KUR MALLI TË MARRË
Kur malli të marrë në ditët e tua
në breg të kujtimeve do më gjesh mua.
E do të ngaterrohem këmbëve si hardhi
nuk do të lë të humbësh pa bërë dashuri.
Kur era të fleje nëpër gjirin tënd,
mos ngurro ti mua të më cosh ndër mend.
E kujto përherë trupit kur rrëshqisja
vec nga fjala jote gjoksit tënd unë vdisja.
Kujto moj e marrë, mos vdis në vetmi,
jeta një herë vjen, është për dashuri.
Bregut mos më rri duke më vajtuar
futu nëpër dallgë, vdis duke shijuar.
Valë shkumë të bardhë trupit do të shkoj,
qelizat gjumashe një nga një do zgjoj.
Do ta tërbojmw detin, dallgët do shkallojnë
kush në botë si ne di të dashurojë.
STACIONE MALLI
Nuk kam më
stacione trenash me jetë si dikur,
as dritare,
ku dora
të tundet në ajër mallueshëm.
Bashkim dhe ndarje
në platforma nuk ka më,
të mbetura bosh,
pa jetë, me dhimbje rënkojnë.
Ku shkuan hapat e nxituar
për të arritur tek ti, dashuri?
Lotët e derdhur
janë tharë asfaltit të vjetër të riveshur,
emrat e thirrur
nuk dëgjohen më,
era i ka marrë me vete.
Platforma stacionesh
veç në kujtesë rrinë plot mall.
Njohjet e vjetra,
si letër papirusi mbështjellë.
Zbrazëtira kafshon endacakët e natës,
në zjarrin e tyre
ngrohet dhe dremit si pleqtë njëqindvjeçar.
Sirenat janë mekur,
ndryshku i ka ngrënë,
zëmekur përpiqen
botën të ringjallin nga humbja,
që zhurma trenash
në orare të ketë përsëri.
Platforma stacionesh
veç në kujtesë rrinë plot mall.