KUR DITA PUTHET ME NATËN
Të vodha puthjen kur dita shkrihej me natën,
si mëndafsh duarve të mia rrëshqisje ngadalë,
më ikje dhe përsëri vije e dehur në gjoksin tim,
buzët si tentakula të miat kapnin në kurth.
Nuk dija në ishim një apo dy në këtë botë,
më kot kërkoja të gjeja në shtratin e ngrohtë
në ishe det lozonjar apo oqean rënkimplotë,
herë skllav i çastit tënd e herë më bëje mbret.
Të vodha puthjen kur dita shkrihej me natën,
humbëm të dy,
ku isha, unë s’e dija, as ku ishe ti,
vullkane shfrynin mbi ne e dot nuk na digjnin,
akullnajat shkriheshin si vesë në trupat e zjarrtë.
Të kërkova kur nata u nda përsëri me ditën,
ende i mbërthyer në prangat e tua lëngoja,
përrenjtë rridhnin rrëpirave të brinjëve të mia,
kërkonin përsëri shtratin e lumit të dashurisë.