KUSHTET E NJË FANATIKU PËR MARTESË nga Vullnet Mato

Vullnet Mato

KUSHTET E NJË FANATIKU PËR MARTESË

Ai: Para se t’i shtojmë takimet bilaterale,
diçka për mua duhet të dish:
Ti je një krahinë e bukur agrare,
unë – një shtet i egër militarist.

Pas buzëqeshjeve dhe vizitës së parë
që çon dy shtete të pavarur në afrim,
mua më ngjallet instikti barbar
i një sulmi të befasishëm për pushtim.

Dhe bëj raprezalje e bastisje të forta sigurie,
verifikoj në ke pasur punime në territorin tënd,
nga pushtues rivalë të kësaj kategorie
që të pretendojnë bashkëpronësi në këtë vend.

Pastaj, që ti të mos bësh aleanca të nëndheshme
dhe unë të mos kem synime sulmesh në fshehtësi,
marr të gjitha masat e mia të menjëhershme,
të mbush kazermën tënde me ushtarë të mi.

Nëse je krahinë krejt e paangazhuar,
në asnjë lidhje tjetër, apo bashkëjetesë në miqësi
dhe të pëlqen të mbetesh tërësisht e pushtuar,
kur të më shohësh prapë, buzëqesh përsëri…

Ajo: preferoj më mirë vdekjen në liri,
pa u pushtuar nga një mesjetar si ti !…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.