LIRIKË nga Namik Selmani

Namik Selmani

LIRIKË

Për ty malli bëhet lule
Gjeth më gjeth e përkëdhel.
Kërkon duar, kërkon puthje
Bëhet zog që degën prek.
Avull toke bëhet malli
Curril dielli mes pranverës.
Bëhet lumë që zbret nga mali.
Shkronjë e derdhur thellë zemrës.

Për ty malli kalëroka
Trokëllin me një hap krushku.
Shpërthen gazi e zbardhoka
Bëhet djersë në ballë bujku.
Për ty malli bëhet bar.
Qerpik pishe, luledele
Ah, sa larg që jam, sa larg!
Veç me hënën përkëdhelem.

Për ty malli bëhet zile
Që të fton në prag magjie
Dridhet fjala, oh, si dridhet!
Bëhet nuse me shtatë hire.
Mallin-o s’ma thaka deti
Me të eci këmbëzbathur.
Bëhem flutur mes tërmetit
Një shqiponjë flatrahapur.

Malli shkon në tel të hollë
Përmbi zjarrin bubulak
Oh, ky malli im i ngrohtë
Ç’po çerdhoka nëpër flakë.
Ah, ky mall si xixëllonja
Më vjen pranë si lule shpirti
Sa e vogël është bota
Kur kërkon rrënjë blerimi.

VAJZAT ME GËRSHETA

Vrapoj i djersitur udhëve nën lule, livadhe e avlli
Vrapoj në oborri shkollore ku dallgëzon e qeshura.
Kërkoj në bankat e vjetra e në stane me blegërimë
Nuk shoh për be asnjë vajzë me gërsheta.

I lamë në këngë e në fotot pas një luleje livadhi
I mori koha e largët dhe në Muze Malli i vuri.
I lamë në mbrëmjet e vallzimit pas një tangoje a valsi.
Ku në vend të parfumit kundërmonte sapuni.

I lamë në grykëset e zeza me jaka kur kuqonte fytyra.
Duart që i përkëdhelën, u bënë me kallo të forta.
Në floktoret e shumta mes reklamash plot ngjyra
Të afrojnë sot dhe paruke të ardhura nga bota.

Në supet e zhveshura mungojnë gërshetat e gjata.
Serenatat i ka vjedhur celulari me markën e fundit.
Oh, poet, mos na kujto ditët që duken si përralla!
Nuk kemi kohë as vargje për to të thurim.

Sërish kërkoj e kërkoj më kot vajza me gërsheta.
Dhe në flokë fëmojësh derdhet rreke me parfum.
Më verbohen të dy sytë kur futem në diskoteka.
Mes zhurmës së rokut që do një gotë më shumë.

O, nuk jam gjykatësi i kohës me kostumin e zi.
Nuk kam në duar çekiçë e betimin para Peshores.
Mos më mëkatoni kur jam përherë në kërkim.
Qoftë edhe për vajzën e vetme me gërsheta vajzërore.

ADRESA E SHPIRTIT

Kërko në listë adresa avokatësh, mjekësh e shitësash mishi
Ndërro sa herë të duash fustanet e sandalet sipas mode!
Oh, të lutem, asnjëherë mos ndërro adresën shpirtit
Si guidat turistike që sipas stinëve me zhurmë reklamohen.

Në dogana bote këpucët do të të thonë t’i heqësh,
Do mbushësh valixhet me raki e dhurata të shtrenjta
Për folenë e shpirtit askujt mos ia rrëfe adresën
Merre dhe në varr mes kurorave lulefreskëta.

Shëno celularët e miqve që fluturojnë në botë
Një muzeum monedhash mund të kesh në xhep
Oh, veç shpirtin mbaje të dritëzuar e pa llohë
Dhe nëse dikush të vë në tavolinë një superkuletë.

Mund të gjesh të tjerë larës të tapeteve me pluhur.
Të ndërrosh shitësat që ta sjellin qumështin tek dera.
Oh veç shpirtin mbaje të fortë, të qelibartë, të pandryshkur
As në vjeshtën verdhullore, as në tufanet e rrepta.

Mund të shënosh borxhet e pengjet në disa fletë libri
Për ata që iu ke botës e për atë që të kanë marrë
Oh, ruaje për vete adresën e shpirtit dhe para një gardiani ligji!
Mbaje me aromë trëndafili edhe kur ka ngricë dhe acar.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.