LULEKËMBORA nga Petraq Risto

Petraq Risto

LULEKËMBORA

Ah, lule, lule këmbora t’u bë tatuazh te dora, ma zgjate e dot s’e mora, ah, lule, lulekëmbora.
Ndenjëm pak, nisi dëbora, ra mbi lulen fjolla-fjolla ti qe veshur me të holla
Ah, lule, lulekëmbora kishe ftohtë u vyshk te dora, kaq e brishtë lulekëmbora, 
kaq e trishtë lulekëmbora.
Ike, ike, u rrëzova ç’tingëllijnë lulekëmborat, s’di ku ike, s’di ku shkova,
ç’vaj muzike thurr dëbora
nën dëborë lulekëmbora vizaton ëndrra të njoma, ngrohtë, moj si ëndrrat tona,
lule, moj, lulekëmbora.

Ike, ike s’dihet kthimi – lot i strukur te thëllimi, lule moj t’u shurdh kumbimi
Ike, ti e di ku ike, flakë që brenda vetes fikesh, det prej shpirti e prej frike 
S’mban mbi valë asnjë kaike, një fener jep shenja drite, po ti, jo, ti nuk avitesh …
Po ç’u bë lulekëmbora: tatuazhi, moj, te dora, me kujtesë botën e zgjova
Zgjohu moj lulekëmborë, tingëllo në gjurmë të saj, çelna prapë si dje në maj 
Çelu prapë, moj shpirt nazike, kupëzë e gji muzike, qiellit i bëhesh mike…

Kumbo moj lulekëmborë, rreze e dritë bëji dasmorë, sytë e mi bëji kurorë
Ta fal lotin në çdo orë të zgjoj lulezën në dorë, shfaqu prapë lulekëmborë
Shfaqu, shfaqesh, ja u shfaqe, o bobo kumbuan parqet, ylberët u bënë harqe
Violinave kënaqen, kur zgjohen lulekëmborat… të vdekurit thonë “paqe”
Kur zgjohen lulekëmborat, flenë të vdekurit në paqe.

TEK E SHKUARA…

Vizitova të shkuarën: e kisha lënë të re, m’u shfaq e rrënuar
“Mirëmbrëma”, i them. Ajo më pyet: Mos jeni vjedhës?…
-Jo, i them, kam ardhur të shoh oborrin…
-Oborrit ia vodhën kumbullën e kuqe
E bëmë dru zjarri për dimrin e egër
O Zot, dhe flakët i kish cipëza kumbullash të pjekur!…
Mos kini ardhur për të vjedhur?…
-Oh, jo, erdha të shoh pusin në oborr.
-E mbyllëm. Ishte si një sy i keq
Vajzat e lodhura këtu donin të mbyteshin
Ngaqë qielli valëvitet edhe poshtë.
…Po ç’mund të vidhni në këtë shtëpi të vjetër?
Dyert i morën vjeshtën që shkoi: i duhen Parajsës, më thanë
Dritaret m’i morën se u duheshin mëngjeseve të përplasen zogjtë.
…Nëse s’ke ardhur të vjedhësh dhe je Vdekja: më merr
Më ço te kumbulla e kuqe, te pusi i vajzave me sy nga qielli
Te dyert dhe dritaret e mia… kam ëndërruar Parajsën këtu në Ferr.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.