MË PËRKUND NINULLA E NËNËS nga Mimoza Çobo

Mimoza Çobo

MË PËRKUND NINULLA E NËNËS…

Krijuesi iu shfaq në ëndërr atit tim e i tha ca fjalë:
Do ta shumoj farën jetësore,si yjet e qiejve…
Atë natë,në mitrën e nënës,u ngjiza unë,ngadalë,
si fara e premtuar në tokën e shenjtë të dishepujve.

Kur duart e krijuesit, i dhanë formë e forcë zemrës,
si hardhia zgjata lastarët e krahëve drejt diellit,
rrënjët e shpirtit shtriva,në mitrën pjellore të nënës,
rrënjët shtriva,tek dhimbjet e tokës e të qiellit.

Të ndieja këngën e Orfeut mbi dallgët e Hebrit,
këngën e tokës,për të hyrë në thellësitë e misterit,
të ndieja vargun naimjan, me tinguj të përvëluar,
vargun e Safos ,që këputej me ulërimë,si përrua.

Të ndieja frymën e nënës,që rinonte faqet e tokës,
të shihja sytë e saj,që ende i japin kaltërsi botës,
të shihja si hapte gonxhen në duart e saj një burbuqe,
si nxirrte sythe dega e tharë dhe celte sërish lule.

Të ndieja dhimbjet e lindjes,sic i ndjente nëna ,
tingujt e eshtrës nga lartësitë ku fluturonte zemra,
rënkimin e ngazëllimin e zërit në luginën e vdekjes,
erën mëmësore,që më mbështillte me velin e prehjes.

Teksa kordoni i mishtë këputej, ndjeva të qarën time,
si gurgullimën e paqtë të kroit mbi buzën e një nimfe,
si cicërimën e zogut të dallëndyshes në fluturime,
si këngën e pranverës,që thërret lejlekët nëpër agime.

E mira nëna ime,e zbukuruar me hire të perëndishme,
më tundi në djepin e vjeshtës,me ninullë të magjishme.
E mira nëna ime,më e bukura perëndeshë e lashtësisë,
ende më përkund në gjirin e lashtë,ku kam pirë sisë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.