Kam vdekur disa herë
në mëngjes,
në mesditë,
në mbrëmje,
kam vdekur në gjumë
pa e kuptuar se kam vdekur
e jam pagëzuar gjendjes kufitare
të martesës së jetës me vdekjen
Teknikisht e vdekur
ku qafa e trurit më cmendet
e qelizat në një lloj oksitoni
lahen me ujin e vdekjes…
Tani nuk dua të vdes
dhe nëse është mëngjes,
mesditë
apo mbrëmje,
le të jetë dhe koha e shtënë në mes
prag mëngjesi
apo buzëmbrëmje
E nuk dua të vdes as në gjumë
e as kur të jem krejt e zgjuar
por kufirit të zgjimit nga ëndrra
që ëndrrën ma lë pambaruar
Si në një lojë letrash ku lë asin e zi
e asin e kuq marr në dorë
kur gjallimi bëhet fjalëkryq
e më fton të luaj në lojë…
Kur qeliza e vdekur merr frymë
e fryma më del e më merr,
në vise ku vdekja është thjesht një psikozë
me letrën e fshehur nën mëngë…
Si letra e fundit për fjalën e fundit
e si letra e parë për fjalën e parë
mencurisë që vjen dhe prej zemrës
e kalimit në një aks kufitar.
Se nuk vdes
e nuk kam dëshirë të vdes
mëngjesit,
mesditës
e mbrëmjes,
as kohës së shtënë në mes
në konet e retinës së syrit…
E nëse do vdes
do të jem neurozë,
qeparisit do t’i ngjitem nga degët
do t’i tund e t’i shkund të kuptoj se marr frymë
mëngjesit, mesditës e mbrëmjes.
E nëse nuk vdes
do të jem ekzistencë
kur ndahet e përndahet një atom,
castit kur lë asin e zi
e asin e kuq marr në dorë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.