MË PRESIN NXANËSIT nga Elida Rusta

Elida Rusta

MË PRESIN NXANËSIT

Deshta me ta fshi numrin,
nisa e hoqa dorë.
Të lexova,
i pashë atomet e tua.
Kishe ndéj i dekun tán atë kohë,
veç me árdh te unë.
As ujqërit nuk e dinë má mirë udhën.
Fëmijë jam,
e vogla jote prej vese jam,
nánë e bukur qysh kur isha foshnje,
bishtin përflakës si të kometës.
Flej t’i puthsha sytë,
flej!
Unë të dua!
Po shkoj me ofshá,
me qá e me u kthye.
Koha matet me atë që bájmë,
jo me atë që jena.
Më presin nxánësit,
ata s’do i kem má,
ty po.
Nesër fluturojnë,
ndoshta mbasnesër,
Nuk du me ju lánë trashëgim
kambt’ e bllokueme n’moçal.
Ti ia dole,
më rrite!

ERDHËN NXANËSIT…

Ti në fund të bankave
mbete përsëritës i përjetshëm.
Edhe sivjet kám me t’lánë në klasë,
ke nevojë me msue má shumë.
Dashnia mësohet shkronjë për shkronjë,
deri n’frymë të fundit.
Me dritë po t’shkruej
u lidhsh për dritë të diellit!

O TI, O UNË

Agu ra mbi llampēn e ndezun të katit të fundit.
Flaka e letrave që digjen,
bán hije mureve.
Má mirë të digjen letrat se unë!
Poetja nuk fle
ásht ul mbi fron dafinash që e mbajnë gjallë
má fort se fryma.
Ndigjon zhurmën e botës,
tutet për ty.
Çmimi naftës rá
bursa e New Yorkut po.
Nëpër qoshet e Underhill avenue
shkruhet:
“Kërkohet nji troftë me pika të kuqe”
Nji sirenë treni që vjen prej larg
e bán me i thirrë mendjes,
në Amerikë nuk vihet përditë,
Atdheu aty ásht.
Rimbush metrokartën,
në stacionin má t’parë
hedh përpjetë nji dollar coins.
Zgjidh!
O ti, o unë po i biem detit kamb’.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.