MË PRESIN MIQTË E PYLLIT nga Vullnet Mato

Vullnet Mato

MË PRESIN MIQTË E PYLLIT

Kam ardhur sërish në parajsën me pisha,
mes pyllit të veshur me kaftan të blertë.
Më presin gjithë miqtë e parë që kisha,
në kohën kur mes tyre jetova disa vjet.

Zogjtë me gjuhë cicërimash më flasin,
kuptoj ç’më thonë, me tingujt e ëmbël.
S’dua përkthyes bimësh dhe kafshësh,
kodet e tyre i deshifroj me zemër.

Bari më flet me gjuhët vesuar nga yjet
dhe më tund kërcejtë e hollë me petale.
Fluturat më valëvitin flamujt te kryet,
mbi lulet e nektarit duke kërcyer valle.

Qukapikët trokasin dyert nëpër zgavra
të rreshtojnë milingonat e pritjes jashtë.
Zhapinjtë alpinistë, më dëfrejnë me gara,
kush t’i shkojë trungut tek maja e lartë.

Ketrat atletë kërcejnë te arena mbi pemë
dhe më tregojnë një çast çiftimin e dashur.
Laraskat gajasen e zgjojnë lepujt që flenë,
nga ferrat e gjumit, të më shohin syhapur.

Mëllenjat klloçka, me të vegjlit e foleve,
më brohorasin me çuçurima në shkurre.
Dhelpra del nga strofka veshur topmodele
dhe më tregon mantelin me gëzof lëkure.

Breshkat ekspozojnë tatuazhin e shpinës
dhe mbi gjethe të thata, nxitojnë këmbët.
Kërmijtë më tregojnë antenat te brirët,
duke incizuar këngët e bilbilave të ëmbël.

Më ushqejnë me oksigjen pishat dhe shtogu,
teksa mendoj, se pylli me miqtë e mjedisit,
janë mbretëria e paqes më të përsosur,
që i duhet njeriut, për qetësinë e shpirtit.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.