LIRIKA “CIRCE” E TË SHKRUARIT nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

LIRIKA “CIRCE” E TË SHKRUARIT

Shënime për librin e ri të poetes DRITA LUSHIT “Sonata e Syve”
nga SHEFQET SULMINA

Leximi i librit të ri poetik të poetes farmaciste, Drita Lushi, ka qenë një cingli kureshtie që nga faqja e parë e deri në faqen e fundit. E them që në fillim se magjia e saj në të shkruar i ngjan artit të Circes kur ishulli i saj vjen e pushtohet nga një grup detarësh me Odisenë në krye.
“Një shi i lehtë bëhet përrua mbi mua”. thotë poetesha në fillim të librit.
Unë nuk e kuptoj se ç’ju desh Odisesë që së bashku me shokët e tij do të shkelte nëpër lëndinat e ishullit të një gruaje?… Dashuria për tokë, etja për të pirë, etja për grua, lodhja nga deti? A ishte bëma e aventurave të Odisesë emblema e vërtetë e gjetjes në tërësi? Çfarë ishte Circe? Një mol, një Ishull, Një grua? Mos vallë në mendjen e Omerit ishte një gjysmë molle që kërkonte gjysmën tjetër të braktisur në emër të gjetjes në një ishull të stisur?
Kështu fillon dëshira për të bërë një libër dhe për të lexuar një libër, me zbulime. Te gjithë e dimë se librat behën me letër, por nuk e dimë ënde si bëhet poetikisht një grua dhe një përrua. Unë besoj se poetesha, Drita Lushi, para se të bënte një libër, ka gjetur Odisenë e lodhur nga deti në lëndinat e saj prej gruaje. Vetëm se Odiseja i saj nuk i ngjanë Odisesë së Omerit, por Odisesë së sotëm dhe e sheh orë e çast përmes syve të poezisë së saj që mbajnë titullin e librit, “Sonata e syve”, botuar nga shtëpia botuese “Nacional”.

Odisea i poetes është lexuesi. Të dy janë pushtues të përzjarrshëm si poetesha edhe lexuesi dhe ngjarja ndodh në një ishull të vogël sa një libër. Nga poezia “Shpirti” me të cilën hapet libri me dialogun e parë midis tyre Circia do ti tregoj menjëherë Odisesë shpirtin e saj dhe filozofinë e shpirtit. Hapet sipari dhe poetesha tregon shpirtin.
Para se poetesha të tregoj shpirtin le të flasim një çast për të kuptuar se çfarë është fjala “ inganoi” që unë jo pa qellim do ta përdor dhe për ta zëvendësuar këtë fjalë me artin e të shkruarit “circe”.
Ingano, në italisht, në përdorimin e saj drejt artit, kupton me magji artin e të shkruarit, ku lexuesi vjen e përpihet krejtësisht nga ajo që lexon, pa pyetur për të vërteta, sepse të vërtetën nëpërmjet të tjerash ta “siguron” emri i autorit. Mirëpo vetë fjala “Inganoj” vjen nga shqipja e vjetër, që do të thotë “nga anoj”, nga e cila lindin një varg metaforash të tjera, psh, anë(të mbajtur ane) “anoj”, “arnojë” etj. Mirëpo në artin e të shkruarit mund të quhet magjia që i shkakton lexuesit për tija mbajtur gjallë kureshtinë për ta ndjekur, të shkruarën e tij artistike. Çdo autor mban një anë… (jo gjithmonë). Meqenëse në shqip, ka kuptim të detajuar kjo fjalë me burim shqiptar, unë do ta përktheja edhe “magji”, por është e tepërt. Ndërsa të shkruarit “circe” është futja e lexuesit nëpër rruge të reja, të mprehta, të pa shkelura, ku lexuesi ndjehet i interesuar të gërmojë mbi ato që unë, ti, tjetri shkruan, duke qenë i lirë të mbaj qëndrimin e vetë dhe nuk japët anësi…

Shpirti i një gruaje:
Çudi me shpirtin!
Nuk sheh,
është miop,
s’të pyet,
papritur të thotë: “jo”
degdiset
vrapon,
Të jetojë dhe vdesë
tek ai që do.

Është e vërtetë, i thotë Odisea dhe i kujtohet kënga e sirenave…, ndërsa pi gotën e parë me verë nga ishulli i Circes. Circia vazhdon:

...në rruge shpirtra, pranverë dhe maj
D(r)ita zgjohet…
Shkumbini ngre oktavët
Pranvera lëkund me gjelb’rim edhe malet…!

Kjo është vendlindja, “ishulli” i saj… Në kokën e Odisesë, të lexuesit, apo të një poeti, zbret Itaka e tij me konturët e saj. Vera në gotën e Odisesë bëhet më e dashur, por një zë hyjnor duket sikur i flet atij: “iii! ta ka me hile!”, do të të deh dhe të të mbaj në kopshtin e bukur të saj… Ndërkohë të tjerët miqtë e tij janë bërë “derra të nginjem” të Sokratit të vjetër. E harruan Itakën, u turren pas parasë dhe pushtetit… Circia jo. Madje as Odisea. Ajo kërkon të mbushi me dashuri, me burra dhe fëmijë ishullin e saj, për popullin e saj të grave, ndërsa Odisea kthimin e tij në Itakë…

Po rritet ime bije, thotë poetesha,
(e vogla ime e gjith’hershme!)
Përkundet, ëndrrave
Detit. Diellit,
Të fshehtave dhe të rejave,

… dhe vazhdon të tregoi për babanë e saj:

... Im atë, ishte një burrë i rrallë.
Ishte për mua, babë shok e vëlla…

Në kokën e Odisesë mbërrin Penelopa dhe Telemaku. Edhe Odisea është baba. Edhe ai ka fëmijë, një grua, një nënë… dhe është gati të ngrihet për udhë.
Poetesha:
Pallati ku banon ime më,
gumëzhinte dikur nga fëmijët
tani thotë ajo,
Këmbehem në të rrallë me burra e gra,
që vijnë të shohin në pallat pleq.
Odiseja megjithëse i lodhur, vazhdon ta qëmtoj thellë në sy, Circe nuk resht së mikluari, me sy të ëmbël dhe gjuhë gruaje, dhe shprehet:
Do të doja, të mbyllja sytë një moment,
dhe të shprehja një dëshirë…
por,
po e mbyll me kaq këtë letër…!
Natën e mirë!
Bën ta lërë të flej mikun… Psikologjia Circe është kaq e ndjeshme përballë Odisesë së saj, i cili, gjendet vërtetë i lodhur nga rruga e detit, sikurse lexuesi i sotëm, prandaj poetesha i jep këtë kamomil delikat …dhe leje për të fjetur. (!)
Odiseja vë buzën në gaz. (Odisea ndërtoi kalin e drurit, që njerëzit mos të flinin mbi kalin e gjallë). Këtë e di Circe, e di edhe poetesha… Circia ndërron taktikë duke i thënë edhe një poezi tjetër për mëngjesin ku ai do të zgjohet dhe mund të këtë dëshirën ta takoj:
Nëse ke vendosur të më
zgjosh mëngjeset me puthje,
e të më çelësh, çdo ditë të re…
Duhet, më parë…
Të më lësh… të fle….

Më pas vjen poezia tjetër me titullin “Sonte dua ti përkas ndjenjës” që e bën Odisenë në një mbrëmje marramendëse, para kësaj gruaje plot ndjenja, plot zjarr dhe dëshira. Fjalët e saj janë pëshpërima erë dhe kanë një rrjedhë të qëllimshme për magjinë e saj. Odiseja ndjen ti shplodhen muskujt dhe dejet. Nata përjashtë është e bukur dhe plot yje për shtigje. Sytë e tij mbeten mbi yje dhe mbi grua. Ja si vazhdon më tej poetesha:

Kur gishtërinjtë të formojnë
mes tyre, nota të dridhshme dashurie,
S’dua t’ia di më paskëtaj,
ç’do të këtë,
apo ç’diell do të ngrohë mbi ne.

Odisea tashmë ndjehet i dehur, i dehur ndjehet edhe lexuesi, por nuk janë të pirë, sepse asnjë burrë nuk është ndjerë i ngopur duke pirë një grua. E jo më një Circe. Mirëpo tani është vonë, sepse zjarri dhe afshi i një gruaje, ka shtrirë pushtetin në afshin dhe ndjenjat e tjetrit. Poezia e poetes vjen faqe pas faqe, lirikë pas lirike, duke zbuluar hiret e bukura të fjalës, të mendimit të saj dhe të filozofisë së saj. Duket sikur ajo do te zbuloj ndjenjat qe fshihen në pëshpëritjen e trupit të saj. Poezia nuk përbëhet më vetëm nga mendime të forta dhe të shkëlqyera, ajo shndërrohet edhe më intime, më e nxehtë, më e këndshme. “ vjeshtën mund ta kthej mbrapsht” i thotë Odisesë së lodhur që herë pas here sheh yjet…, apo, një njeriu që trishtohet për ikjen e vjeshtës. Sepse, ajo e di që në dashurinë midis njerëzve, nuk ka rëndësi koha, por intensiteti. Dhe këto gjëra i thotë plot mburrje, plot qeshje dhe fjalët e saj ngjajnë me një breshër të lehtë vere.
Ti, hiqesh i fortë,
sikur mendjen s’e vret;
sikur je i pathyeshëm…
i vendosur,
dukesh më shumë se burrë,
në ato ç’ka thua
Por, ja,
ja që të mbahet pakëz goja,
kur flet me mua.
Libri është në poezi, por poetesha e ka kthyer në një “dialog” të shkëlqyer me “Odisenë “ e saj, sa të jep përshtypjen që këto poezi janë shkruar të gjitha për një mbrëmje, me yje, me pak zhurmë gjethesh të gjelbra dhe me mëngjese që lindin.

Por,
do të të thosha,
që kam nisur të flas me gjestet e tua,
dhe shpesh përsëris ato që ti thua;
të të imitoj në zë, e në sy…
Por,
fjalë të mira, s’mund të të them ty.
Por,
mund të të them gjithashtu,
Që, teksa eci rrugëve të qytetit tim,
ku ka harta dëbore ende të pashkrirë,
dhe trotuare ende të ngrirë,
më ngatërrohen në hapa,
që në “ një… dy”…e deri në fund,
mendimet e çuditshme, për ty.

Por nëse ke vendosur, i thotë ajo Odisesë, (sepse Circia poetike e D.Lushit, është vetë liria dhe drita që u do njerëzve dhe dëshirave në tërësi), duhet:

Të më duash vërtet (veç)mua,
Duhet të vish vetëm me një zemër!
Një zemër,
e cila ta këtë çdo dhomë të lirë,
të pastër e ajrosur mirë.
Dhe tek pragu e qark,
Të mos këtë askënd që pret,
Asnjë që troket.
Kuptove?
Mos qesh…

Circia e dinte që Odiseja kthehej nga lufta dhe për këtë i tregon luftën dhe puthjen… Edhe lexuesi i Dritës është një lexues, një punëtor, një bujk, një nënpunës, një artist, një admirues i saj…. njeri i kësaj kohe, që përveç të tjerash në jetë, është në kërkim të një gruaje, ose një i dashur i një gruaje për të cilën duhet ta çmoj. Dhe që të këtë puthje në buzë, i drejtohet ajo, “Duhet më parë, së paku luftë”. E përseritim prapë se Odiseja kthehej nga lufta. Nga lufta e madhe për një grua, ose për një ide. Por, kjo luftë është grotesku, sepse lufta e poetes është luftë karafilash, lufta dhe përpkjekjet e saj për ta bërë fjalën dhe mendimin e saj të dashur. Kjo është poezia e saj” Kur grindemi” në faqen 33.
Në poezinë “edhe në…” poetesha e garanton edhe më tej të ardhurin e saj, lexuesin e saj, Odisenë, për ta joshur dhe dehur më tepër që ai të dashurohet me të dhe ishullin e saj, në rastin e Dritës, ishullin poetik në detin e mendimeve dhe i thotë:

Edhe në paç gjithë botën kundër ti,
mua krah do më kesh gjithmonë.

Kjo nuk është mbajtje e “anës” së tij, sepse është në bërthamën intime. Sepse në do të inganonte si autore do te anonte në trasmetim të një ideje dhe do të këmbëngulte në domosdoshmërinë e idesë së saj. Mund të përdorte “opjumin” e fjalëve të ftohta. Por ajo thotë:

S’di nga mi gjen burimet e shpirtit,
dhe s’di, si m’shterojnë para teje
Tan’ krojet e mendjes!
E rrjedh si do vetë;

Lexuesi do ta linte librin dhe do te flinte, mirëpo do të dijë se si është “kjo rrjedhë në të vetë”. Vazhdimi i këndshëm i teatrit të saj modest, i poetes Lushi, e bën Odisenë ta ndjekë kur ajo del prej dhomës dhe merr yjet në vallëzim. Është gati të bëj gjithçka për të fituar zemrën e një burri që do. Këtë nuk e bën me stalaktite fjalësh të ngrira. por me fjalë të vesitura, me zjarr dhe gjeste. Gjithçka ndodh nën qiellin e lirisë së mikpritjes së mikut…Odise e lexues. Përpara saj rri gjithmonë njëriu i shtigjeve dhe yjeve, që i duhet ta josh dhe jo ta mbaj peng, jo ta inganoj, jo ta arnoi. Kjo duket në poezinë “ Kur jam e lumtur!”
Dhe sa herë jam kështu,
Ndihem edhe pak e çmendur, gjithashtu.
Vrapoj… dhe marr yjet një nga një në vallëzim.
Dhe Diellin provokoj…
Për shembull?
Këmbën i shkel me qëllim.

Mirëpo në një çast tjetër kthehet dhe thotë befas:

E unë, s’kam në plan të bie në dashuri;
sepse, s’mund…!
sepse, s’di…! 
sepse, s’dua…!
Ja, pse është e rrezikshme
Ta bësh të qeshë një grua.

Por nëse kjo gjë nuk kuptohet nga ti, asgjë nuk do të ndodh, duket sikur i thotë. Odiseja vë buzën në gaz dhe i vjen ndërmend Troja dhe labirintet për Itakë.

Dije se ke humbur një grua që të do.
Dhe më shumë se një emër,
Një Zemër.
Kur mos të të dua më…
Ka ende kohë…
Ende ka kohe…!

Dhe më pas nuk ndryshon qëllimi i saj, vetëm se ty, Odisesë, lexuesit i duket vetja në një djep që lëkundet dhe kujtohet që nuk është fëmijë, por burrë që duhet të përgjigjet. Nuk mund ta lësh pa përgjigje një grua që të do dhe do të mbrojë me një zemër të brishtë. Sepse, nëse ajo të përkëdhelë si fëmijë, nuk kërkon të të lëndoj, për të të superuar.

Askush s’e di, që pas një burri të fortë si Ti,
Rrjedh një shpirt i butë,
Që unë e prek me fjalën time;
Askush s’e di, që pas një burri të fortë
Fshihet një zemër e brishtë
Që e ushqej me poezinë time…
KurrKush s’e di…

Odisea mallkon kalin dhe barkun e drunjtë të shpifjes.
Në poezinë ” dikush” poetja flet për dike që e bënë të lumtur, që shpesh ndez një fjalë apo dritë. Thotë “psenë” dhe me shaka përmend treqind vjet që, ky dikush e mban peng. Prandaj poezia e D. Lushit mbetet poezi rrëmbimi për atë që e lexon, ku të dyja palët, lexues-poet bëhen rrëmbyes dhe ajo madje vete denoncon se është e rrëmbyer. Në fakt poetesha është e rrëmbyer nga arti “Circe” i të shkruarit, ku më shumë se inganuese, ajo vetë është e inganuar.

Përballë,
Ti gjerb kafenë në të rrallë
E tretesh në mendime,
Një botë – larg meje…

Në këtë poezi poetja nuk tregon se është një njeri që vetëm vrojton, por edhe të bën pyetje pa pyetur. Duket sikur kërkon të zhbiroj, të qëmtoj, të kritikoj, ti drejtoj e ti afroj njerëzit drejt ngrohjes. Vetëm vargu i fundit: “Një botë – larg meje…” ka një filozofi kaq të thellë, sa vërtetë nuk do ta gjente vetën një botë e terë. Poetesha duke përdorë antitezë e hiperbolë bashkë e quan njërin e sotshëm një botë të tërë për të… dhe një botë të ndarë për të. Mos poetesha e ka fjalën për botën që ajo e do ndryshe? Çfarë është kjo metaforë për te? Kaq larg saj? Mos ka ardhur çasti që njeriu mos ti besoj dhe të mos dije se ku ka vetën?! Mos vallë askush nuk do ta dijë për askush?


Në jemi apo s’jemi,
brenda mureve tona prej mishi e gjaku,
përderisa mërmërimat nuk arrijnë britmën e zemrës, 
ndërsa kemi humbur brenda mureve tona…

Mos vallë ky është mallkimi? – pyet Odisa veten, ndërsa kujton mbylljen e tij në barkun e drurit.
ose :
“Dikur”
Një sobë me dru.
Dy divane,
Një tavolinë druri
që na mblidhte darkave…
…………………………………
Sot
Tavolina është plot
Dhe kurrë s’mbaron;
Kolltukët shemben nga jastëkët;
dhe njerëzit, s’darkojnë me njerëzit
por me qentë.

Qentë grinden për një kockë… Poetesha nuk shpjegon dhe bën mirë, se pse qentë grinden për një kockë, ndërsa disa njerëz gjejnë vetën midis tyre. Poetesha është e bindur për progresin e të jetuarit, që nuk është vetëm burim i material-izmit, por edhe burim i ideal-izmit. Bota e luksit, në të pasur të njeriut duket sikur e ka bishtin prapa në thënien e “sokratiane të nginjem”. Ajo kërkon mirëqenien e njeriut në progresin material dhe shpirtëror dhe thotë hapur se, dikur ishim më tepër njerëz dhe midis nesh më të afërt.
Shpesh me figurat letrare qe përdorën nga poetesha, të vjen rrufe përgjigja ” ..se e dija edhe unë këtë gjë, por nuk e thashë”. Mirëpo poezia është pasqyrë e së diturës estetike për të cilën ne shpesh harrojmë tija themi themi njëri-tjetrit dhe harrohemi tija themi edhe vetës. Kjo është modestia e poetes që nuk merret me tema të madha, por zhbiron të thjeshtat e së përditshmes, duke e bërë edhe poezinë e saj një instrument pasqyror, estetik dhe filozofik në shërbim të ndjenjave.
Imagjinata vetvetiu të pikturon me fjalë mendimin se fjalët që ndërtojnë pemën e poezisë së D. Lushit, nuk janë fjalë, por pëshpërima të mençura të një gruaje, që e kanë rrënjën në shprehjen që ” e di që ti i di, ndaj unë po të ftoj që ti kujtojmë së bashku”. Sepse konceptimi i saj në të shkruar është bashkëbisedimi dhe jo vetërrotullimi. Duke fole në vetën e parë, poezia rëndohet, sepse poezia është gjallesë e shumë vetave dhe nuk ka “un”. Kur tërheq “uni” forca poetike e poezisë lodhet dhe bie. Pesha bie e terë mbi lexuesin që edhe ai lodhet. Mirëpo D. Lushi, me talentin e saj “circe”, krejt artistik, nuk kërkon ta lodh lexuesin, të dashurin e saj virtualë pa të cilin nuk ka kuptim poezia e saj. Kjo duket në poezinë: “Brenda një ore …” ku mendimi dhe fjalët kanë kaq harmoni, kaq filozofi, kaq kundërshti, kaq “urdhra” dhe kaq reminishencë, sa poezia i ngjanë një shilarësi:

Brenda një ore
Mund, mos të të puth asnjëherë,
Por, të bëj të më duash pikërisht për këtë.
Brenda një ore,
mund të jetoj-më një jetë të tërë…
dhe e gjithë jeta të mbarojë pikërisht në atë orë…
Oh, ju se dini se ç’mund të ndodhë në një orë!

Po cila është ajo orë për poeten dhe për lexuesin? Çfarë raporti ka koha me atë që bëjmë, tërë jetën apo brenda një ore, kur vendosim për diçka, ose bëjmë diçka? Nuk më përket mua të zhbiroj deri në fund këtë poezi të bukur për kontekstin e saj që ka.

Mund të nënqeshësh,
Ose, thjesht të mos besosh.
Por,
Nëse do të dëgjosh duke të thënë, “të dua”, këtë duhet besosh
vërtetë.

Enumeracionet, paradokset, super metaforat, qe poetesha shpesh përdor janë krejt spontane, të krijojnë një fresk të lehtë e të natyrshëm, sa duket sikur ajo nuk shkon për ti peshkuar, ato mbijnë vetvetiu në rrjedhën e mendimit. Sepse burimi i mendimit për të thënë diçka fillon nga një mendje e dëlirë dhe e formuar. Ujërat e pastra të maleve e bëjnë vetë udhën, po kështu edhe mendimet e një gruaje si Lushi, kur thotë: “ Një shi i lehtë bëhet përrua në mua…”. Poezia e saj nuk kërkon luftë midis vetave, por një dialog pranverë e maji. Edhe pikërisht në këtë dialog miqësor, ngrihet prapë veta e saj, por me diçka tjetër më filozofike dhe pse gjithmonë duke buzëqeshur dhe dialogë me lexuesin. Duket sikur thotë që, një grua ka një limit fizik “dashurie”, por që dashuria e saj është gjithkund, përtej kufijsh… ju s’e njihni të dashurin tim …( shumë herë ajo nuk flet në emër të saj, vetëm se përdor gjuhën artistike “ circe” me të cilën pozon mendimet e saj).

Unë e kam treguar Atë çdo herë, për ju;
Kur i kam shkruar dashurisë,
kur u kam shkruar (l)ojnave
(k)odeve të gëzimit dhe puthjeve
Dhe kur të them “Të urrej e kurrë s’do vij të të
shoh”…kurrë mos më beso.
Sepse s’besoj as veten kur e them këtë.

Dashuria intime në këtë poezi shprehur “circe”, i largohet “egos” se gotës vetjake me ujë për dashurinë e pastër dhe shndërrohet, në një lumë, në një oqean. Pra, arti “cirece” në përdorimin metaforik i përdorë prej saj, do të thotë të të deh, për të qenë ti lirë. Sepse jo të gjitha dashuritë flasin. Shumë herë fjalët bëjnë mjaftë zhurmë dhe heshtja mjaftë muzikë. Poetesha D. Lushi do tija tregoj të gjitha lexuesit, pikërisht për ta bindur që është ai i dashuri i saj(!).

Dhe kur të them “Të urrej e kurrë s’do vij të të
shoh”…kurrë mos më beso.
Sepse s’besoj as veten kur e them këtë.
Këto?
vetëm nëse jam e pushtuar nga Dashuria.
Ndryshe?
Nuk ndodh asgjë, asnjë nga këto…!
Madje ajo orë, kurrë s’do të ekzistojë.

Në poezinë “rigjetje” poetesha është grua dhe nënë, një grua që beson dhe pëlqen mbrëmjet me yje, sepse midis tyre gjen zjarrin për të dashurin dhe nën yje behët nënë me lindjen e bijës ku prapë gjen ATË ne këdo yll që bije…Dhe nëse ky qiell, për njeriun mbaron, poetesha është e bindur se ai është në sytë e së bijës.

Ndonjëherë veten humb,
E tretem në çdo yll, që bie…
Dhe prapë ATË rigjej
në sytë e sime Bije.

Me se e shtron poetesha tryezën poetike të saj? Grama ti ka dhe teoria “circe” nuk reshtin në ingamimet e mëtejshme edhe ne poezi të tjera. Kjo dukuri fillon qe në titull te poezisë që poetja prezanton dhe me tej, në shtjellimin e saj.

Sytë
Ah, sytë, sytë!
Kur janë larg, qielli ndahet përgjysmë
……………………………..
…………………………..
Ah, sytë. . !
S’duhet ti lije peng tek unë
As unë tek ty, të mitë!

Titulli i poezisë : “ Po të kishe një vajzë”, është një poezi kur autorja hidhet drejt për së drejti për ti dhënë “ thelën e madhe “ të të dashurit të saj. Ose jo. Të kesh ti si burrë një bijë, kthehet dhe i thotë ajo, se ndryshe… Poetesha e shfrytëzon këtu mjaftë mirë forcën shprehëse të gjuhës shqipe që shpesh të vë para mendimesh abstrakte për prizmin e kuptimit. Ky detaj vërteton atë që përmendëm më lart paanësinë e saj në të gjykuarit e tjetrit. Me fjalën “vajzë” poetesha krijon nëntekste të thjeshta, por me mjaftë mjaltë për filo zo fijen e jetës. Paradoksi për poeten është kaq i natyrshëm, sa pothuaj e përshkon terë librin. Nganjëherë të duket sikur është kaq e mefshtë sa duket sikur nuk orientohet dot dhe nuk e ka konceptimin e kohës dhe shtrirjen e objekteve në gjeografi. Dhe këtu ngjan aq shumë me Odisenë, sa te dy nuk dihet se në çfarë gjeografie poshtë yjesh flasin. Dhe pikërisht, këtu, është pika më kulmore që ajo merr e shënon karafila në zemër të bashkëbiseduesit të saj, lexuesit që në tërë librin është i dashuri i saj pa emër, pa moshë dhe pa gjeografi. Dhe surpriza, inganimi vazhdojnë. O i dashuri im pa emër, më dëgjo deri në fund! Po kujt?
Unë do të doja që ti të kishe pasur një vajzë…
Ndryshe?po të kishe një vajzë?
Unë do të doja që ti të kishe pasur një vajzë…
Poezia dhe poezite në libër janë natyrisht më tepër dhe unë nuk dua as të analizoj më tepër, vetëm se kur lexova emrova formën e shkelqyer të lirikave të saj: Të shkruarit “circe”. Të shkruash do të thotë të njohësh shtigje, yje dhe njerëz.
Urime poeteshë!

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.