KURRË S’TË THASHË TË DUA nga Odise Plaku

Odise Plaku

KURRË S’TË THASHË TË DUA

A duhet patjetër të ketë një emër,
një mbiemër të ketë këtu gjithsesi.
Njeriu dashuron dhe me sy në ecje,
njeriu puth me shpirt dhe në ndenje

Ashtu dhe ty sot emrin nuk ta shkruaj,
se ti ishe një nga të miat dashuri,
por dot nuk të jetova ashtu si doja,
as të dua kurrë nuk munda ta thoja.

Të përpija me sy çdo herë nga larg
dhe botës si kuaj i erdhëm vërdallë.
U trembëm fjalëve që dilnin si gjarpri,
kurrë nuk thamë “ të dalë ku të dalë”.

E sot të dy fluturojmë si zogj në ajër,
jetojmë të dy në orbita të ndarë.
Anonimë të kohës do mbesim përherë,
një emër i shkruar në ëndrrën e vrarë.

Në drita neonesh pikturohen sytë e tu,
diku në një bar në gota malli të pi ty,
si flutura digjemi në flakë të qiririt,
dy kupa të zbrazura të moskuptimit.

BESO!

Beso dhe mos mendo se bota mori fund,
kur trishtimi eshtrat dhimbshëm ty t’i tund.
Beso dhe veç beso kur syri dritë nuk sheh,
zemrën hapja mikut e veten mos e fsheh.

Beso dhe veç beso një ditë do vij te ty, 
shpresa do trokasë e gaz do kesh në sy.
Dhe këmba që ka ngrirë dhe dora që s’lëviz
lisin dergj përtokë dhe shkëmbin cikërriz.

Beso sa kohë që zemra nuk të lë në rrugë,
kur shpirti prapë të digjet, ti veten mos përbuzë.
Në buzët e vullkanit këmbë zbathur ti kalo
dhe kur kanë thënë ke vdekur, atëherë nis jeto.

Beso dhe veç beso se jeta ka shtrëngata, 
ka lule nëpër degë e tokës ka dhe shkarpa.
Kur zemra do të lëri, nis rrugën nga fillimi
mos luaj në vetmi se shpejt do lind harrimi.

Beso dhe veç beso se bota është e jotja,
mos rri nëpër fallxhore se fjalët janë të kota.
Bërtit që ta dëgjojë vetë bota zërin tënd
dhe vaji le t’i duket si më e bukura këngë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.