LOJË DASHURIE nga Ndoc Gjetja

Ndoc Gjetja

LOJË DASHURIE

Ti je mbretëresha dhe unë jam mbreti
e ngjitëm fronin me anë të puthjes
s’pushtuam askënd veç njëri – tjetrit
asnjeri se ndjeu shijen e mundjes.

Ne s’kemi nevojë për kushtetutë
në marrdhëniet tona sundon kaosi
nën cipën e hollë të mirësjelljes së butë
tani bën ligjin vetëm Erosi.

Nuk di deri kur do mbahet në këmbë
mbretëria jonë në çrregullim të plotë
por çasti i rënies s’do jetë i rëndë
do biesh mbi mua që jam shtrirë përtokë.

DASHURISË

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj ç’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav.

Ma ktheve gjuhën në përcartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Vec të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon!

FEMRAVE

Pa ju ne jemi gjysma njerzish
se ju për ne jeni gjysma tjetër
Tek dashuria bëhemi të plotë
as të mangët e as të tepërt

Sikur të dija të thurja sentenca
ashtu siç fatmirësisht bën Saadiu
Juve do tju jepja metaforën Vreshta
Për vete metaforën shiu.

PUTHJA

Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja
ndodhin në mesin e rrugës së madhe
po ajo më njerëzorja
më e madherishmja, me hyjnorja
puthja
ka mbetur ilegale.

SIKUR

Ç’mrekulli do të kishte qënë
sikur të jepnin që sot dorëheqjen
presidenti dhe çdo lloji ministri!
dhe ta merrte pushtetin
shpirti.

NJË HESHTJE E BUKUR

Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.

Ec e thuaj po munde këtë heshtje
ti, muzikant, me nota
ti, piktor, me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !

Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë
domethënë
dyfish e gjallë.

LUTJE

O Zot që fatet tona në dorë i mban!
Na ruaj nga shëndeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanço Pançës,
na ruaj nga hija e rëndë e famës,
na ruaj nga faqeputhjet helmuese të
Judës,
na ruaj nga orteku rrëmintar i turmës,
na ruaj nga prejardhja prej shimpanzesë
na ruaj nga thyerja e timonit të kresë
na ruaj nga putra pushtetore e Njëshit
na ruaj nga engjëjt, na ruaj nga dreqërit,
na ruaj përditë nga ftohjet e miqësive,
na ruaj, o Zot, secilin prej të gjithëve!

KUR FILLOVA NGA PAK TË VDISJA

Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje.

Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
unë te brinjët vura dorën
ndjeva zemrën që mërdhiu.

Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
në palcë të ëndrrës ndjeva therrje
që më vonë m’u bë kronike.

Që ta marr pakëz veten,
vazhdimisht më sjellin njerëzit
reçel të ëmbël buzëqeshjesh
dhe ca pako me ngushëllime.

Përherë i lë në tryezë pa hapur
kompostot me lëng entusiazmi,
e nuk i prek me dorë fare
pjatat plot me optimizëm.

Ah, e humba krejt oreksin
nga ky virus shpirtëror i dhembjes,
me zor flas e me zor qeshi
më kot rri në tryezë të jetës.

Ndoc Gjetja
(1944 – 7 qershor 2010)

Gjetja u lind më 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës, por në Lezhë u vendos me familjen që kur ishte 7 vjeç. Shtegtoi drejt Tiranës në kohën kur krijimtaria e tij u bë e njohur, në vitin 1971 kishte botuar vëllimin e parë poetik “Rrezatim”, pastaj erdhën gjashtë të tjerë: “Shqiponja rreh krahët” (1975), “Qëndresa” (1977), “E përditshme” (1982), “Çaste” (1984), “Poezi” (1987), “Kthimet” (1991) dhe “Dhjata ime” (1998).

Solli për fjalashqipe.com Roland Lushi

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.