ME NJERËZ PA NJERËZILLËK nga Eli Kanina

Eli Kanina

ME NJERËZ PA NJERËZILLËK

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Si supë bajate e shohin e shijojnë jetën
Strukur brenda vetes shtyjnë ditët
Izoluar nga familjarë e miq
Pa dashje apo nga halli
Bëhen me njëri tjetrin të ligj…

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë!
Ndoshta s’u dalin llogaritë, ngelen në baltë
Se paraja sot është kod, pin dhe puk
Me të, hap çdo derë, je në majë gjithandej
Pa të, zvarranik e dallkauk.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Ndoshta llogaritë i bëjnë keq a s’dinë ti bëjnë
Këtu shto, shumëzo, e mbaj ndërmend
Po atje pjesto, kujtohu e diçka hiq
Lakmia a padituria i ngatërron
Shndërrohen në meskinë e piskuriqë.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Ndoshta që të jesh duhet të dish
Të kesh se ç’të përcjellësh a ç’të marrësh
Me diplomë , post, makina,tituj e akademi
Mund të jesh profesionist e pushtetar
Por vështirë të jesh e të mbetesh njeri.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Më kafshë se kafshët që kemi përreth
Të gatshëm të lehin, të çirren, të shqyhen
Vështirë me njëri tjetrin të merren vesh
Për fenë, politikën, paranë dhe gjithçka tërbohen
Lindin njerëz, me njerëzillëk pak mund të gjesh.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Ftohur ndjesitë, për gjë s’duan t’ia dinë
Pa folur mirë, si aparatë difektozë u bien bateritë
Nuk kanë derman as të gëzojnë me njëri tjetrin
Nerva nuk kanë as të shkëmbejnë dashuritë.

Si u bënë kështu njerëzit, si u bënë!
Hë pra, si u bënë?
Si ingranazhe të kësaj kohe të ndryshkur
Nga urrejtja, cinizmi, egoizmi dhe cmira
Çdo ditë nga pak harrohen, vdesin së gjalli
Sikur një karikues gjigand të kisha
Botën me fisnikëri mjelme ta mbushja, derisa të derdhej
Nga dashuria dhe malli…

25 VJETORI I MATURËS ’91

Për një çast nata ishte e jona
Dhe ne, s’ishim më ne
Kishim thithur eter
Nga tollumbacet e nëntëdhjetë e njëshit
Siç nuk kishim mundur deri tani
E luajtëm veten ndryshe
Siç duhet atyre viteve të ishim
Vite ku memoria na prangos veten pa na ndryshkur
Dikush solli dhimbjen e trupit e u bë dhimbja jonë
Dikush me zërin e shpirtit gëzimit me këngë i bëri jehonë
Dikush qeshte me fatin që jeta ia kish mbarsur me shanse
Dikush i pallastuar nga vitet, kohën kur u rritëm shante
Dikush kish harruar veten ta sjellë
Mes nesh humbi, e gjeti vetvetja
Dikush na solli të gjithëve bashkë
Për ta nisur aty ku e lamë, tek e djeshmja
E huaj mes nesh, ishte e tashmja
Nxënës u ndjemë, edhe pse pa apel e pa banga
Emblemës së njëjtë, hareshëm iu krenuam
As pleq të urtë e as adoleshentë të drojtur
Qeshëm, kënduam, kërcyem si të lojtur
Energjikë e më të sigurtë u sollëm nga e nesërmja
Të karikuar vetbesueshëm nga e hershmja
I mbushëm mendjen vetes, dhe njëri tjetrit
Ato çaste ishim ne, më të mirët e planetit
Të munguarit, nëpër rrjetet sociale na zilepsën
Oh të mjerët ne për ta, si na ndiqnin!
Edhe për ata gëzuam, hodhëm valle
Trishtimin e karrigeve të tyre bosh
Si dolli e pimë me verë
U mbushëm e u derdhëm me jetë
Më të rinj se asnjëherë….
Ato çaste kur nata ishte e jona
Njëzet e pesë vite u djersitën avulluan
Nëpër valle dhe biseda, ish maturantët gërshetthurur
Përvjetorëve të tjerë ndoshta vijmë edhe më bukur
Edhe pse nuk premtuam herë tjetër, në ndarje
Mbresat, fotot, emocionet mu bënë vargje
Për të gjithë kjo natë ishte motiv!
U bë ngjarje…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.