MALLI E LULJA!? – S’MBIJNË KUDO nga Vjollca Koni

Vjollca Koni

MALLI E LULJA!? – S’MBIJNË KUDO!

Unë ika që aty e mallin mbrapa lashë,
Asgjë nuk mora se nuk doja t’i prishja.
Tokën mbi shpinë dot s’mund ta mbash,
Ika shumë larg, i lashë aty të gjitha.

Endur nëpër udhët e gjera këndej
U vendosa diku, i gjeta mallit vend
Nuk bindet kokëforti të rrijë në fole,
S’mora një copë tokë të lëshonte rrënjë.

Por e kam marrë me vete një thinjë,
Nga flokët e të shtrenjtit, Atit tim.
Sa më rëndon e peshon, sa s’thuhet,
Zemrën ma ngrin, veç loti ma shkrin.

Ta kisha marrë dot një plis të vogël toke!
Ku të mbillja mallin që arratiset atje.
Po ku ta dija unë “budallaqja” e pashoqe
Që malli e lulja s’mbijnë pa një grusht dhé

SIKUR

Sikur tė isha pranverë, në këtë jetë,
Ty do ta falja gjithë blerimin!
E, nëse kthehem në vjeshtë,
me rrebesh shiu do ta nxirrja gjumin!

Vetëm një çast, po të më falte pak dritë hëna,
Errësirën, gjithësesi, do ta zhbëja!
Diellit rrezet do t’ia merrja,
të shkrija akullin nga zemra!

Merr buzëqeshjen, po ta dërgoj me erën;
Ti, qëndro dimër me akullnajë!
Nuk di, sa do kesh forcën të krjosh tornado,
Në se mbështillesh nga nxehtësia-Saharë!

Puhi ograje do vijë fryma ime,
Që ta kesh si busull drejtimi!
Se koha, që kaloi, vrau ëndrrat,
si lulet e ullirit, kur bien nga thëllimi!

NË PRITJE…

Kohë Vjeshte ngjyra Gri
Mjelmat mbledhur mbi Danub
Dyshe dyshe, qafe për qafë 
Shtrati i Lumit i përkund

Era pemėt tund Furishëm
Mbi çdo strehë pikon shi
Një shpirt qan mallin e vjetër
Tjetri pret fatin e Ri.

HALLET E MIA …

(Kushtuar poetit Xhevahir Spahiu)

Ja dhash detit brengat, vala turfulloi! 
Ja fala malit, s’i mbajti dot, e rrëzoi!
Druri u tha, u bë eshkë,
guri u ça, në dy pjesë!
Vazhdoj rrugën e nisur…
krenar do qendroj, si lis.
Hallet e mia do t’i mbaj vetë,
nuk i fal, as nuk dua t’i “shes”!
Unë “Borxhet…” i kam thënë,
dhe nuk di, a do arrij t’i laj!
E, ti det, pse me rrin krenar,
kur nuk di, sa borxhe ke
e çfarë të fshehura, brenda, mban!?
Po, ti, vazhdo, vallëzo me valë,
unë do mbaj buzëqeshjen
dhe shpirtin tim të bardhë!…

MALL VJESHTE…

Fryn erë e lehtë fundvjeshte,
gjethet bien përdhe;
më mungon arom’ e sharkut të arrave, 
stoçeni, që u rrita me te.

Sheg’ e kuqe në mendim ka rënë,
mbushur kokërra, dega nuk e mban!
Mendërza e rigoni, të thara poshtë saj,
lule të venitura, pa aromë, si në vaj.

E mbushur mall, kërkoj krahë të kem,
të shfaqem si zanë, atje nga kam ardhë;
në të kaltërat kroje ta shuaj etjen
e të kthehem këtej, po sikur pulëbardhë

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.