LEKSIONE BRILANTE nga Moikom Zeqo

Moikom Zeqo

FJALOR FIGURASH NGA DORËSHKRIMET E HERSHME

Hëna varet në brinjët e Natës si apendesit i fryrë, – Nata ka dhimbje dhe ulërin, – le ta çojnë në sallën e operacionit

E shoh, – por më tepër më sheh – syri magnetik i busullës!

* Televizori është një dritare treni në lëvizje, por çuditërisht e montuar në sallon.

*Mbretërit e padobishëm qenë Apendesitë, në trupin e popujve.- Ah, Revolucione,- Revolucione!

* Skeleti, mekanika e trupit.

* Dhe planetet shpërndahen nga çdo goditje si gurë bilardoje…

*Kaloj midis dy nofullave: Skillës dhe Karidbës dhe qesh, qesh në amëshim.

*. Zoti lot përherë bilardo me bole yjesh.

* Luftojnë kryqet e Vdekjes me antenat e Jetës.

Dhe gjethet zverdhen si gjysmëhëna!

* Këto prozhektorë notojnë në qiell si trarë të bardhë. Kush i mbledh të bëjë me to një shtëpi?

* Ikën ky tren si një sallon i një pallati të Versajës në një Hapësirë, ku mungon Koha, ikën, ikën…

* Ky pendul sahati është si hobeja e Davidit, me të cilën, e goditi në ballë Goliatin

.* Mbjell fidanë ullinjsh, sikur montoj antena të fotosintezës kozmike.

*Televizori ndizet në errësirën e dhomës si një fener detar…

* Kaktuset në ëndërr bëhen ose njerëz, ose kuaj.

* Mullinjtë e erës befas fluturojnë përpara Don Kishotit si ca helikopterë të së Ardhmes në mesditën e Mesjetës dhe s’ka gjë më të tmerrshme, s’ka gjë më groteske…

*Perdja fryhet si një këmishë femre, por në padukshmëri s’ka asnjë femër, s’ka asnjë femër…

*Semafori si tri kokët me ngjyra të ndryshme të Cerberit në trafikun e Hadit.

* Brazdat janë pentagrame dhe – Po solfezhi i farërave ku është?

*Babagjyshi i Vitit të Vjetër klithi dhe tha, se Vitit të Ri i kanë bërë atentat.

*Ky moment, më shërben, të zbuloj të Ardhmen si pamjet, që duken, nën solucionin kimik të larjes së filmave fotografikë.

* Topat pa gjilpërë të Durrësit në 7 prill 1939, si makina qepëse pa gjilpërë, që s’mund të qepnin dot qefinin për vdekjen e agresorëve.

* Çajniku nxjerr avull si dekovili i vogël në shinat në gjirin e Currilave!

Alqionet janë pulëbardhat, zogj deti, meshkujt kur plaken i mbajnë femrat në krahët e tyre…

*Nazistët me lëkurët e njerëzve bënin dorashkë dhe abazhurë, ose kapakë librash, – ruhen disa kilometra katrore lëkurë, të të zhdukurve, në Aushvic.

Kosta Varnalis (1884), influencë nga Syli Prudon shkroi librin “Populli i tredhur”

* Vdiq i rrëzuar në rrugë udhëtari i vjetër, me këpucët, me thundra të ngrëna, si dy gjysmëhëna të vogla.

“S’kam bredhur gjatë bregut të lumit, për të bërë qejf, me misteret e Afërditës mashkullore…”

Tiresia u verbua, kur e pa lakuriq Athinanë…

Migjeni: “imagjinata e një inxhinieri të larëzum në qiell.”
                                                          ***
Prometeu, si një stenograf i shkathët, shkroi në Librin e Njerëzimit, me rrufetë dhe vetëtimat, sekretin e zjarrit, që ua vodhi perëndive.

* Parthenoni me kolona të thyera ngjan si një nofull vigane me dhëmbë të copëtuar…

*Mesapët ilirë i bënin hyut të tyre Jupiter Menzana fli mëza dhe kuaj…

* Del, që nga ujërat një Hënë amfibe…

* Rrugët janë falangat e një dore të shtrirë, kolosale.

* Mjegulla është si flokët e hipive.

*. O, zog me zemër reaktive!

* Pi magmën si mjaltë të zjarrtë.

* Ylli jeshil i Vjeshtës!

* Totemi i dashurisë time është Centauri

* Mali i Dajtit ngjan si Hënë guri e rrëzuar…

* Helikat e anijeve janë trandafila të bardhë në muzgun e gjelbër të ujërave.

* Nën kiç zbardhin nga helikat ujëvara deti.

Supet e dallgëve me spaleta shkume…

* Vaporët e lidhur tek bankinat duken si kuaj gjigandë në garazhet e kontinenteve.

* Dallgët janë muskuj, që lëvizin me nervozizëm në trupin atletik të detit…

* Me këto artikulacione të elektrovinxhave do ta bëj një ligjërim të qiejve.

* Minatorët, me pluhur të kuq mineral në fytyrë, ngjajnë si hindianët e motshëm të Longfellout.

*Flaka e saldatriçes si një vjeshtë elektrike, plot vetëtima në miniaturë…

*Saldatriçet janë “makina qepëse” që bëjnë me tegela metali “pajën” e arkitekturave metalike të portit të Durrësit.

* Pse velat e anijes janë si gjysmëhëna?

* Hëna është si lëkurë e Dashit të Artë, në Kalkidën e lashtë!

*Yjet si mijra krimba hanë dhe gërryejnë kufomën e planetit…

* Fokuset e zhonglerëve janë si mirazhe të individualizuara…

*Flugeri, shpend druri, që kthehet dhe vërtitet në katër horizontet.

* Nga shishja kolosale e qiellit, po pa tapën e Hënës, doli Nata si gjigandi i përrallës (i fshehur) dhe duke u zmadhuar papushim, pushtoi gjithçka.

* Ylberi si buza e sipërme e një goje të hapur, afrohet të prekë dhe të pijë… detin.

*Tigrat janë ylberët gjitarë.

***

Rozhe Gerodi e barazon artin me mitologjinë.

Chagall: “Kafshët e mia të shumëngjyrshme, të fryra me revolucion.”

* Lampadari është një Vresht qelqi, që rri sipër në tavan.

* Tani më dukej, se nuk ecja në plazh, por në kozmos dhe çorapet më mbusheshin jo me rërë, por me yje.

* Kërcej nga planeti në planet, si në një gur të ngritur, në tjetrin në udhën e përmbytur nga ujërat…

*Në Hënën, skafandër plumbari kur zhytem në detin e mbrëmjes.

* Ç’trena lëvizin mbi vijat e bllokut tim të shënimeve, si mbi shina?

Manteli i mjegullës kopsitur me yje…

*Hëna është zemra e vërtetë e detit, ndonëse jashtë trupit të detit… Baticat dhe zbaticat janë rrahja e saj.

*. Rrufetë janë algjebra elektrike e Vjeshtës.

* Sa prehistori ka në shekullin 20-të?

Bet’hoveni Sonatën e re të Dritës e luan duke drejtuar orkestrën e Kozmosit.

* Mali si një kalë prej guri ka krife dhe bisht prej ujëvare…

Ç’ciganë misterioz farkëtojnë në farkë ylberët?

* Eksploratorët e poleve ëndërrojnë për zjarret si për miniera ari…

* Librat e Voznesienskit: “Parabola”, “Dardha trekëndëshe”, “Zemra e Akilit”, “Antibotët”.

“Ave Oza”, – poemë e Voznesienskit.

* Litarët e kambanave si gjarpërinj na rrotulloheshin në ndërgjegje për të na mbytur si dikur Laokontin.

* Gjethet janë kartëvizitë të dimrit.

* Plepat e zhveshur si shtylla dorike në tempullin e stinëve.

* Ca duar të padukshme, që poshtë asfaltit, mbajnë bredhat e Tiranës si çadra të hapura…

* Muzgu është kreol.

* Bronzin e Hënës të shkrijmë në furrnalta.

Kadareja abstragon nga faktet historike, merr thelbin e tyre dhe thurr ngjarjen (parabolën). Flet shekulli 15, por zëri është i shekullit 20. Rrënjët janë në shekullin e Skënderbeut por degët në shekullin tonë.

* Stinët janë katër pllaka në gramafonin e natyrës, pllakat ndërrohen vazhdimisht, por gramafoni mbetet po ai.

* 3 tetor 1970, e shtunë: “Vetëtimat zverdhen si filtrat e cingareve nga nikotina.”

                                                          ***
* S’ka art pa konvencion.

* Me muzikë elementi emocional ka përparësi mbi elementin racional. Në letërsi ndodh e kundërta. Duke fituar diçka (tekstin) muzika humb diçka (atë, që ka muzika pa tekst.)

* Për të verbrin pika më e dobët e Akilit s’është thembra, por syri.* Meduzat e detit e ndjejnë stuhinë dhe largohen nga bregu, (efekti i ultratingujve).

* Planktoni është bimor dhe shtazor. Si metafora!

* Ishulli i Sazanit është si bebëza (irisi) i Syrit të Kaltër të gjirit të Vlorës.

* Pse Gabriel D’Anuncio e ëndërroi një shtrat të Prokustit për Shqipërinë?

* Pse fshati Mashkullore quhet kështu? Mos vetëm mashkulli duhet t’i japë emrin e tij tokës dhe jo femra? Mos vallë për të treguar se kjo tokë është shterpe, pra jo pjellore si femra?

Onhezmi, emri i vjetër i Sarandës, emri një ere detare… Sipas një miti qe edhe emri Ankizmi, sipas Ankizit, babait të Eneut të Trojës, që gjoja kishte mbritur në këto brigje.

* Përveç fshatit Mashkullorë ka edhe një fshat me emrin Vajzë Emërtime seksesh. Si Adamidhe Eva.

* Aktori Moisi ka qenë edhe aviator. Vdiq në 22 mars 1935. Në Krematoriumin e Vjenës regjisori Beserman hodhi Unazën e Infandrit mbi trupin e Moisiut, nën tingujt e Simfonisë 3 të Bethovenit.

* Njerëzit arritën të njohin gjënë më të vogël lindjen e jetës dhe gjënë më të mëdha lindjen e galaktikave.

* Ndodhin në jetë kthesa të forta: i shmangesh një bulevardi të madh, plot lëvizje dhe zhurmë, për t’u futur në një rrugicë të vogël dhe të qetë. Ose e kundërta!

* Pamja e jashtme e njeriut është si fasada e shtëpisë. Mund të numërosh të tëra tullat dhe të mos kesh asnjë koncept për shpirtin, pasionet, që jetojnë pas murit të padepërtueshëm.

* Poezia, motra e Astronomisë.

* Në mitologji Urania, Muza e Astronomisë dhe Enterpia, Muza e Poezisë qenë motra.

Qiellzimi i poetikës tokësore dhe tokëzimi i Kozmologjisë!

* Rrufetë e vërtis në duar si letra pokeri!

*Tek Njohja jeton Poezia dhe tek Poezia jeton Njohja!

* Askush nuk e njeh gruan se sa njeriu, që ka rënë në dashuri me të!

****
Arti do të zhdukej me siguri, në qoftë se do të mund të thuheshin të gjitha gjërat njëherësh!

* Për të krijuar një vepër arti nuk mjaftojnë talenti, mundësia, koha. Ashtu si mes oksigjenit dhe hidrogjenit duhet të shpërthejë shkëndija elektrike, që të mos mbetet një përzierje e thjeshtë gazrash (elementesh), ashtu edhe në shpirtin e artistit duhet të shkëlqejë ndonjë zjarr (elektricitet) shkaktuar nga ndonjë ngjarje, a motiv.

* Romanet mbi të Ardhmen janë shkruar duke parë të Shkuarën e Tokës. Në udhëtimet në kozmos, në planetet e panjohur përshkruhen shumë aventura, të ngjashme me të lundërtarëve argonautë. Gjarpërinjtë mitikë të detit, kallamarët dhe oktopodët viganë vërtiten si monstra kozmikë. Tërë romantika e lundrimit endet e shfytyruar në Univers!

Në epokën e Rilindjes Europiane arti kish nevojë për shkencën. Në kohën e sotme shkenca ka nevojë për artin.

Në të Ardhmen, thonë se gjuha e njeriut do të jetë një përzierje termash shkencore, teknikë, formulash dhe simbolesh. Mendoj, se do të ndodhë e kundërta. Do të ketë më tepër poezi!

* Arti ka jetuar (dhe jeton) në proporcione njerëzore. Dy njerëz duhen me njëri tjetrin dhe sa shumë libra janë shkruar (dhe shkruhen) për këtë. Tërë temat fantastike, futuristike, universale shkruhen (dhe do të shkruhen) brenda proporcioneve njerëzore. Arti është antropomorf në kuptimshmëri.

* Kozmosi është një skenë tepër e madhe për dramaturgjitë e vjetra.

Përpjesëtimet kozmike të skenave duhet t’u përgjigjen dhe përpjesëtimeve kozmike të ngjarjeve, të guximit dhe heroikes së Mendimit!

* E bukura në art dhe e bukur anë realitet s’janë identike, por as antagoniste.

*Figura artistike është Trinitet: 1) objekti si pasqyrim, 2) ndjenjat, 3) vlerësimi si strukturë dhe estetikë.

* Tragjikja është edhe heroike edhe jo heroike!

*Karakteri krijues i artit ka ligjin e individualizmit (origjinalitetin perceptues) dhe të tipizimit,- harmonizimin sinkretik mes tyre e ben vec  sinteza.

Si Djalli tek Miltoni, a Liza në Botën e Çudirave, unë zvogëlohem dhe zmadhohem.

Leonardo Da Vinçi: “Syri më jep në perceptimin e botës më shumë se veshi.”

*Stendali: “Sa më i fortë të jetë karakteri i njeriut aq më pak ai anon nga dashuria e përkohshme.

* 11 balena në qershor 1960 hynë në Adriatik.

* Makinat qepëse të rrufeve bëjnë rrobat e ylbereve, si kostume të habitshme, të Arlekinëve përrallor

Kravata e Majakovskit lëkundet si pendul i Kohës Futuriste.

Deni Didero: “Bëhu dishepull i ylberit, por jo skllav i tij!

Hemingueji: “Oqeani është i denjë për ta përshkruar jo më pak se njeriu.”

* Përsëri Hemingueji: “Letërsia e madhe lind nga njohja e padrejtësisë.”

Meterniku: “Kur merr të ftohur Franca teshtin tërë Europa!”

.* Ligji i Lamarkut: “Një organ, që ka një funksion intensiv, do të perfeksionohet nga pikëpamja strukturore, në të kundërtën, do të reduktohet në volumin e tij, ose do të zhduket fare.”

Eksitimi dhe inhibitimi – dy anë të një kontradike.

*Zhytësi dhe shkencëtari i nënujit Kusto: “Mbas 100 metrave nën det tonet e ngrohtë nga e verdha tek e kuqja thyhen ngadalë…”

* Balena e kaltër peshon sa tre dinozaurë, shtatëmbëdhjetë elefantë dhe njëqind e tridhjetë e tre buaj…

*Çdo roman e posedon një zhvillim konvergjent….

Adaxhio është koha e një kompozimi të ngadalshëm, bravura lidhet me kompozime virtualizmash kontrapunkti, teori e shkencës muzikore, që merret me kombinimin e një, ose më shumë melodive…

Dymas (Ati): “Henriku VIII është vetëm gozhda, ku unë var kuadrin tim, për të.”

Salvatore Quaziomodo:

Dhe gjethe më bëhen duart,

Duke lulëzuar

Mbi ijet e tua!

*Sent Exypery: “Nuk dua të jem dëshmitar, dua të jem pjesëmarrës!”

Olldigtoni: “Xhejms Xhojsi me talentin e tij të rrallë, të madh, të padisiplinuar është më i rrezikshëm se sa një anije e tërë e mbushur me dadaistë.”
                                                ***
Artisti është demiurgu i mbijetesës. Arti i tij është një fe, që ka ekzistuar para fesë. Ai është një hilozoist i pavetëdijshëm. Animizimi i tij dallohet shumë nga magjia dhe besëtytnia. Ai nuk thotë: “Përkulni kokën dhe bëni temenara, – këtë e kërkon teologu, – artisti thotë: nderomëni dhe gëzohuni!”

*. Buholtz: “De Rada ka kompozime të denja për Eskilin dhe Shekspirin.”

Tashizmi, piktura në njolla, me pikëzime të pafund.

* Gjyshja ime Faika: “E bukur është dëbora, por vinë qentë dhe e përmjerrin.”

Rozhe Vadimi, kinoregjizor francez, i famshëm edhe për ngjyrat barbare të këmishëve të tij, i martuar edhe me Brixhit Bardonë, i bën filmat si “poezi krevati” dhe thotë se “një femër mund të ngadhënjehet, siç mund të ngadhënjehet edhe një kështjellë”.

*Arti pret më kot, sikurse Danaja shiun e artë (Zeusin). Ky shi është i mbyllur në Olimp.

* Këta skulptorë abstraksionistë janë si një akademi impotentësh..

Erazmi i Roterdamit: “Populli është bisha me shumë koka.”

Kostelacioni shkëmbor i peizazheve dritëson nga brenda duke përflakur muzgjet…

*Dhe bëj transplantimin e luleve në Hënë…

*. Kaktuset ngjajnë si Don Kishoti, me parzmore dhe veshje hekuri me gjemba

Hëna si piramidë kufiri, mes natës dhe ditës…

Vezët janë si Hëna të vogla, që kanë në gji Diej…

*. Anderseni dhe Zhyl Verni ma kanë dallgëzuar Detin e Fantazisë…

Historia i rrëzoi mbretërit si gurët e shahut.

Nën këmbët e elektrovinçave  si nën këmbët e Guliverit…
***
Nata me dhëmbë rrufesh, kafshon Hënën, si Kont Ugolini kafkën e Ruxherit…

Kush i di klithmat e taulantëve për vdekjen e Teutës?

Igor Stravinski: “Instrumenti frymëzon dhe përcakton edhe mendimin muzikor.”

*. Dielli dhe gruaja janë dy kulte që adhuroheshin nga banorët e qendrave prehistorike. Në vendbanimin e Kamnikut kjo është diçka e formuluar qartë. Diellin e gjejmë të paraqitur në formë spiraleje, kurse figurën e gruas si objekt të veçantë skulpture, ose në rolin e enës për të mbajtur lëngje.

* Piktorët e lashtë kinezë; “Sa më pak të ketë për të shikuar, aq më tepër dallojmë, sa më shumë të ketë për të shikuar aq më pak dallojme .”

*Pol Elyar:

 Moçali si Diell i mykur,      

Liqeni si Hënë e gjallë!

.* Fantazia e popullit dallonte në Hënë, në njollat e saj Kainin me një dorë shkarpa duke u endur…

* Përherë mbi amfiteatrin e Durrësit Hëna më ngjan me një shqyt gladiatori…

* Ç’është kjo kuçedër stramastike?

Gjithë Imagjinatën e kam tek një gotë në duar…

Në pistat e vallëzimit ndanë detit, lëvizin gaforre të vogla…

* Mbase dikush me sopatë preu copa qielli të bardhë dhe i bëri këto mure në dhomën ku unë shtrihem të fle, në shtëpinë me oborrin plot xinxife dhe zambakë në breg të Dhërmiut…

* Shoh në thellësi të detit flluskat e polumbarit si të jenë mijra e mijra mushkri të vogla plot ajër..

*Vjeshta derdh qiejt, plot ujëra, për të ngopur “gojët” e hidrocentraleve.

* Sheshi ngjan si pishinë e kaltër dhe neonet si notarë në rresht, gati të hidhen, në një garë të mrekullueshme…

*Alkeu e quante mjekrën: “Pupla mashkullore”.

* Në mesjetë mendohej, se magjistarët, mund ta torturonin njeriun, duke bërë më parë një kukull prej dylli, të ngjashëm me të, duke e torturuar, si tautologji, kukullën…

Tani ky shesh do të ikë, do të ikë, si një gaforre e madhe me këmbët e rrugëve…

*. Toka si kanguri mban në bark statujat…

* Këto re me telat e tensionit të lartë në pllajë janë si flokët e grave me telat përdredhëse nëpër flokë në sallonin e permanentit…

* Vitrinat ndrisin si guaskat e deteve tropikalë me shkëlqim të bardhë dhe blu…

Retë si plakat e Gjirokastrës, në filxhanin e Hënës pijnë natën e kafes së zezë.

Reklamat si peshq të kuq janë mbledhur kokë më kokë si në një akuarium qiellor.

Shtëpitë e bardha në bregun e Himarës, si zarfe me letra në postën e gjeografisë..me vulen e Henes.

* Tani Hëna lë gjurmën e saj kudo si vulë poste në zarfet e reve mbi Jon.

***

Hegeli: “Përmbajtja e artit është idea, kurse forma e tij është paraqitje sensuale, figurative… arti është hija e imagjinatës tonë.”

Balzaku për Honore Domjenë: “Ky ka Mikelanxholon nën lëkurë.”

Çu En Lai ka qenë punëtor në fabrikën e automobilave “Reno”, kurse Ho Shi Mini fotograf në Paris.

Marsel Kashen: Shokët më vënë të fle në shtretërit e mbretërve – kam fjetur në shtratin e Carit rus, në shtratin e Mbretit të Rumanisë, Dimitrovi më vuri të fle në shtratin e Borisit, Enver Hoxha në atë të Viktor Emanuelit, në Francë në shtratin e Maria Antonetës.”

Th.S.Elioti, në poemën “Njerëz bosh”: “Në kokat tona kashta kërcet, ne jemi të mbushur me lecka.”

Salvator Dali në opusin e tij surrealist: “Qytetërimi atomik”, “Tre Sfinksat”, “Neroni atomik”, “Hiroshima”, “Vdekja atomike e tokës”.

* Shkronjat kufike të Kuranit.

* Toka, ku dhe yjet kanë rrënjë…

Plagët krijojnë një kaçube trandafilash…Ç’zogj të artë, i çukitin në prill? Ç’shqiponja të egra, u pijnë vesën e netëve? Ç’kuaj i nuhasin dhe u dridhet zemra?

Zeusi me vetëtimat kishte monopolin e elektricitetit në mijëravjeçarë..

* Në arenën e amfiteatrit u gjendën kocka luanësh, tani në ëndërra ne ulërijmë në pambarim, në një pikëllim kozmik..

“Te deum”, himni i kompozuar nga Shën Ambrozi

Guliveri i mbërthyer nga flokët si Krishti nga gozhdët në kryq…

Migjeni i mbërthyer nga mjegulla prej helmi, e kohës, si Herkuli nën këmishën vdekjeprurëse të Dajamirës

* Gjeomantet qenë fallxhorët që bënin pikë dhe vija krejt të rastit mbi tokë, duke formuar kështu figura të çuditshme, për të nxjerrë pastaj interpretime të ndryshme…

*Sipas Platonit, shpirtrat, para se të zbresin tek trupat banojnë nëpër yje, prej nga marrin dhe cilësitë e tyre, që i mbartin njerëzit, por pas vdekjes shpirtrat kthehen prap drejt yjeve…

Virgjili thotë se Sibila e Kumes i shkruante profecitë e veta mbi gjethe pemësh dhe i vendoste pastaj në shpellë, por frynte era dhe i shpërndante gjethet e shkruara, por kur i mblidhnin sërish, nuk i gjenin dot kuptimet e para, të profecive sibeliane..

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.