LETËR NANE nga Elida Rusta

Eida Rusta

LETËR NANE
-në 22 vjetorin tand-

Më mori malli prap’.
Edhe ty Ambra sigurisht të merr malli për mu. Tre vjet larg a treqind e tridhjetë e tre? Rrugica ku u rrite m’sheh ftohtë. Shpesh s’më flet. Ajo e di që asnjiherë nuk ándrrove me qenë e pasun, sall rreth vetes me pas dashni. Çoje kryet nalt, mbas malit që sheh jam unë, pres që ti me mbrri majën, atëherë le t’i mbylli sytë që edhe n’vdekjen téme ta gjesh atë çka të duhet. Qiriun e fundit kur ta fikësh, mjeset t’i gjesh me yje e në dritë t’i puthim sytë tanë. E bukur ndihem pse ti m’báne njeriun që jam, në vendin e Migjenit, por mbushun ajër perandorak prej teje. Më ndje që të lash’ me u rrit vetëm, por ti e di, relievi i Tokës ka edhe kodrina. Njeriu aty ec má kadalë. Kur kjo tokë lëvrohet dalin edhe rránjë. Jeta i ngjet një përralle ku gjithçka
mbaron e fillon sërish, ani pse nji frymë pa tjetrën shkon kot. Foton tánde e lá te kryet Ambër, i çeli sytë me të se ma lé ashtin me pikë bre. Shtrojen e butë ku flinte gjoksi yt e kam në aromë të shtatit. Prej sukseseve tua zemra don me m’dal prej vendit. Nisu ditënetëve me ujqën le t’frigohen, se sytë e tu shndrisin má fort se dhámt e tyne. Nuk ásht e lehtë bijë deri që t’vijë nata, me jetue për t’tjerë. Hajde nánë, rritu edhe pak, hepohu n’majë të gishtave. Due me ta pá guximin që ke, kur punon dymbëdhjetë orë e del studente nderi, due me u zgjá n’zemër, me u shtri n’qerpikët e tu e me u ngroh si diell. Báni si unë gjánat e bukura, çaj të nxehtë për ditë mërzie, mos shih asgjá me zili, rroki si me qenë tuejat se janë. Na po jetojmë, kot a plot nuk e di. Shtyllë rruge që herë ka drita, herë jo. Llampën e re e ruejmë për ty. Ti mal me borë rri aty, deri sa t’forcohen kamt. Kamt që përplasshe kur ishe fëmijë me ble akullore. Tash je aristokrate me kapelen në modë që e don shpinë as t’madhe, as t’vogël, e ke strehë që pret rrufetë e me kamb shkon n’det. Mbesë bjeshke që ta kanë lakmi edhe mollët. Bukuroshja jéme!
Krahnori u dogj prej malli, ditët tona pa ty luejnë mendsh, bájnë shpirtin me rrudha e sytë na i lánë lakuriq.
Nána e din që nuk miklohesh prej lavdeve. Mos rri pa e mbrri edhe nji qiell tjetër, por kthehu me Statujën e Lirisë n’dorë e pimë kafe në një filxhan Shkodre. Prej dashnisë nanave, bota e rrumbullakët, rrotullohet derisa i dalin cepat.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.