LIQENI I SHPIRTIT nga Mihallaq Qilleri

Mihallaq Qilleri

PAQE NË SHPIRT

Kam vendosur të bëj një pakt me vetveten,
Një pakt të nënshkruar në sallonin e pendimeve,
Kam vendosur të mendoj më pak,
Të shoh më pak,
Të shkruaj më pak,
Të flas më pak.

Kam vendosur të fundos manjera, keqkuptime,
Etjen e kundërshtisë ta shuaj përgjithmonë
Në stokun e hijeve të zbehta,
Të lexoj më pak,
Të këndoj më pak,
Të kërkoj më pak.

Kam vendosur të fal gjithkënd për të gjitha vitet,
Që më ka shkurtuar me sopatën e mosmirënjohjes,
Vitet, ditët, orët më të lumtura,
Të endem më pak,
Të shkoj në teatër më pak,
Më pak muzikë të trishtuar.

Kam vendosur të të fal edhe ty, o fat i brishtë,
Për plagën e patharë të vdekjes së nënës,
Madje edhe për vdekjen time të të fal!
Ta shoh diellin vetëm në mbrëmje,
Të vallëzoj më pak,
Të buzëqesh më pak.

Kam vendosur të bëj paqe me shpirtin…

LIQENI I SHPIRTIT 

Mund te ishe edhe det. Oqean mund të ishe,
Por unë të përfytyroj vazhdimisht
Një liqen Lure, në thellësi të vetvetes,
Ku reflektimi i maleve të larta,
Më jep ndjesinë se ekzistoj..
Ti më mbush shpirtin me freskinë e fjalës,
Dhe frymën e ashpër ma zbut, ma tret, ma largon,
Me sytë dhe frymën tënde të pashoqe,
Me buzët-kadife që aq shumë i ëndërroj.
Kur ikën ti, mua me shterojnë burimet e freskëta
Të mendimeve e vargjet thahen si copa lëkure
Që nuk i ka parë dielli kurrë, as hëna jo,
Dhe jeta ime mbetet si një truall i ngrirë,
Në brendësi të shpellave karstike.

Mund të ishte edhe vullkan
me çmendurinë
E shpërthimeve të befta magmatike.
Të përmbytje shpatet e kujtimeve të mia,
Me gjuhë-flakësh të pakuptueshme.
Zjarr mund të ishe e përvëlim torturues,
Mund të zgjoje gjithë dëshirat enigmatike.
Dhe arratinë të merrja pas teje në shkretëtirën
e etjes.
Por jo..Ti je liqeni i shpirtit tim të trazuar
Dhe unë qëndroj e të sodis, të sodis brenda vetes.

PEJZAZH MALLI

Ka hënë të plotë sonte dhe ngjan shumë bukur.
Thellë natës së Tiranës ndihem ethshëm në vetminë time.
Nuk ndjej kurfarë dëshpërimi, sepse nuk të kam humbur, 
Megjithë largësinë prej teje…

Ka hënë të bukur sonte dhe ngjan shumë bukur,
Trishtimi i së vërtetës nuk fyhet, nuk zëmërohet,
Nga ankthi i mosqasjes.
Bota është e shkretë sepse më mungon
Ndonëse pas shpine lëvrijnë me mijëra sy.

Ka hënë të plotë sonte dhe shumë bukur ngjan,
Në vetminë time drithëruese ndihem mirë,
Ndonëse më mungon ti që të njoha fatmirësisht,
Ti që frymë e ndjenjë mbolle tek unë, befasisht..
Ka hënë të plotë sonte dhe ngjan shumë bukur,

Thellë natës së Tiranës ndjej brishtësinë e trupit tënd,
Dëgjoj klithmat e etjes tënde të pafund
Mbetur shkretëtirave të vetmisë,
Të dhimbjes, mungesës, humnerës së dëshirës,
Dhe më vjen të qaj..
Të dua sonte nën këtë hënë të plotë… !

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.