PRELUD JETE nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

PRELUD JETE

1.
Ajo grua që shkoi e ardhur
Ajo qe meteor.
Më koi,
Më vuri mend.
Kur pa që fluturoj,
Më la, pastaj dhe shkoi…
Më la pa sisë,
Pa gojë…
Kur pa që fluturoj.

2.
Pastaj një tjetër,
Një thikë fresk e ndezur,
Si thika që kanë gratë,
Më preu,
Më vrau,
Më çmendi,
Në shtjellë të saj të etur,
E bëri trup të saj.

3.
Nuk ndihej era e verës…
Gjë tjetër mend nuk mbaj
Po unë krejt i ndezur,
Pas puthjes që u ndamë
Dhe s’ ishte mbrëmja e verës,
Që mbet në shtatë të saj,
Po  frymë e zjarr i verës.
Që  çeli syth të gjallë.

4
Thonë se burrat-burra,
Burra dhe shtrëngata.
Pinë duhan e zhurmë.
Të tjerët politikë.
Gjysma është hajdut.
Gjysma tjetër them,
Gjysma tjetër…Kush?
Ca dinë të bëjnë luftë,
Unë them se gruaja dhe bota
Janë lufta që bëj unë.

5.
Thonë se ” gruaja”, vera
Ndrijnë e s’ vdesin kurrë,
Ky është syth i gruas,
Që më lë pa gjumë.
Ndaj bëhem lojë e saj,
Për luftë? çfarë !? ti kurrë!,
Këtu unë hyj e s’ vdes,
Bëhem barë dhe burrë.

6.
Kjo botë është e ndritur
Me yje kaq të lartë.
Po ne jemi zaje guri,
Prej male yjesh zbritem
Dhe u bëmë të gjallë.
Ndaj jemi më të lartë
Ndaj yjeve kate kate
Të shtrirë në barë të gjallë.

KËTO GJETHE VJESHTE

Të kam vjedh një foto po e quaj ëndërr,
Çfarë t’ bëj kur ti, ti je kaq e ëmbël?
Në zarfin e gjetheve, posta jonë e vjeshtës,
Deshe, di se ç’ deshe, ti më rroke fshesën.

Të vija vërdallë? Thuamë ku të fshihesha?
Ti me fshesë në dorë, e ndjeshme, e epërme,
Edhe kaq e bukur, krejt si fryt i pjekur,
Bëra si bëra, gënjeva një mjaltë tjetër.

Bëhem kryengritje, hiqe foton time!
Oh, ç’më bërë, bëra, më le pa celular.
Aq e egër qe, po pse gufoje  ëmbël,
Faqe, musht e zjarr, për një foto tjetër?

Fotot që ti pe, qenë tërë foto vjeshte,
Fshesa ra përdhe, u bë gjethe heshtja,
Vetëm fryma jonë, fryma jonë e çmendur,
S’pati asnjë foto, u bë Jugë te zemra.

Vetëm fryma jonë, një Veri i çmendur,
Një Veri i çmendur dhe një Jugë e ëmbël,
Ah kusar i çmendur, më bërë të çmendur,
Këto gjethe vjeshte mi le pa i mbledhur.

U BEMË LARG

Kur bie mjegulla dhe këtu mbyllen dritaret,
Këtu dritaret mbyllën shpejt që në vjeshtë,
Kujtoj shpesh atë dritare ku ti mëdyshje,
Ndërsa doja të të jepja të parën vjershë.

Tani tek unë ka vjeshtë dhe kujtime,
Midis tyre si mund të mungosh ti?
Si mund të mungosh ti që në lulet e para,
Ti ishe e para vajzë dhe poezi.

E dija qe rrije pas perdesh në mëdyshje,
Dhomës mbushur me dritë dhe sende të thatë.
Unë guhatja duart me frymë pas bajames,
Ti brenda dritares, unë jashtë në natë.

Kam qenë hut i hutuar, pas teje,
I bindur se kushdo tjetër ashtu do ish.
kujtohem se dhe bora ishte e hutuar,
Ne djemtë për ty, të hutuar të gjithë…

Kujtohem kur të thashë natën e mirë dhe ika,
Dhe të tjerë kështu kanë bërë, vetëm kaq.
Bëra për ikje, por prita,  qe të vije,
Ti pas dritares, unë besova jashtë.

Dritaret këtu mbyllen shpejt në vjeshtë,
Po mua më zë malli të vish prapë;
Më bëhet të besoj e të presë prapë jashtë,
Dhe pse di se u bë vonë e jemi larg.

E DASHURA IME

Kur te vish mos trokit në portë,
Nuk është porta që e mban shtëpinë.
Mos më përcill më tepër nga lumi.
E dashura ime plot afsh e dëshirë.

Do vish me mua te derdhemi tek lumi?
Kjo botë shtëpi dhe lumë është e gjithë.
Pastaj janë detet, pastaj oqeanet janë,
E ne do të kërkojmë në ta pakë kripë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.