MBLIDHI KUJTIMET E DASHUR nga Enertin Dheskali

Enertin Dheskali

TË DUA NGA LARG 

I hapa kanatat e zemrës këtë mbrëmje
Dhe prita të më vinte një lajm nga ty,
Më erdhi nga larg zëri yt nëpër endje,
Kristale lotësh më vendosi mbi sy.

Je e vetmja që kam në këtë botë të fëlliqur,
Gjysmëshpirt i trupit të lodhur nga dhimbja,
Je puthja – trëndafil për buzën e rreshkur
Që më mungon në këtë burg vetmie.

Më shaj, e nëse s’më beson, copëtoma zemrën
Që tashmë gjysëm ka mbetur, pa jetë,
Unë nën psherëtima tentoj ta mbys dhimbjen,
Të dua – të them nën lotë që nga larg…

PSE O ZEMER?

Ishe diamanti i kuq për shpirtin e vuajtur,
Ishe dashuria më e madhe e kësaj jete.
Pse më detyron të të nxjerr nga kjo zemër,
Pse tani më hedh në krahët e një tjetre?

SI MË HARROVE SOT?

Si vallë me harrove sot o klithmë ndjenjash,
Jam bebe jetim pa puthjen tënde të flurtë,
Mos humbe e përgjumur nëpër pyje ëndrrash,
Apo u trete si vesë mbi qytetin e gurtë?!

Unë të prita të më vije si çdo mbrëmje,
Të më shkrije në orgazmat e gjoksit të ngrohtë,
Më mungon zëri yt që di të fshijë çdo dhimbje,
Jam bebe jetim pa puthjen tënde të flurtë…

BUKA E FATIT TIM

Buka e fatit
Shkërmoqet në duart e mia
Dhe bie si thërrime epshore
Mbi tavolinën e jetës.
Nuk kam mëshirë për fatin,
Jetoj përtej tij, me fluturima.
Por as mëshirë, nuk dua,
Nga ata që mëshirojnë
Pasi vrasin me lloj- lloj formash jetësinë.

Buka e fatit tim
Shkërmoqet ngadalë në përjetësi
Dhe ushqen honet e intelektit
Përtej vetvetes,
Nëpër njerëzi.

E dua, ashtu të thërmuar,
Në copëza jete përhumbur,
Bukën e fatit tim të arnuar…

MBLIDHI KUJTIMET E DASHUR

Mblidhi kujtimet e hedhura nëpër kohë,
Dhe futi në zemrën e vogël e dashur,
Si copëza shpirti të hedhura kudo,
Nëpër raftet që harresa ka pluhurosur.
Mblidhi, si ciflat e pasqyrës së thyer,
Që imazhin tim e ndau në qindra copa,
Mblidhi dhe kujto ndjenjën time të vyer,
Dhe gjithçka bëra për ty që kur të njoha.
Mblidhi të gjitha kujtimet që të lashë,
Albumet ku flenë çastet tona të lumtura,
Përqafimet dhe qindra puthje bëji bashkë,
Mblidhi buzëqeshjet, vështrimet e kryqëzuara.
Koha le shenjën e saj të përgjakur në shpirt,
Si një thikë e mprehur keq nga djalli,
Mblidhi kujtimet e dashur, që kur mos të më kesh,
Të paktën shpirtin mos ta shkrumbosë malli.
E di që do të zgjohesh një ditë, jo larg,
Do kuptosh kë ke shkelur egër mbi zemër,
Pendesa dhe malli do të vrasë përditë nga pak,
Ndaj mblidhi kujtimet dhe veru një emër.
Kur njëriun që të do çmendurisht e përdhos,
E shet për dy lekë në kazanin e botës,
Do jenë kujtimet që do tregojnë si e vrave,
Si e rrëzove çatinë tënde të jetës.
Ndaj mblidhi kujtimet e hedhura nëpër kohë,
Ruaji mirë në zemrën tënde të vogël,
E di që një ditë do kesh nevojë per to,
T’i kesh si melhelm kur te jesh e plagosur…TË THEM TË DUA

Të them të dua është shumë pak
Në qiellin tim kanë humbur retë,
Veç kaltërsia mbyt jetën time,
Dielli e la shkëlqimin dhe u tret,
Hëna burgosi veten në ëndërrime.
Sa e gjatë qenka kjo pritje,
Në sarkofag ma ktheu këtë shpirt,
Një ditë – natë me dritë – hije,
Më burgosi në kullën e fildishtë.
Fytyra jote, ëngjëll ndjenjash,
Thyhet në mijëra kristale,
Ti vjen e ikën dhe prapë më kthehesh,
Si një vullkan që s’di të ndalet.
E unë të puth, të prek dhe dehem
Nga aroma e trupit tënd,
Në ëndrra shkoj, nga ëndrrat kthehem
Por prehje s’gjej në asnjë vend.
Dhe sërish syrin e verbër
Ma verbon vështrimi yt,
Mbi shpirtin tim – shkretëtirë,
Përmbyten të gjitha kaltërsitë.
Të them të “dua”, është shumë pak,
Për këtë ndjenjë kanë humbur fjalët,
Një pikëz uji në oqean,
Bëhet tajfun që s’di të ndalet.
Pas çdo trokitjeje të zemrës sime,
Ngrihet një valë me dashuri,
Kam frikë se mbytesh në dallgëzime,
Kam frikë se tretesh në kaltërsi.
Të thëm “të dua”, është shumë pak,
Kjo fjalë nuk mundet t’i thotë të gjitha,
E unë sërish e sërish prapë,
“Të dua” klith, sa shumë të dua…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.