Namik Selmani ka lindur më 18. 11. 1950
Ka mbaruar Univesitetin e Tiranës në degën gjuhë letërsi
Ka botuar 47 libra me tematikë të ndryshme mes të cilëve 20 me poezi.
Është fitues i mjaft Çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në letërsi
Banon në Tiranë dhe është me qëndrim të përkohshëm në Boston USA
MANI I FËMIJËRISË
Na rriti duart e vockëla kur zgjateshim te dega
E kokrrat e verdha i kullufitnim fëmijërisht
E nënat gjer vonë na kërkonin e na kërkonin te dera
E më pëllëmbë na qëllonin butësisht mbi shpinë.
Na u rritën këmbët skeletike te Mani i Mëhallës
Kur iu kacavirrëm trungut si në Everestin me shkrepa
Tek mbushnim duart pas lojës së përbashkët
Për besë, të gjithë u bëmë mbretër dhe mbretëresha
Na rriti Mani, na përkëdheli me blerimin në gushë e faqe
E ne s’ditëm, ah, që t’i jepnim një kurorë të vetme me rreze
Poetë u bëmë, gurgdhendës, mjeshtër të vreshtave në shpate
E lozëm me të ëndërrisht si me një kukull të përjetshme …
Një ditë u plak Mani i Mëhallës nga vitet e nga koha
E druvarët ballëdjersitur mes ofshamës e prenë me sëpata
Në hirin e djegur xixëllinin miliona xixëllonja
Që fëmijërinë tonë e rindiznin si Prometeu te vatra …
U plak dhimbshëm Mani i Mëhallës
E kokrrat… u futën në sinorët e përrrallës …