LIBRI- VEZHGIME MBI LASHSHTËSINË E GJUHES SHQIPE nga Moikom Zeqo

Moikom Zeqo

  LIBRI- VEZHGIME MBI LASHSHTËSINË E GJUHES SHQIPE
-Një libër i Sulejman Matos, një grishje për dialog shkencor
 mbi gjuhen shqipe

Sulejman Mato, miku im i vjetër, është jo vetëm një poet i veçantë, i shquar, një nga lirikët autentikë, i hollë në shije dhe sendërtime estetike, por edhe një tregimtar origjinal, me përvojë të drejtpërdrejtë jetësore. Ai ka lëvruar me sukses romanin dhe dramën, pa harruar publicistikën dhe kritikën letrare.Të gjitha këto atribute përbëjnë një sinkretizëm ; përcaktojnë profilin e tij plot interesa të gjerë dhe të shumëfishtë intelektualë dhe njerëzorë.

Prej kohësh Sulejman Mato merret me hulumtime gjuhësore, historike dhe mitologjike. Libri i tij me studime :”Në kërkim të rrënjëve”, botuar para dy vjetëve, u prit me kureshtje dhe interes të veçantë. Gjurmimi shumëvjeçar në rrafshin e historisë së lashtë,  të dijes së gjuhës shqipe, e bën këtë autor plot pasion dhe palodhshmëri, të spikasë në brezin e tij, pa dyshim, si një shkrimtar me interesa të mëdhenj dhe të shumëfishtë.

Sulejman Mato lexon pa pushim, por edhe me vetëpërmbajtje dhe thjeshtësi kërkon verifikimin shkencor  të hipotezave dhe të argumenteve që nxjerr në dritë për zhvendosjen e miteve nga një terren i huaj në truallin që i ka lindur. Ky libër i tij më i ri dëshmon për këtë gjë. Libri  « Vëzhgime mbi lashtësinë e gjuhës shqipe », një titull pretencioz, rreket të lëvizë në aventurën mijëravjeçare të gjuhës shqipe. Mato u referohet dhe citon autoritetet e shkencës historike dhe gjuhësore botërore, ngre hipoteza pune, kërkon të lidhë fijet e këputura të historisë gjuhësore mes ilirishtes dhe shqipes, sanskritishtesh dhe shqipes, anglishtes dhe shqipes.

« Vëzhgime mbi lashtësinë e gjuhës shqipe » është një studim i vëmendshëm dhe njëkohësisht një ndihmesë me vlerë në rrafshin kulturologjik dhe linguistik i cili shtron pyetje të rëndësishme të origjinës së zanafillave gjuhësore të njerëzimit.

Dihet se gjuha shqipe është dega e vetme gjuhësore më afër rrënjëve të pemës gjenealogjike indoeuropiane, ndërtuar së pari prej gjuhëtarit Shlajher. Kjo degë e vetmuar gjuhësore e shqipes, që nuk krijoi asnjëherë një familje gjuhësore me gjuhë të përafërta, si: latinishtja, sllavishtja etj., erdhi pas një situate përfundimtare tkurrjeje dhe vetmie, lidhur me popullsinë relativisht të vogël të shqiptarëve të sotëm. Është e qartë, ilirishtja me japigishten, mesapishten, por edhe me trakishten ( popullsia më e madhe në lashtësi pas indianëve), kanë qenë disa degë të një trungu, të një familjeje gjuhësore.

A nuk qenë dardanët ata që emëruan ngushticën e Dardaneleve ?

Dega e vetme e shqipes është mbijetesa e çuditshme pas një katastrofe gjuhësore, e popujve dhe e fiseve të mëdha në kontinent, që nuk janë më arketipa të tyre, janë koncentruar gjuhësisht te rrënjët e gjuhës shqipe, si një mbijetesë e çuditshme.

Epoka parahomerike pelazge, homerike-pas homerike, epoka e ilirëve dhe e trakëve na çojnë edhe te gjuha shqipe, si çelësi i qytetërimit të lashtë të popullit shqiptar.

Sulejman Mato ka shpalosur në këtë libër tërë ato enigma të mëdha dhe të fshehta, të cilat, brenda lëvozhgës së mitit, kanë bërthamat e të vërtetave të fshehura në shekuj.

Instinkti i poetit kur rreket të futet në të fshehtat shkencore, duhet besuar, pasi ai përcakton dhe optikën e tij.

Dija gjuhësore është rigorozisht shkencore, nuk pranon diletantizëm, as marrëzira të pakujdesshme. Dija gjuhësore është shumëdisiplinore, është e rrafshit diakronik dhe sintetik, ka një histori të brendshme dhe tejet të gjatë.

Mato e respekton këtë parim thelbësor. Ai citon Eqrem Çabejn, Fan Nolin e shumë albanologë të njohur në rezultatet e tyre të besueshme dhe të verifikueshme, por rivlerëson edhe disa studime të harruara të Spiro Kondas-dijetar i veçantë, erudit e poliglot.

Sanskritishtja, latinishtja, greqishtja, keltishtja etj. kanë lidhje me shqipen dhe në hershmëri me ilirishten apo edhe me trakishten duke respektuar ligjet e brendshme të zhvillimit fonetik, morfologjik dhe sintaktik të procesit linguistik.

Mato u vë rëndësi tabelave krahasuese të fjalëve të veçanta të shqipes, sepse krahasueshmëria, si metodë, është efikase dhe e paeliminueshme. Optika krahasimtare përbën thelbin e këtij libri. Natyrisht, jo të gjitha ekuacionet gjuhësore të shqipes me gjuhët e tjera indoeuropiane mund të jenë mbushamendëse dhe të sakta, por tërheqja e vëmendjes së lexuesit bëhet më e spikatur. Tabelat krahasuese bëjnë të lëvizë mendimi

dhe të gjallërohet ideja e një studimi më të thelluar.

Pas vdekjes së Çabejt duket sikur gjuhësia shqiptare dhe doemos gjuhësia historike ka mbetur në vend, nuk është fuqizuar me fakte dhe ide të reja.

Por, në mungesë të shkencëtarëve, përveç tyre, a nuk duhet të interesohen edhe shkrimtarët ?

Sulejman Mato është shkrimtar që interesohet jo vetëm për gjuhën, si lëndë e letërsisë, por edhe për gjuhën si shkencë. Përpjekjet e tij tregojnë se kështu duhet të veprojnë edhe të tjerë shkrimtarë. Të vjen keq që shkrimtarët e Shqipërisë tregohen indiferentë ndaj shkencës gjuhësore.

Libri « Vëzhgime mbi lashtësinë e gjuhës shqipe » i autorit të njohur  Sulejman Mato është tejet interesant. Me këtë libër autori u ofron studiuesve të linguistikës shqiptare dhe botërore si dhe lexuesit të thjeshtë një mundësi për një dialog të vërtetë shkencor.              Dr. Moikom Zeqo,
20 dhjetor 2007

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

1 Comment
  1. It would be an honor for me to read this fantabulous page. All are words are meaningful and informative. My sincere respect and heartfelt congratulation to my friend and great poet of Albania “Mr. Sulejman Mato”. I am an avid follower of his majestic poetry.

Leave a Reply

Your email address will not be published.