ME HIJEN nga Martin Cukalla

Martin Cukalla

ME HIJEN

rrotullohet qielli pa diellin
mendimi im zhvendoset
kthehem
bie në mendime
trishtim
dhe ndjehem aq i vetmuar.

kam shikuar lartë
gjithnjë kam shikuar lartë në qiellin pa diell
për të parë hijen e hënës
hëna sheh poshtë
e më buzëqesh
trishtim
dhe ndjehem aq i vetmuar.

retë i largon era avuj të arratisur mërzishë
kërkoj hijen e hënës aty
asgjë
pres gjatë për të parë hijen e hënës
nuk pyeta kurrë çfarë dashurie ka në qiell për mua
të jem real vallë
a po e përshendet hëna hijen time dhe mua

trishtuar?
natyrish në vetmi
e trishtuar.

POEZIA

më duhet të shkruaj shpejt
më mos e tretë parfumin
çasti.

eh
çasti!
ajri qelbet.
ajo jo!
humb parfumin…

PËLLUMBESHA IME

isha ngatërruar pëllumbesha ime
kisha gabuar
ndoqa yjet nëpër pyll
ndoqa hënën nëpër gethet e lisave…

në mëngjes duhet të isha tek ty pëllumbësha ime
në mëngjes duhet të isha tek ty…
isha ngatërruar pëllumbesha ime
kisha gabuar

shpresova se deti ishte qielli i kësaj nate
dhe hyra në det nga nxehtësia e botës
duke kërkuar mëngjesin
yjet e vesës ishin sytë e tu
nxehtësia e botës ishte afshi yt
fustani i gjelbër deti ishte bluza jote
zemra ku qe
ku qe zemra
kërkoja shtëpinë e saj nëpër natë

ajo flinte në breg
unë kërkoja në det

KJO DITË E SHËNUAR

më thanë: sot është ditë e shënuar!
ika lartë
e kërkova Zotin,
kurkund nuk e gjeta!
ka ikur ndoshta të mos dëgjojë çka thuhet
nën këmbët e tij, këtu tek ne:
histeri…batërdi…

më thanë: sot është një ditë e shënuar!
nga sipër dioksidi i karbonit hedh hijet e veta mbi glob,
mullinj të erës poshtë nuk ka më,
as burime të çiltra ujrash që vijnë nga zemra e shkëmbit!
ka tymra dhe flakë:
digjen ende trupa fëmijësh e shtate Afërditash…

më thanë: sot është një ditë e shënuar!
bishti i trishtuar i diellit nënqesh diku,
një top mielli i bardhë bie diku,
përpjekje e kotë ndoshta prej frikës së prangave
për tu çliruar nga koha,-më thanë.

më thanë: sot është një ditë e shënuar!
varrezat e vogla zbardhin nëpër gjelbërim.
Hëna nuk rrotullohet, s’më le t’ia shoh shpinën.
dhe sa pak, sa shumë pak
lëvizi dita e sotme nga dje!
përkundër:
ajri për dreq më zë frymën!

më thanë: sot është një ditë e shënuar!
mendova: nuk ka asnjë ofendim të planifikuar: u çgënjeva!
mendova: mund të flasë sejcili pa frikë e pagesë: u çgënjeva!
ndoshta truri kurreshtar e ndjenjë e humorit
kanë zënë vend në koka politikanësh, -mendova!
udha dhe tivutë m’i përzunë ëndërrimet
si të mos i kisha kurrë!

ËNDËRR E NJË RRUGICË TË NGUSHTË

i kanë çveshur gjethet, gjembat i kanë mbajtur
dhe varen mbi mua ferrat e dendura…
të kisha krahë unë, të kishte krahë shtëpia
do shkoim lartë si zogjtë nëpër ajër e diell.

hendeku është i pistë, i zhurmshëm është çasti.
freski ka, aromë manushaqesh varet poshtë reve….
të kisha krahë unë, të kishte krahë shtëpia
do shkonim lartë si zogjtë nëpër ajër e diell.

dhe deti… ah, deti! i është derdhur mëngjezit,
banor krenar dhe ai, është i qartë për trollin e vet…
të kisha krahë unë, të kishte krahë dhe deti
do ecnim lartë si zogjtë nëpër ajër e diell.

dhe rruga me hark, dhe në vorbull përqark
gjëmba e driza, ferra, shpërgej e gjak…
të kisha krahë unë, të kishte krahë dhe dheu
do ecnim lartë si zogjtë nëpër ajër e diell.

majëmalesh liqeni, qesh dielli i artë, ajri thesar,
argjenton shkëmb e drurë hëna sipër paprerë…
të kisha krahë unë,
të kishte krahë shtëpia,
të kishte krahë dhe deti
do ecnim lartë si zogjtë nëpër ajër e diell.

KANË VDEKUR

kanë vdekur poetët modernë
ata, të vërtetët poetë, kanë vdekur vërtet.

shkonin për ditë tek njeri tjetri të shkretët,
të vdisnin e quanin punë të vështirë
të rronin?! e pamundur të rronin pa pirë!
jeta ishe një vrasëse,
kishte trup, kishte sy, kishte gojë e fliste pa pushim
le të themi që qe peshkaqen me taka të larta
tërbim.

dhe ndaheshin në mesnatë, përherë në mesnatë
në mesnatë poetët
të pirë tashmë
të zhveshur
duke kërkuar shtratin e vjetër
duke kërkuar vargun e artë
dhe vajzën e artë patjetër
shurronin të dehur nëpër skuta taksish,
flinin poshtë dritës së Hënës në stolat e parqeve
ku kurvat i mbulonin me pelerinë
policët nëpër qeli i rrasnin…i rrasnin…

kështu pyesnin pluhurin, kështu pyesnin dherat,
kështu pyesnin të vdekurit shtrirë nëpër urdhër
e tek shkarravisnin mandej poemat
u dridheshin duart…

nëpër veshjet e lyrosura të hamburgerëve të mykur
i shkruanin poemat e tyre dhe për dreq, dhe për zjarr,
dhe ua lexonin mbrëmjeve nëpër taverna miqve të dehur.
habiteshin tek shinin loë nëpër sytë e mekur…

nëpër qytete me bume tërbimi fitimesh e drita verbimi
ata recitonin në rrugë e në sheshe harbimi
vargje të vështirë dhe poema të cmendura
për lagjet e bamirësisë që u derdhej gjaku nga goja,
për spitalet e vdekjes,
e për makthet që thirreshin ëndrra.
kurvat i qerasnin me birra të thartuara
dhe i përgëzonin për atë pak ngrohtësi të dhuruar…

nuk kishin dert ata t’u ulurisnin me vargje të pakrasitur
edhe miliarderëve, edhe presidentëve të tredhur e goditur.
nuk kishin marre t’u këndonin homosekualëve,
a të përqafoheshin shesheve të endjeve të biseksualëve.

i binin jetës kryq e tërthor atje ku ishte dhimbja,
e kënduan jo për çastet e fundit të heronjve e trimave.
mbartën nëpër vargje klithmat e fundit të të vrarëve
nëpër luftërat e pseu dozhvillimit modern të të gjallëve
bota, thanë ata, bie erë tërbim e urrejtje
atje ku ka më shumë drita e lluks
ka më shumë kufoma, fitime, llumra dhe etje…

eh, vdiqën poetët modernë, të vërtetët vdiqën vërtet,
dhe lanë botën tejembanë më të varfër
dhe lanë jetën qytetare të shkretë,
më të shkretë…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.